Atë që e kritikoi dhe e “pështyu” Haradinaj gjatë viteve të kaluara, ai u kthye kundër vetvetes dhe e “lëpiu” me bashkimin e tij në PAN

Opinione

Atë që e kritikoi dhe e “pështyu” Haradinaj gjatë viteve të kaluara, ai u kthye kundër vetvetes dhe e “lëpiu” me bashkimin e tij në PAN

Nga: Nehat Hyseni Më: 30 gusht 2017 Në ora: 18:55
Nehat Hyseni

Kriza politike aktuale dhe bllokada institucionale, e krijuar nga dhunimi i paskrupullt dhe i pashpirt nga koalicioni PAN, nën ambrellën e të cilit janë grumbulluar autorët e pothuajse të gjitha krimeve dhe dhunimeve e plaçkitjeve dhe të kapjes së shtetit, mund të tejkalohet vetëm me një bashkëpunim dhe kompromis të sinqertë midis LVV-së, që ka 32 deputetë dhe koalicionit LAA, me 29 deputetë. 

Së bashku LVV dhe LAA, pra kanë gjithsej 61 deputetë shqiptarë, dmth shumicën e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sepse, siç e dijmë mirë se edhe në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit, agjendë kryesore e Lëvizjes Vetëvendosje ishte lufta kundër PDK-së, si prijëse e koalicionit PAN dhe Kadri Veselit si kryetar dhe përfaqësues i tyre.

Nga ana tjetër, koalicioni LAA, që përfshinte LDK-në, AKR-në dhe Alternativën, fokusin e fushatës e kishin orientuar kundër koalicionit PAN dhe Kadri Veselit, i cili konsiderohej si fajtori kryesor për prishjen e koalicionit qeverisës LDK-PDK, që u krijua pas prishjes së koalicionit paszgjedhor VLAN, që u krijua pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, që përfshinte LDK-në, LVV-në, AAK-në dhe Nismën dhe kishin në fokus të fushatës parazgjedhore luftën kundër PDK-së dhe Hashim Thaçit.

 Por, ky koalicion doli i pasuksesshëm, ose të themi më saktë, i humbur në luftën politike e juridike kundër PDK-së, meqë e kishte Gjykatën Kushtetuese dhe kryetarin e saj Enver Hasanin në shërbim të disiplinuar e të devotshëm të interesave grupore e private, dmth. personale, Hashim Thaçit dhe tarafit të tij politik, mafioz e antidemokratik, të kapjes së shtetit dhe institucioneve demokratike e shtetërore të Republikës së Kosovës.

Pra, në fushatën parazgjedhore të 2014-tës, PDK dhe Hashim Thaçi ishin cilësuar si e "keqja" e Kosovës dhe si burim i të gjitha aktiviteve kriminale e banditeske të kapjes së shtetit dhe si të tillë e bojkotonin të gjithë: LDK, LVV, AAK dhe Nisma, (VLAN), duke u betuar për "viat e kuqe" ndaj PDK-së.

Por, pas gati gjashtë muaj qëndrese, në pamundësi për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe të Qeverisë nga radhët e tyre, ky koalicion u prishë me kalimin e LDK-së me 32 deputetët e saj nga gjithsej 66 të koalicionit VLAN, në koalicion me PDK-në.

Kjo "besëthyerje" dhe "tradhëti" e LDK-së dhe kryetarit të saj, asokohe shkaktoi dridhje dhe zhgënjim të madh në LAN, dmth në pjesën e mbetur të koalicionit VLAN dhe tek populli i Kosovës, që u kishte besuar se do e fitonin betejën kundër qeverisjes së keqe e banditeske të PDK-së dhe Hashim Thaçit.

Atëbotë ishin shumë të zhurmshëm kundër kësaj tradhëtie Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, por dhe një pjesë e aktivistëve e veprimtarëve të dalluar edhe të LDK-së, si psh. Vjollca Osmani, Arben Gashi, Adem Salihaj e të tjerë.

Pasojë, apo më mirë me thënë "fatura politike" e kësaj "tradhëtie" të LDK-së dhe kryettarit të saj, Isa Mustafës, ishin humbja e 9 (nëntë) deputetëve të LDK-së, dmth humbja e reth 30% të votave në zgjedhjet e 11 qershorit 2017 krahasuar me ato të 8 qershorit 2014. 

Pra, LDK dhe Isa Musa u ndëshkuan me votë të munguar nga populli i Kosovës në këto zgjedhje, madje edhe më keq edhe PDK: nga 33 deputetë të fituar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014, mbeti me vetëm 22 deputetë në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, që i bie se humbi 11 ulëse në Parlamentin e Kosovës, ose reth 1/3 e deputetëve të saj. Ndëshkimi i popullit me votë  ndaj PDK-së dhe Kadri Veselit, pra, ishte edhe më i rëndë se sa ndaj LDK-së.

Kurse, AAK e Ramushi Haradinajt, edhepse pritej dhe shpresohej se do të del si parti e parë, për shkak se kishte. kabdidatin e saj për kryeministër, megjithatë ajo nuk shënoi rritje dhe mbeti aty ku ishte edhe më parë, dmth si parti e katërt.

 Ndërkaq, Nisma e Fatmir Limajt , falë qëndrimit të tij të rezervuar ndaj PDK-së dhe Kadri Veselit, shënoi një rritje simbolike me një deputet, dmth nga 6 deputetë që i kishte, tani i bëri gjithsej shtatë deputetë. 

Figura më tragjike morale dhe më kundërthënëse, madje kontraverze e skenës politike të Republikës së Kosovës, gjatë fushatës parazgjedhore dhe pas zgjedhjeve të 11 qershorit, pa dyshim është kryerari i AAK-së dhe kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, z. Ramush Haradinaj.

 Mjafton që t'i merr inçizimet filmike nga deklaratat e tija të panumërta gjatë fushatës parazgjedhore të 2014-tës dhe pas zgjedhjeve, si pjesë e koalicionit paszgjedhor VLAN dhe të ulet diku z. Haradinaj i vetëm, i shoqëruar vetëm për vetëm me ndërgjegjen e tij njerëzore, kombëtare e prej luftëtari të dikurshëm të lirisë, para dëshmorëve dhe para Zotit dhe të jep vet vlerësimet e tia për vlerat e tia si politikan e si njeri. Jemi të sigurtë se do të vërej se z. Haradinaj i 2014-tës është diametralisht i ndryshëm, i kundërt dhe nuk ka asgjë të përbashkët me z. Haradinaj të 2017-tës. 

Atë që e kritikoi dhe e "pështyu" z.Haradinaj me të drejtë gjatë viteve të kaluara, ai u këthye kundër vetvetes dhe e  "lëpiu" me bashkimin e tij në koalicionin PAN.

 Të jemi të sinqertë, askush nuk është duke e ditur se cili është realisht Ramush Haradinaj i vërtetë dhe për cilat vlera politike e morale angazhohet ai, sinqerisht, si njeri dhe si politikan?

 Për pushtet, dmth për postin e kryeministrit, me çdo kusht, qoftë edhe në pazarllëk të pistë edhe me Listën Srpska, apo për shtet e mirëqenie të popullit të Kosovës?! 

Vallë, sikur të ishin gjallë dëshmorët e lirisë, si do ta kuptonin dhe a do ta miratonin këtë veprim makabër?

Prandaj, mbase do ishte zgjidhja më e mirë që AAK me 11 deputetët e saj dhe Nisma me 7 deputetë, kësaj radhe të bashkohen me Vetëvendosjen (32) dhe me LAA-në (29) dhe të krijojnë sërish koalicionin e madh VLAN, me gjithsej 79 deputetëve shqiptarë, që së vashku me minoritet (20), do i bënin 99 deputetë dhe do i hynin me përkushtim ndryshimeve kushtetuese dhe bërjes reale të Republikës së Kosovës, të denjë për të jetuar dhe si shtet stabil, të fortë e të respektuar në botë.

Sa i përket LDK-së dhe popullit të Kosovës, posti i kryeministrit është e parëndësishme se kujt i përket. 

Por, meqë Albin Kurti dhe LVV morën më shumë vota në zgjedhjet e 11 qershorit, poqese deklarohet dhe betohet publikisht se respekton filozofinë politike dhe figurën e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës, ai do e meritoj dhe realisht atij do i takoj posti i kryeministrit të Republikës së Kosovës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2017-2021.

Në të kundërtën, dmth poqese AAK dhe Nisma vazhdojnë të mbeten brenda koalicionit PAN dhe presin që me bashkëngjitjen eventuale të AKR-së me 4 deputetë, të krijojnë gjithsej 43 deputetë shqiptarë dhe me 20 votat e minoriteteve do të kishin gjithsej 63 deputetë dhe do krijonin një mazhorancë të brishtë dhe një Qeveri me "këmbë të qelqëta", të varur direkt nga tekat, interesat dhe nga vullneti politik të Listës Srpska dhe nga Beogradi.

Realisht, një qeveri e tillë, e formuar nga pakica shqiptare do ishte si qeveri "kuislinge" dhe e papranueshme për popullin shumicë të Kosovës. Kurse, partitë e tilla politike shqiptare dhe lidershipin e tyre, do i komprometoj dhe do i shporrë definitivisht nga skena politike e Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat