Homazhe në acar për burrështetasin më të madh që e patën dardanët

Opinione

Homazhe në acar për burrështetasin më të madh që e patën dardanët

Nga: Gani Mehmetaj Më: 7 shtator 2017 Në ora: 08:27
Gani Mehmetaj

Rugova, sipas traditës shqiptare, duhej të vajtohej dy herë:  një herë pse vdiq, ndërsa ishte njeriu më i madh i shekullit XX e fillimit të mileniumit të tretë, dhe herën e dytë, sepse nuk po e linte askënd prapa.       

U shpeshtuan debatet për periudhën e errët e të pasigurt që na priste në mungesë të një klase politike të ndërgjegjshme e profesionale, për moralin e ulët që e kishte pushtuar klasën politike dhe për një varg problemesh. Deri në atë kohë të gjitha zbrazësitë brenda LDK-së i barti mbi supe Rugova, të gjitha konfliktet e brendshme i amortizoi ai, duke i sprapsur edhe goditjet tinëzare të kundërshtarëve politikë, por edhe tinëzarëve brenda partisë së tij. Opozita nuk ia falte që ia mori pushtetin dy herë radhazi me votime, po të jetonte sërish do të dilte fitimtar, ndërkaq, opozita brenda LDK-së e kërkonte hapësirën e vet, sepse konsideronte se hija e Rugovës ua mori pahun.  

Mbretëronte një situatë kur të gjithë përpiqeshin për të zënë një boshllëk, shpeshherë të pamerituar, kurse popullata e ndiente më së shumti zbrazësinë e një lideri të madh, sepse e shihte fare mirë se askush nuk do ta zëvendësonte në mënyrë të denjë, madje ata frikësoheshin me të drejtë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Kjo frikë e përshkonte tërë hapësirën shqiptare të Kosovës, po edhe Maqedoninë e Kosovën lindore. Prandaj vdekja e Rugovës i mobilizoi ta kujtonin edhe një herë me një përkushtim të jashtëzakonshëm.   

Mbi një milion shqiptarë morën pjesë në ceremoninë e varrimit të Ibrahim Rugovës, presidentit të parë të Kosovës. Ishte acar që s’mbahej në mend. Ishte pamje tragjike e madhështore njëkohësisht. Po e nderonin rrugëtimin e fundit të njeriut që e shënoi epokën. Morti i tij u bë një lloj pelegrinazhi si kurrë më parë. Edhe i vdekur ai e vuri në qendër të vëmendjes sërish Kosovën, duke nxitur shtypin perëndimor t’i riktheheshin problemit të shqiptarëve të Kosovës dhe boshllëkut që po krijohej. Morti i tij i grishi shumë politikanë e burrështetas të vinin e t’i bënin nderimet e fundit personalitetit më të fuqishëm shqiptar. Shumë nga ato personalitete që e njohën: Bill Klinton, Toni Bler, Riçard Hollburk etj. dhanë deklarata fascinuese për personalitetin e tij. Ata nuk e fshihnin se Kosova e rajoni po humbte një njeri të rëndësishëm. 

Rugova i vdekur ua kujtoi edhe një herë shtetarëve të Evropës Perëndimore e të SHBA-së kontributin e madh që dha ai për vendin e tij, ndërkaq sikur i obligoi që këtij vendi të varfër e të sfilitur nga lufta, t’ia gjenin hapësirën në yjësinë e shteteve të Evropës.

Rreshtat e gjatë me kilometra, në acarin e dimrit, njërin ndër dimrat më të ftohtë  prej se mbahej në mend, ishin formuar para Kuvendit të Kosovës. Durimi i pritjes për t’ia bërë nderimet e fundit presidentit të vdekur, dëshmonte se ata e vlerësonin punën e tij njëzetvjeçare. Pikëllimi e mbërtheu qytetin, e pushtoi Kosovën, pesha e humbjes rëndonte mbi tërë hapësirën shqiptare. Atmosfera e përzishme si rrallë ndonjëherë gjatë historisë e pushtoi shtetin e ri në themelim e sipër. S’kishte nevojë për ndonjë kujdestar që do të mbikëqyrte rendin, as që do të mbante qetësi. Të gjithë ishin të heshtur e të pikëlluar, të gjithë shihnin në zbrazëti, prisnin nga mëngjesi deri në mbrëmje që t’ia jepnin përshëndetjen e fundit presidentit të tyre, që i ruajti dhe i kurseu nga aventurat, që i udhëhoqi drejt ëndrrës së madhe, ndërsa pati presione, mbase pati edhe tundime që t’ia kthente ndryshe, mirëpo i dinte pasojat.  

Për t’ia bërë nderimet e fundit kryetarit Rugova, erdhën shqiptarët nga territoret etnike (Maqedoni, nga Kosova Lindore, e Mali i Zi), por mijëra të tjerë erdhën nga Perëndimi e Shqipëria. Ishte një ndjenjë e papërjetuar, e paparë. Niste me kolonën e heshtur nga hoteli “Grand” e më poshtë, për të përfunduar te dyert e Kuvendit të Kosovës, në brendësinë e të cilit qe vendosur trupi i presidentit. Kjo të krijonte një atmosferë si në filma. Heshtje, muzika e përmotshme, lëvizjet e ngadalshme, njerëzit që kalonin përskaj kolonës, duke pëshpëritur, fërkim duarsh nga acari që të thante.  Të dukej një atmosferë surreale, e pazakonshme dhe e çuditshme. Askund nuk ishte parë një gjë e tillë: qytetarë që presin me durim të jashtëzakonshëm, sigurisht këmbët nuk i ndienin më nga të ftohtit, duart u mpiheshin, fytyra u digjte nga acari, ndërsa ata nuk donin t’ia dinin. Askush nuk përpiqej të futej pa rend, askush nuk kërkonte privilegje. Për herë të pare të gjithë ndiheshin të barabartë, të njëjtë në pikëllim. Humbja ishte e përbashkët. Një ndjenjë të cilën e ke vështirë ta përshkruash, sepse vetëm mund ta ndjesh e ta mbash për vete.

Me ekipin e redaksisë së gazetës “Bota sot” pritëm me durim, ngrinim, veshët nuk i ndienim për pjesë të trupit tonë, këmbët na ishin mpirë. Një ekip që merrej me organizmin e ceremonisë na futi brenda, na orientoi para vendit ku e kishin vënë arkëmortin me trupin e presidentit. Secili e përshëndeti në mënyrën e vet, duke ikur me një boshllëk në shpirt.

Ishin të paktë ata që nuk e ndien deri në palcë humbjen e njërit ndër personalitetet më të mëdha që patëm, ishin të paktë ata që nuk u emocionuan për vdekjen e tij, ashtu sikurse nuk qenë të paktë ata që pa dashje shtonin pyetjet: Po tash? Kush do të udhëhiqte shtetin? Me kë do të bënim institucionet? Edhe më të pikëlluar ishin ata të cilët mendonin se kur të na e pranonin pavarësinë zyrtarisht bashkësia ndërkombëtare, njeriu më meritor për këtë pavarësi nuk do të ishte ai që do ta shpallte dhe do ta gëzonte së bashku me qytetarët e tjerë.

Ceremonia e varrimit ishte ndër më madhështorët që është mbajtur në Gadishullin Ilirik dhe më gjerë. Një kortezh i gjatë, i gjatë, gati i pafund, ndërsa prapa shkonin disa nga personalitetet e njohura ndërkombëtare.

 Ajo që i turpëroi jo ceremoninë, por vogëlinë e tyre, ishte refuzimi i kreut të TMK-së që t’i bënin nderimet e fundit. U bë mirë që kjo trupë, shumë prej të cilëve qysh atëherë dyshohej se janë të kriminalizuar, nuk i bënë nderimet njërit ndër personalitetet më të mëdha të shekullit XX, sepse do ta turpëronin me praninë e tyre.
#

Më mbeti peng që nuk arrita ta realizoj projektin dokumentar në dy vazhdime për jetën e veprën e Ibrahim Rugovës. E kisha bërë skenarin, e kisha kalkuluar edhe aspektin financiar, duhej të hulumtoja nëpër disa arkiva filmike nëpër Evropën Perëndimore, të intervistoja disa personalitete të njohura, për të bërë filmin e gjatë nga fillimi i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe rrugëtimin e Rugovës deri në ditën kur u bë president i vendit. Projektin në fillim ia paraqita ministrit të Kulturës, A. H. , i cili me fjalë të buta më tha sikur nuk ka hije që ai ministër i Rugovës ta mbështeste filmin për presidentin. M’u duk arsyetim idiotësh. Në mungesë të financuesit tjetër ia paraqita projektin presidentit Rugova. Ai kërkoi nga Kryesia e LDK-së që ta mbështeste, mirëpo Kryesia e mefshtë dhe e pazonja sikurse ishte, nuk  bënë shumë në këtë plan, megjithëse i premtuan se do ta mbështesin.  Madje pos që më thanë gojarisht se do të përpiqen të gjejnë mjete, nuk e bënë asnjë lavër të miut. Ndërkaq, sikurse më thanë, Rugova druante se po këmbënguli më shumë për realizimin e projektit do të tingëllonte sikur ai këmbëngul ta përjetësonte veten. Të  tjerët përreth tij, nga ligësia nuk donin që ai të përjetësohej në shiritin e celuloidit. Nuk e tumiren projektin.

Në skenar planifikova të gjitha detajet. Fatkeqësisht projekti filmik “Ibrahim Rugova” pret edhe sot e kësaj dite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat