Cilat shërbime armiqësore e imponuan Hashim Thaçin përfaqësues politik të UÇK-së?

Opinione

Cilat shërbime armiqësore e imponuan Hashim Thaçin përfaqësues politik të UÇK-së?

Nga: Ibrahim Kelmendi Më: 8 shtator 2017 Në ora: 17:31
Ibrahim Kelmendi

Me ikjen e Nanos, Tirana u çlirua nga marionetat e Beogradit dhe Athinës

Për funksionimin "operativ" të delegacionit të Kosovës do të përkujdesej "shoku" francez i Thaçit, Danjean Arnaud, i cili gjatë gjithë kohës, deri më 23 shkurt, do të ishte i atashuar si operativ komandues brenda, në kështjellën e Rambujesë. Dhe, francezi Arnaud do të ishte më autoritativi, se të gjithë të tjerët: amerikanë, anglezë, gjermanë... Ai e urdhëronte Hashim Thaçin të mos firmoste marrëveshjen

Para se të mbahej ky takim, qysh pas atij që patën ushtarakët me Bujar Bukoshin, javën e tretë të marsit '98, i luta ca ushtarakë që të angazhoheshin në FARK, për të penguar ndonjë angazhim të tij diversionist dhe, nëse nuk do t'ia dilnin, të na informonin. U morëm vesh që për këtë taktikë të mos informoheshin assesi treshja komplotiste; Xhaviti, Azemi dhe Hashimi. Besimin më të madh për këtë mision konspirativ e kisha ndaj bashkëveprimtarëve të Fehmi Lladrovcit: Xhafer Jashari, Fadil Demiri, Agim Haziri, Ramadan Gashi. Me ata u dakorduam. Dhe, prandaj u angazhuan edhe në FARK. Ajo taktikë dha ca fryte, por nuk arriti të evitonte krijimin e brigadës diversante, të cilën Ahmet Krasniqi dhe Tahir Zemaj e futën në Dukagjin, në verë të vitit '98, që ta shpartallonte UÇK-në e asaj zone dhe të pengonte edhe furnizimin e UÇK-së me armatim, meqë ishte zonë kufitare me Shqipërinë. Ramush Haradinaj, fatkeqësisht, e toleroi diversionin e brigadës së Tahir Zemajt në Dukagjin. Madje, ai edhe komandën ia dorëzoi Tahirit, në emër të një "votimi nga populli..." Po të kishte atëherë UÇK-ja institucione të forta, atë akt do ta kishin dënuar si komplot... Pas vrasjes së Ahmet Krasniqit (22.09.1998), pozitat e tij Bujar Bukoshi ia ofroi atasheut ushtarak të Bosnjës, në Ankara, pejanit Ismet Alia. Ai pranon, por e luti Bukoshin që, deri në shkarkimin e tij nga Qeveria e BH-së, në atë pozitë ta angazhojë kolegun e tij, kolonelin Halil Bicaj. Bukoshi e pranoi propozimin e Ismetit. Halili hezitonte, sepse ishte ushtarak i UÇK-së. Pas konsultimit të Halilit me mua, e luta që ta pranonte atë angazhim, sepse ashtu do të krijonim siguri, që, aty e tutje, nuk do të kishim më diversione, si rasti në Dukagjin. Për këto zhvillime e informova edhe Aliun (Ahmetin), si epror që e kisha dhe, bashkë me të, i takuam fshehurazi Bislim Zyrapin dhe Halil Bicajn, në mënyrë që ata të dinin për njëritjetrin dhe bashkërisht ta koordinonin bashkëveprimtarinë operative të UÇK-së dhe FARK-ut, tashmë si pjesë integrale e UÇK-së. U morëm vesh që për këto zhvillime të mos e informonim treshen komplotiste, Xhavit-Azem-Hashim, dhe askënd tjetër, deri kur të krijohen rrethanat e favorshme. Kjo taktikë, fatmirë- sisht, që e suksesshme... 

Si u korruptua Fatos Klosi nga Xhavit Haliti?

Deputeti Azem Hajdari vritet në Tiranë më 22 shtator 1998. Ajo vrasje prodhon një fat të madh për Luftën tonë çlirimtare. Në kuadër të grusht-shtetit, që provoi të bënte Sali Berisha, kryeministri Nano u arratis dhe u strehua në Maqedoni. Në vend të tij kryeministër u bë Pandeli Majko. Aty e tutje, Tirana u çlirua nga marionetat e Beogradit dhe Athinës, vëllezërit siamezë BerishaNano. UÇK-ja dhe Lufta çlirimtare në Kosovë tashmë kishte qeverinë shqiptare, që të paktën nuk komplotonte, edhe pse nuk kishte kapacitete për të ndihmuar më shumë, për shkak edhe të kontrollit ndërkombëtar, sepse bashkësia e shteteve vendimmarrëse ishte përcaktuar për ta sakrifikuar Kosovën (Dejton), që të mund ta bëjnë zap Serbinë fashiste... Fatkeqësisht, aty e tutje Fatos Klosi ishte korruptuar nga Xhavit Haliti dhe iu kundërvu kryeministrit Majko. Ai lloj dezertimi i Klosit kundër kryeministrit Majko pati ca pasoja edhe për UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare... Ende nuk kam informacion të kompletuar për "ndihmat" që Bukoshi ua ka dhanë Xhavit Halitit dhe Azem Sylës. Ka të ngjarë që Bukoshi duhet të jetë urdhëruar nga Beogradi që, me ato mjete të Fondit të "3 %" t'ua paguajë honorarin Xhavitit e Azemit, për shërbimin që po i bënin Beogradit fashist - spiunimin, sabotimin dhe komplotimin e UÇK-së. Bëhet fjalë për, ndoshta, rreth 20 milionë USD(?!). Po të donte ta ndihmonte UÇK-në, Bukoshi do t'i kishte dorëzuar te përgjegjësit e Fondit "Vendlindja thërret", të cilët ai i njihte mirë. Në dhjetor '97, Jashar Salihu dhe unë e patëm takuar Bukoshin në Aeroportin e Cyrihut, për t'i kërkuar ndihma për UÇK-në. Ai, duke belbëzuar, thoshte se nuk e kishte lejen nga Prishtina. Edhe pas dorëzimit të këtyre "ndihmave", Xhaviti dhe Azemi vazhdonin të na thoshin se Bukoshi nuk po jepte ndihma për UÇK-në. Në emigracion, prandaj, vazhduam garimin brutal, veprimtarët e dy fondeve, duke nxitur, kështu, edhe armiqësi eksplozive mes nesh, por, fatmirësisht, ato nuk eskaluan në përmasa të zënkave fizike, me pasoja fatale. Bujar Bukosh u ka dhënë ndihma edhe disa komandantëve të UÇK-së në Kosovë, që vinin herë pas here në Shqipëri, por as për ato nuk kam mundur të siguroj informacion konkret. Ato mjete duhej të luanin rrolin për të futur xhelozi e përçarje në radhët e UÇK-së... Pas Luftës jam përpjekur të marr informacione nga komandantët, duke filluar nga ata të përgjithshmit, Sylejman Selimi e Agim Çeku, por edhe nga komandantët e shtabeve të zonave operative, se sa ndihma kishin marrë nga Azem Syla, Xhavit Haliti dhe Hashim Thaçi. Përgjigjja ishte: ZERO me gjak, do të thoshte Fan Noli! Sylejman Selimi e Agim Çeku, as që janë informuar ndonjëherë për qarkullimin e mjeteve financiare të UÇK-së, as që janë pyetur ndonjëherë nga ata tre banditë, nëse kishin nevojë për mjete financiare, edhe pse ishin komandantë të Shtabit të Përgjithshëm në kohë përkatëse! 

Plaçka, që u është bërë mjeteve të UÇK-së

Në një takim rasti, gusht '99, në Hotel "Victory", në Prishtinë, pata takuar gjithë komandantët e zonave dhe Agim Çekun, pas një takimi që kishin me Komandantin e KFOR-it, Jackson. Me atë rast Sami Lushtaku shfaqi hidhërimin e tij, pse Fondi nga Gjermania vetëm Zonës së Drenicës nuk i kishte dërguar ndihma. Në vërejtjen time, të mos tallej, ai u betua se nga shtatori '98, deri në fund të majit 1999, nga Fondi "Vendlindja thërret" nuk kishin marrë ndihmë, asnjë lekë, as fishekë, siç shpreheshin atëherë. Fjalët e tij i vërtetoi edhe Sylejman Selimi. U mërzita, por u arsyetova duke shprehur edhe keqardhje: "Nuk kemi dërguar ndihma në Drenicë me mendimin se tre shefat e UÇKsë, drenicakë, Azemi, Hashimi dhe Kadriu, rreth 70 % të mjeteve të Fondit i kanë sjellë në Drenicë dhe të tjerat zona i kanë sabotuar, kurse ne jemi interesuar t'i ndihmojmë ato zona. Jeni vetë fajtorë që nuk na keni informuar...". Kjo lloj plaçke, që u është bërë mjeteve të UÇK-së, nga banda e treshes Xhavit-Azem-Hashim, është më tepër se kriminalitet. Sikur të kishte UÇK-ja më shumë armë, municion, ushqim e veshmbathje, do të vriteshin më pak ushtarë, do të bëhej luftë më e suksesshme kundër armikut dhe martirët e rënë do ta shpaguanin veten edhe më shumë... Për imponimin e komplotistëve rolin kryesor e kanë luajtur shërbimet sekrete armiqësore, sidomos ato të Beogradit, DGSE-ja franceze dhe ndonjë tjetër, që ende nuk kam mundur ta identifikoj. Shërbimet e Shqipërisë ishin kot, pa ndikim. Disa oficerë të tyre, që i komandonte kryeministri Nano, vetëm se na plaçkitnin financa, për të lejuar lëvizjen e armatimit të blerë, drejt kufirit me Kosovën... Ato shërbime armiqësore, prandaj, e imponuan Hashim Thaçin përfaqë- sues politik të UÇK-së, pa qenë i emëruar nga asnjë institucion kompetent, siç nuk ishin të emëruar as të zgjedhur, as Azem Syla, as Xhavit Haliti. Këta dy të fundit, dhe Ali Ahmetin, Kryesia e Lëvizjes i kishte caktuar vetëm përgjegjës të Sektorit të rëndësisë së veçantë. Ku, si dhe përse e kishte gjetur DGSEja franceze pikërisht Hashim Thaçin për ta rekrutuar, mbetet ende sekret, deri të hapen arkivat përkatëse, por është fakt konkret se shefi i atij shërbimi, Danjean Arnaud, që menaxhonte sektorin në DGSE për ishJugosllavinë, ishte caktuar të ishte "shok" i Hashimit, në të gjitha rastet vendimtare për Kosovën. Ai vetë më pati thënë se me Hashimin janë njohur gjatë një kursi të gjermanishtes në Cyrih, por unë ironizova atë kamuflim, duke i thënë se si DGSE-ja nuk paskësh pas mundësi të mban kurse në Francë, ku flitet gjermanishtja më standarde, se dialekti në Cyrih... Dihet mirëfilli se atëherë Ushtria franceze ishte anti NATO, anti SHBA, pro Serbisë... 

Arsyetimet mashtruese të Hashim Thaçit

Këto shërbime u përkujdesen edhe për përzgjedhjen e delegacionit të UÇK-së, për Konferencën ndërkombëtare për Kosovën, që i fillojë punimet më 6 shkurt 1999, në Rambuje të Francës. Për funksionimin "operativ" të delegacionit të Kosovës do të përkujdesej "shoku" francez i Thaçit, Danjean Arnaud, i cili gjatë gjithë kohës, deri më 23 shkurt, do të ishte i atashuar si operativ komandues brenda, në kështjellën e Rambujesë. Dhe, francezi Arnaud do të ishte më autoritativi, se të gjithë të tjerët: amerikanë, anglezë, gjermanë... Ai e urdhëronte Hashim Thaçin të mos firmoste marrëveshjen, edhe pse të gjithë pjesëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar ishin dakord. Thaçi, kështu, e bëri fajtor Kosovën, duke e barazuar me Serbinë... Njërin nga arsyetimet mashtruese, për mosfirmosjen e marrëveshjes, bastardi Thaçi e ka formuluar, pak a shumë, kështu: "Nuk guxoj ta firmos marrëveshjen, sepse kur të kthehem në Kosovë do të më vrasin komandantët e UÇK-së, që janë nën ndikimin e ekstremistit Ibrahim Kelmendi..." (parafrazim i lirë që ma kanë thënë dy "operativë" të Konferencës). Kjo shpifje e tij më nxori nga takti, më shumë për faktin se si po e komprometonte UÇK-në. Për këtë arsye atyre (...) u detyrova t'u them: "Z. Thaçi ka shpifur, për të kamufluar urdhrin që e ka nga DGSE-ja ushtarake franceze për mosnënshkrimin e marrëveshjes, sepse, mosnënshkrimi i saj është interes vital, i momentit, për Serbinë..." Pastaj, në raundin e dytë, pas 19 ditë "pauzë", më 18 mars 1999, marrëveshjen e firmosi Hashim Thaçi, sepse tashme qeveritë amerikane, angleze e gjermane duhet të kishin ndërhyrë te Presidenti i Francës që ta urdhëronte DGSE-në për ta lejuar, gjegjësisht për ta urdhëruar Hashimin që ta nënshkruante... Fatkeqësisht, ato 19 ditë Serbia i shfrytëzoi me intensitet të sforcuar për t'u pozicionuar më fuqishëm në Kosovë, meqë tashmë e dinte se sapo të nënshkruhet marrëveshja nga pala shqiptare, do të ndodhte ndërhyrja ushtarake e Aleancës NATO. / Kosova Sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat