Na mbytën dasmat…

Opinione

Na mbytën dasmat…

Nga: Hajdar Mallaku Më: 8 shtator 2017 Në ora: 21:30
Hajdar Mallaku

Sezona e pushimeve (korriku dhe gushti) thuajse u zëvendësua me sintagmën “sezona  e dasmave”. Përfunduan edhe njëra dhe tjetra dhe sa herë që takohemi me shokë, me miq dhe dashamirë dhe i përshëndesim duke i pyetur se si janë me shëndet, si shkojnë me punë, kryesisht na përgjigjen në pyetjet që nuk i kemi bërë. Thonë: “Na lodhën dasmat. Na sosën dasmat. Na mbytën dasmat!” Dasma në këtë rast përsonalizohet thuase ajo është një fuqi jasht nesh që na maltreton dhe ne nuk jemi ata që i organizojmë. Dikur dasmat në fshatra bëheshin kryesisht në vjeshtë, në rrethin familjar, me këngë, valle e veshje tradicionale, me prodhime nga bereqeti i verës, sepse atëherë kryheshin punët, mblidhej bereqeti i verës, ndërsa tash bëhen kryesisht në korrik dhe gusht për shkak të familjarëve që vijnë nga diaspora për pushime. U them atyre sa për konformizëm se janë gëzime familjare që vetë po i organizojmë. Mjaft patëm vajtime, varrosje, rivarrosje, përkujtime etj.

Me gjithë se vetë mendoj se ka çka të thuhet shumëçka për këto dasma: edhe të lavdërohen, edhe të qortohen.

Vërtet se dasmat janë momenti më i gëzuar në jetën e njeriut. Është thënë me të drejtë se kur lind, nuk e mban mend, gëzohen të tjerët, prindër e farefis; kur vdes s’ke se si e mban mend, mërzitën të tjerët(ti vetë sa ke qenë gjallë, ndoshta nga dhimbjet, nga paaftësia fizike për t’u kujdesur për vetëvetën dhe mërzitja që u shkakton të afërmëve për shërbimet që t’i bëjnë, e ti tashmë je për së dyti herë fëmijë jo i ledhatuar si herën e parë, por i mërzitshëm), i lutesh Zotit që të shkosh; e kur martohesh, gëzohesh vetë dhe tërë akrabaja.

Po ku është sot dasma? Sa është në nivelin e traditës dhe cilat janë rrjedhat e saj ? Cilat janë anët positive dhe negative të saj? Vështirë se do t’u japim përgjigjen e duhur, pasi njerëzit kanë mendime të ndryshme. Shumica pajtohen se kemi shmangie të mëdha nga tradita. Populli ynë thoshte “Më mirë të bjerë një fshat se të thyhet një traditë”. Tradita është më e fortë se feja, se ligjet e pushtuesve, është bërthama që nuk u thye gjatë. Natyrisht që koha moderne do t’i menjanojë ritet, doket, zakonet, bestytnitë, atavizmin si formë e rrëmbimit të nusës, izolimin brenda mureve të shtëpisë, vajin etj.,por disa kahe të saj e kanë zbehur dhe i kanë dhënë një pompozitet të shëmtuar duke e kthyer herëherë në groteskë. Të gjithë këto i dimë, të gjithë i kritikojmë dhe pakkush ose askush nuk bën ndonjë ndryshim pozitiv si për mënyrën e organizimit, si për çmimin e lartë, si për numrin e të ftuarve, si për veshjet, si për vendin e organizimit etj.

E fillojmë me paradasmën që fillon një javë apo një muaj para, me muzikë me volum maksimal, me muzikë pa shije sepse s’kemi ngritje kulture muzikore, muzikë tallavalla ku çirret jevgu me vajtim e pëllitje duke palosur fjalë budallallëqe, muzikë që traumatizon fqinjët e sidomos pleq, fëmijë e të sëmur, prej mëngjesi e deri vonë pasmesnate. E sa të zë gjumi prite zërin trishtues nga minareja e xhamisë. Doemosdo duhet të gëzohesh se po martohet fqinji, duhet të kënaqesh me muzikën që ai e zgjedh edhe për ty, se po e marton djalin “më të mirin”. Bën muzikë edhe kur në oborr nuk është njeri i gjallë. Kështu bëri dhe një ish-nxënës imi që jeton në Gjermani. Atje s’mund ta bëjë as më të voglën zhurmë e këtu dhe ua kaloi të tjerëve. Madje e bllokoi dhe rrugën publike duke i vënë në dy anë vetura për së trupi që ta shfrytëzojë si oborr për vallëzim, e kalimtarët duhej të gjenin rrugë alternative. Ne këta djem që martohen dhe i njohim herëherë si hajna, trashamanë, rrugaçë, lapërdharë, mashtrues; gëzohesh për lulijen që na bën temena, na bën hyzmet, që mund të tradhëtojë që nga salloni i krehjes, nga salla e restoranit, mund të vijë me helikopter e të arratiset  me mercedes për një burrë tjetër e t’i lë “krushqit të ngrirë” e burrin e mërdhirë, pas gjithë atij hargjimi. Një shoqe ime e punës më tha: “Shkova ta përcillja mbesën time nuse në natën e kënagjeçit dhe pashë të hidhet e fërfëllohet kokëlartë dhe pa respekt për ne të ftuarit dhe familjen e vet. I thashë, jo për t’ia prishur harenë, por sa për të hyrë në bisedë me të: “Mori mbesa ime, ne kur kemi shkuar nuse jemi mërzitur, jemi çmallur me prindër dhe të afërm, besa dhe kemi qarë”. Ma ktheu përgjigjen me një valutë tepër të shtrenjtë:” “Mori hallë, bëju të fala atyre që më marrin, ata le të qajnë, se unë pikë loti s’do të çes”. Dhe vërtet tregoi drejt se pas një muaji ia shtini flakën shtëpisë, iku nga shtëpia dhe me burrë u vendos në banesë private me qera”

 E pastaj vjen dasma me hargjime prej dhjetë deri në tridhjetë mijë euro, ku edhe ai që nuk ka hyn në kredi dhe mbytet për të bërë dasmë të madhe, me 200 deri në 1000 të ftuar, me këngëtar që bën muzikë tallava ku më fort çirret se këndon, me daulle, me kamera e fotografë, me mëny së paku 15 eu, me veshje halldupçe siguruar që nga Gostivari e deri në Stamboll ose lakuriq deri në turpërim, me krehje herëherë alla karikature: bishtpeleje, kaçurreleje si sfurk me ferra, gjufkë pulash, topuz,  me çmim të shtrenjtë etj. Një mike imja që jeton që prej vitesh në Zvicër dhe rrallë vjen në Kosovë më tha:” Mjer burrat në Kosovë, çka po hiqnin prej grave edhe të papunë edhe të paditura!”

 Është dasma ku të ftuarit duhet të jenë të rezistueshëm ndaj muzikës; ata mund të vallëzojnë, mund ta hanë atë mëny, s’mund ta ndërrojnë asnjë fjalë, të tjerët vajhalli për ta.

Është dasma ku shtihet me armë, prej revoles deri te kallashi, shtihet me lëndë plasëse, me fishekzjarre sa tmerrohen banorët e rrethinës, shpohen tjegullat e shtëpive prej plumbave qorrë, plagosën dasmorët.

Në një dasmë në rrethin e S. u shti me armë deri në tepri. E pyeta më plakun që rrinte në ballë të tymtarit:”A ishin këta djem këtu në kohën e luftës?””Po tha plaku me mbiemrin Baraliu dhe të betohem, tha, se disa prej tyre ishin veshur me dimi plakash për të shpëtuar nga shkau”

“Me dimi plakash thua, jo me dimi nusesh?” – e pyes unë.

“Jo në dimi nusesh se janë friguar mos po ua ngul shkau”.

Kur mbaroi edhe dasma e fundit ne lagje mua më tradhëtoi vetja dhe thashë:”Më shumë u gëzova unë se dhëndrri”, ndërsa mbesa ime e vogël protestoi:”Babëlok, sonte s’më ka zënë gjumi pa muzikë” Për ta mbajtur gjallë qejfin e fëmijës ia kthej:”Engjellusha ime, moj, po nesër fillon dasma tjetër”.

 Nuk do të doja ta kritikoja argëtimin e matur në këto dasma, po le të kujtohemi. Jetojnë pranë nesh ata që dje kishin të vrarë, të plagosur, me eshtra të pagjetur, të përdhunuar, të djegur, pleq, fëmijë, të sëmurë.

E policia…e heshtur. E gjyçi …i përgjumur. Kush do ta mbrojë këtë popull?  “Shtet do të thotë mbrojtje”thoshte Dë Goli.

Lum si ne që dimë të argëtohemi pa kufi! Se po të argëtoheshim brenda kufijve, më mirë do t’i kishim punët. Kështu nuk ka çka na bën as Amerika. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat