A ka edhe më tej gisht sigurimi serb në zbrazjen e Kosovës?!

Opinione

A ka edhe më tej gisht sigurimi serb në zbrazjen e Kosovës?!

Nga: Zeqir Bekolli Më: 9 shtator 2017 Në ora: 13:11
Ilustrim

A janë edhe më tej disa agjenci “turistike”, që ruajnë kontinuitetin e bashkëpunimit me organet e sigurimit serb për zbrazjen e Kosovës dhe ku janë organet tona të sigurisë, që i lejojnë të veprojnë në këtë mënyrë? Ose pse nuk u ndalohet veprimtaria e dyshimtë këtyre agjencive, kur dihet qartë se trafikimi me njerëz gjithkund në botë cilësohet vepër kriminale dhe ndiqet penalisht?

Vala e re e largimeve ilegale nga Kosova na i përkujton valët e largimeve pas viteve të nëntëdhjeta kur dhjetra autobusë parkoheshin para Pallatit të “Rilindjes” dhe nëpërmjet Serbisë deportoheshin në Perëndim. Aso kohe ishte e pamundur të ndërmerrej diçka, sepse Kosova ndodhej nën pushtim të rëndë, pa institucione, kurse këtë valë të spastrimit etnik e udhëhiqnin disa “agjenci” turistike, të cilat komandoheshin nga sigurimi serb, nga sigurimi i armatës serbe, nga institucionet e Serbisë. Në këtë spastrim etnik të Kosovës ishin mjaft aktive Kisha Orthodoske serbe, dhe grupe kriminale të Arkanit dhe ajo e Bertave të Kuqe, me të cilat bashkëpunonin shumë mirë udhëheqësit e disa agjencive “turistike” në Kosovë.

Aso kohe rruga e largimit përshkonte Serbinë, Hungarinë, Çeko-Sllovakinë për të mbërritur në destinacion në Gjermani dhe në shtetet tjera të Perëndimit. Në këto hallka ishin edhe disa individë të cilit mashtronin njerëzit që ndodheshin para rrezikut kolektiv. Ishin të dhimbshme ato pamje atëherë. Nëse ato largime ishin pasojë e përndjekjeve, dhunës dhe persekutimit të përditshëm, që ushtroheshin mbi popullatën shqiptare, në bazë të skenarit të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Serbisë të hartuar enkas për këtë qëllim .

Nëse, dje, Kosova gjendej në atë pozitë të rëndë, gati pa shtegdalje, jo të gjithë mendonin se e vetmja zgjidhje ishte largimi nga vendi. Ishte pjesa tjetër e popullatës e cila kishte vendosur të qëndronte në Kosovë, pavarësisht vështirësive dhe duke sakrifikuar deri në ekstrem, bëri që Kosova sot të jetë e pavarur, me institucione dhe në rrugë të drejtë . Nëse, dje , nuk kishte institucione, sot, Kosova i ka ato. Prandaj shtrohet pyetja : Pse serish ky eksod ilegal? Pse serish iu lejohet këtyre “agjencive” turistike dhe matrapazëve të përfitojnë mbi skenarin për zbrazjen e vendit, që gjenezën e ka në ASHA të Serbisë? Pse nuk iu shikohet historiku këtyre agjencive dhe përse ato lejohen serish të veprojnë si dikur? Apo a janë ato agjenci, që ruajnë kontinuitetin e bashkëpunimit me organet e sigurimit serb si dikur për zbrazjen e Kosovës dhe ku janë organet tona të sigurisë, që i lejojnë të veprojnë në këtë mënyrë? Ose më mirë të thuhet: Pse nuk u ndalohet veprimtaria e dyshimtë këtyre agjencive, kur dihet qartë se trafikimi me njerëz gjithkund në botë cilësohet vepër kriminale dhe ndiqet penalisht?

Është e qartë se Kosova ballafaqohet me krizë ekonomike, por jo në shkallën e pas viteve të nëntëdhjeta, kur bëhej përndjekje masive. Meqë është kështu, kërkohet ndërgjegjësimi i popullatës, reagimi i asaj shtrese e cila sakrifikoi dje, për t’u përballur me këtë plagë, për t’i dhënë fund largimit masiv ilegal dhe spastrimit të Kosovës. Kontribut në këtë drejtim mund të jap secili individ, familje, e sidomos institucionet e arsimit shkollat dhe universitetet.

Kosova gjendet në rrugë të mbarë. Koha po punon për Kosovën dhe ne duhet t’i përvjelim lëre ta ndërtojmë Kosovën sepse perspektiva jonë ndodhet në vendin tonë të lindjes. Mjaft më me mërgim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat