31 ditë të qeverisë së varur nga Lista serbe

Opinione

31 ditë të qeverisë së varur nga Lista serbe

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 9 tetor 2017 Në ora: 07:50
Qeveria PANA-Lista serbe

Po bëhen një muaj që nga konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë së re. Qeveria e re e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj përgjatë një muaji të funksionimit të saj nuk njohu ditë të mira sa i përket fushës së diplomacisë ndërkombëtare. Kosova sivjet nuk aplikoi për t`u anëtarësuar në dy organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, INTERPOL dhe UNESCO. Kjo tërheqje e qeverisë së Kosovës, u kritikua mjaft nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, pavarësisht se të njëjtit treguan se gjasat për anëtarësim nëse do të aplikonte Kosova do të ishin të vogla. Gjithë kjo, për shkak të diplomacisë gati se të dështuar të dy ish ministrave të Punëve të Jashtme të qeverisë së kaluar, Enver Hoxhaj e Hashim Thaçi.

Tërheqjen nga aplikimi për INTERPOL dhe UNESCO, Kryeministri Ramush Haradinaj, duket se e bëri për t`ua mbuluar partnerëve të tij të koalicionit, përkatësisht PDK-së “turpin”, për mos lobimin sa duhet të Kosovës për t`u anëtarësuar në arenën ndërkombëtare.

Në anën tjetër, Serbia e cila dirigjon partnerin tjetër, qeverisës të Haradinajt Qeveri, Listës serbe,  përshëndeti tërheqjen e aplikimit të Kosovës në këto dy organizata ndërkombëtare.

Por, Lista serbe vazhdon të ndikojë edhe në raste të tjera brenda Qeverisë së Kosovës. E njëjta, deklarohet vazhdimisht kundër formimit të Ushtrisë dhe kundër formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe me ndryshime e kërkuara nga Kushtetuta e vendit.

Kryeministri Haradinaj, harroi presionin që Beogradi ia bëri Francës për ta mbajtur ta ekstraduar. Në momentin e parë që i erdhi mundësia, i njëjti ju bashkua PDK-së dhe Listës së dirigjuar nga Beogradi. Në gjithë këtë situatë, shpresat më të mëdha të qytetarëve të Kosovës, duhet të mbështeten në rolin e opozitës, e cila qysh në fillim të mandatit ka nisur të reagojë për veprimet e Qeverisë së sapoformuar në bashkëpunim me Listën serbe.

Vite më parë, ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që kundërshtoi në forma të ndryshme “pazaret”, për Kosovën. Ajo ia hapte sytë qytetarëve lidhur me atë po ndodhë prapa “perdeve të politikës”.

Kjo parti së bashku me LDK-në, duhet të veprojnë kësisoj edhe në këto momente mjaft kritike për vendin. Fati i qytetarëve të Kosovës, nuk duhet të mbetet peng i një Liste që Kosovën nuk e njeh pa prapashtesën “Metohije”.

Madje, është mjaft dëshpërues fakti se Ministra të kësaj qeverie vazhdojnë ta përdorin këtë term, duke mos e përfillur faktin se Kosova është shtet i pavarur.

Habitë edhe fakti se si Ramush Haradinaj pranoi të qeverisë së bashku me të njëjtit Ministra e anëtarë të tjerë të Listës serbe. Të mos flasim pastaj për një Ministër të akuzuar publikisht nga qytetarët për krime e tortura gjatë luftës, të cilin Haradinaj nuk po ka guxim ta shkarkojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat