Arsyet pse duhet të hetohet SHIK-u?

Opinione

Arsyet pse duhet të hetohet SHIK-u?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 26 tetor 2017 Në ora: 13:08
Kadri Veseli

Rezultati i zgjedhjeve të 22 tetorit nxori Lidhjen Demokratike të Kosovës si partinë më të madhe në vend. Betejat në balotazhe do të jenë sfidë e radhës për këtë parti. 19 nëntori do të jetë dita kur partia e drejtuar nga Isa Mustafa pritet ta përforcoj pozitën e parë në listën e partive politike në vend, varësisht nga numri i komunave që fiton.

Ata që sollën ndryshimin brenda LDK-së janë deputetët e rinj, të cilët edhe në Kuvendin e Kosovës po tregohen të zëshëm me kritikat e tyre kundrejt Qeverisjes aktuale e po ashtu ndaj Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.

LDK po tregon sinjale se do ta përkrahë edhe idenë për hetimin e ish Shërbimit Informativ të Kosovës, SHIK me anë të një komisioni hetimor në Kuvendin e Kosovës.

“Kadri Veseli është në panik dhe e ki një problem, e para do të mbahesh mend për dy çështje, seni i parë që do të mbahesh mend është se ke qenë shef i SHIK-ut dhe si shef i SHIK-ut si organizatë kriminale, të pëlqeu ose jo njerëzit e tu janë dënuar me nga 25 vjet për vrasje. E dyta, ti do të mbahesh mend që e ke sjellë PDK-në prej një partie të madhe në një grusht deputetësh, krejt këta janë duke qeshur me ty, s’po guxojnë me të thënë, për neve është shumë e mirë, këtu të asistojmë. Problemin me ty e kam Kadri kur ti din me falimentu Kosovën, qaty s’mund të pajtohem me ty”, ka thënë Deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku në seancën e Kuvendit.

SHIK-u duhet të hetohet. Dosjet duhet të hapen dhe akuzat e bëra për vite me radhë ndaj kësaj organizate duhet të vërtetohen. Një Vetting në politikë e ka kërkuar edhe vet kryetari i Kuvendit dhe ish shefi i SHIK-ut Kadri Veseli. Të tjerët kanë dhënë mendimin se Vettingu duhet të fillojë me propozuesin e tij, me vet Kadri Veselin.

Ky është një propozim i drejtë meqë Veseli u akuzua, që si drejtues i SHIK-ut është në dijeni edhe për vrasjet politike që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë.

Fatkeqësisht, institucionet e drejtësisë nuk e kanë bërë asgjë sa i përket zbardhjes së vrasjeve politike. Nuk mund të pritet një veprim i Prokurorisë, nga një prokurorë që personalisht hetohet se ka falsifikuar diplomën e jurispodencës.

Vrasjet e pasluftës nuk mund t`i hetojë një Prokurori e cila ka 4 vite që ka lënë në gjysmë hetimet për vrasjen e ish veprimtarit të LDK-së Xhemajl Mustafa. Faza preliminare e këtyre hetimeve po vazhdon. Në të njëjtën kohë po vazhdon edhe heshtja për vrasjet e tjera politike që kanë ndodhur në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat