SHIK-u dhe e vërteta

Opinione

SHIK-u dhe e vërteta

Nga: Faton Mehmeti Më: 28 tetor 2017 Në ora: 10:46
Faton Mehmeti

Debati i fundit që shpërtheu në Kuvendin e Kosovës ne mes Kadri Veselit dhe Lumir Abdixhikut, ngre në vetvete diskuptimin për mbizotërimin e të vërtetës dhe gënjeshtrës. Së pari të rikujtojmë se deputeti nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Kadri Veseli do të mbahet mend për ty gjëra. Sipas tij, e para që ka qenë kryetar i SHIK-ut dhe e dyta që e ka sjellë PDK-në në një parti të vogël. Kjo pasoj me reagimin e Kadri veslit, i cili u  mundua të mbroj diellin me shoshë. Derisa të gjithë e dinim se Kadriu po gënjen përballë të vërtetës duhet thënë se në këtë përballje të shqiptarëve mes gënjeshtrës dhe të vërtetës gjithnjë po merr terren gënjeshtra që është pjesë e barazvlefshme me krimin dhe depërtimin e tij në politikë dhe veshje me pushtet në çdo nivel. Është një përballje e madhe dhe që ka nevojë të shpërbëhet në një “luftë” pa ideale ku i drejti dhe idealisti nuk ka vend në mes të një shoqërie që e gjen zgjidhjen e jetës tek llumi dhe mashtrimi.

Në çdo hap, sa të dalësh nga shtëpia mendon se si t’ia arrish të sigurosh një punë dhe të marrësh pak para për tu ushqyer, palë pastaj të mendosh se si do i vejë halli fëmijëve që rriten e rriten dhe nuk kanë ëndrra, por janë edukuar me mashtrimin, janë ngopur me gënjeshtrën dhe janë nervozuar me këtë realitet bastard dhe zullumqar që nuk ka asnjë besim tek askush duke humbur edhe besimin tek Zoti si brumosje shpirtërore nga të ashtuquajtura besime me gënjeshtra.

Është një realitet që shqiptarët kërkojnë të shkëputen jo duke e ndryshuar këtë realitet, por duke ikur nga ky realitet, veç të shpëtojnë nga një skëterrë në çdo drejtim.

Ka shumë gjëra të jashtëzakonshme, por asnjë nuk është më e mrekullueshme se njeriu, thoshte Sofokliu. I jashtëzakonshëm në kuptimin që ai është  i mrekullueshëm dhe monstruoz në të njëjtën kohë. Njeriu është një kafshë politike dhe shoqëria i jep atij të gjithë përbërësit  e domosdoshëm për ndërtesën e besimeve dhe mënyrave të sjelljeve.

Më kujtohet një opinion i një gazetari italian që tha se edhe ne në Itali kemi mafian, se krimi nuk ka nacionalitet, por për ne, të huajt, është e pakuptueshme një gjë: mafia është e padukshme dhe policia dhe shteti ynë lufton e vritet me një gjë të padukshme. Kurse këtu te ju, krimi, mafia janë të dukshme, kanë zaptuar një popull dhe ju nuk i mundni dot.

Nëntoka kriminale me politikanë të nivelit të lartë do të qëndrojnë dhe do të sundojnë mbi ligjin gjithmonë,derisa Kadri Veseli mbetet në pushtet. Këta e quajnë veten MBRETËR e sundimtarë, dhe që po mendojnë se gjithmonë munden që t'ia arrijnë qëllimit duke kërcënuar e duke shantazhuar të tjerët, të cilët dëshirojnë drejtësi. Sipas meje,  nëntoka kriminale është kalitur dhe ngulitur në politikë, pasi përmes pozicioneve politike dhe pushtetit i krijojnë vetes privilegje, ku përmes ndikimit në organet e rendit dhe ato të gjyqësisë i krijojnë vetes mbrojtje nga ndjekjet ligjore. Por, do të vjen koha që e vërteta të mbizotëroj, atëherë do binden edhe ata pak që ende nuk e kanë kuptuar të vërtetën. Por mbi të gjitha do çlirohet Kosova nga këta matrapazë, e vërteta i duhet Kosovës përballë gënjeshtrës që e ka kapluar.

SHIK-u i Kadiut është errësira nga e cila Kosova do të çlirohet, por asnjëherë s`do të jetë e ardhmja e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat