Jep dorëheqje, Kadri Veseli!

Opinione

Jep dorëheqje, Kadri Veseli!

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 28 tetor 2017 Në ora: 12:51
Kadri Veseli

Kadri Veseli ka pohuar vet se ka qenë në krye të SHIK-ut. Kolegu i tij në SHIK dhe Kuvend, Xhavit Haliti, e mohon të këtë qenë Kadriu në udhëheqje të SHIK-ut. Por, ai nuk jep ndonjë emër tjetër, për drejtimin e SHIK-ut. Pse e gjithë kjo lojë e mjegullnajë?!

SHIK-u i krijua në Tiranë nën instruktimin e Sigurimit Shqiptar, LPK-së dhe dy "lojëtarë" anësor, UDB-a e Serbisë dhe Sigurimi sekret francez. Qëllimi bazë ishte marrja e pushtetit, duke luftuar kundërshtarët politikë, brenda Kosovës, qoftë edhe me eliminim fizik.

Kadri Veseli ka pranuar se  SHIK-u kishte 92 anëtarë. E vërteta është se SHIK-u ka mijëra anëtarë. Financimi i tij ka qenë dhe mbetet supërkriminal. SHIK-u as nuk e ka përgjuar armikun, Serbinë dhe as nuk e ka luftuar atë. SHIK-u është marrë me përgjimet, ndjekjet, rrahjet, kidnapimet, maltretimet, burgosjet e deri edhe me vrasjet e kundërshtarëve politikë shqiptarë. SHIK-u ka administruar burgjet dhe nuk është trazuar dhe as penguar nga Serbia, edhe pse ajo ishte në dijeni, për gjithëçka ndodhte në Kosovë.

Deklarata e Kadri Veselit në Parlament, në përgjigje të akuzës të deputetit brilant të LDK-së, Lumir Abdixhikut, më 25 tetor 2017, se "nëse është dënuar, qoftë edhe një anëtar i SHIK-ut për vrasje, unë jap dorëheqje nga kreu i Kuvendit", është sa skandaloze, aq edhe tallëse me shqiptarët. Opinioni shqiptar, madje, i kudondodhur, tashmë, është në dijeni se në prag lufte, përgjatë lufës dhe pas luftës, ka ekzistuar dhe ka vepruar, përgjakshëm, një oranizatë ilegale, e jashtëligjshme, kriminale e terroriste, me emrin SHIK (Shërbimi Informativ i Kosovës).

(Akuza e Veselit, për Abdixhikun, se ai e ka mendjen andej Presheve, pra, në Serbi, është adresë e gabuar. Votat nga Serbia i erdhën Kadrisë dhe jo Lumirit. Edhe projekti  SHIK-ut të Veselit, nga Serbia ka ardhur.)

Emërtimi është i natyrshëm, sepse një organizëm i tillë është normal për çdo shtet. Por, ky institucion është kudo legal, i ligjshëm, me personel drejtues dhe seli të njohur. Ndërkohë, SHIK-u i Kosovës, qysh në nismë, ndryshon nga misioni që kanë shërbimet informative të ligjshme të vendeve të tjera. Misioni i SHIK-ut, në vend të hulumtimit të informacioneve për armikun, u përcaktua për goditjen e kundërshtarëve politikë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, nga një grup njerëzish, që ishin në shërbim të SHISH-it shqiptar dhe të UDB-së, alias, BIA-s të Serbisë.

Hartimi i listave të SHIK-ut, të bëra nga një shtab dhe hiç më pak se Shtabi i Përgjithshëm të UÇK-së, është shumë domëthënës. Rrjedha e ngjarjeve përgjatë luftës, e dëshmon qartë misionin kundra-kombëtar të LPK-së, të SHISH-it shqiptar, infiltrimin e Shërbimit Informativ të Serbisë, me aleatët e saj, për ta sabotuar luftën në Kosovë, duke intriguar deri në vëllavrasje ndërshqiptare. 

Atë që bëri Ibrahim Rugova me Anton Çetën dhe me atdhetarët tjerë, pajtimin e gjaqeve në vitet 1990-a, tani, e zhbënte  SHIK-u, në prag të viteve 2000-a, për ta vazhduar edhe më pas. Shkarkimi i Kryesisë së vjetër të LPK-së, futja nën kontroll nga Tirana zyrtare social-komuniste e LPK-së, të gazetës të saj, "Zëri i Kosovës", Fondin "Vndlindja thërret", arriti t`i kanalizojë edhe veprimet, që duhej t`i bënte LPK-ja mëtej. Në mënyrë të njëanshme prishi Marrëveshjen e Osllos, duke e ndarë faktorin ushtarak të Kosovës; ekzekutoi Ministrin e luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, në mes të Tiranës; filloi ndjekjen dhe vrasjen e ushtarakëve të FARK-ut, (Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës), duke i pushtuar, përgjakshëm, kampet ushtrimore ushtarake, të organizuara nga Ministri Krasniqi; duke vrarë kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së.

Rrjedhimisht, SHIK-u e sabotoi dhe e dështoi luftën në Kosovë. UÇK-ja, tashmë, e SHIK-ut, e proklamuar me aq bujë e pompë, nuk arriti kurrë të futet në luftë, si një organizim i mirëfilltë ushtarak, nuk zhvilloi asnjë betejë kundër atmikut. Disa individë e grupe të SHIK-ut, provokuan disa pika policore. Kundër-përgjigjia e policisë serbe ishin masakrat masive, ndaj popullatës shqiptare. Dhe, e gjithë kjo ishte, paraprakisht, e planifikuar nga SHIK-u dhe tutorët e saj SHISH-i dhe UDB-a.

Dhe, po të mos ishte organizimi ushtarak FARK, me UÇK-në e tij, të cilën, profesionalisht, e vuri në lëvizje e veprim, askush në Kosovë dhe botë, nuk do të kishte fytyrë, për të përmendur as luftë dhe as UÇK-e. Kjo është e vërteta e faktuar. Të gjitha të tjerat janë sajime propagandistike, lehaqene alla komuniste, enverhoxhiste, gënjeshtra e falsifikime, mashtrime, broçkulla, pallavra të SHIK-ut.

SHIK-u është një organizatë-bandë e madhe, kriminale e terroriste: 

1) Themi kriminale, se ka ekzekutuar, të paktën, 1.820 shqiptarë të pafajshëm: ushtarakë luftëbërës të FARK (UÇK-së); bashkëpunëtorë të Ibrahim Rugovës; veprimtarë të LDK-së; kuadro të hershëm të LPK-së, të cilët kundërshtuan veprimet kriminale të SHIK-ut. Ka vrarë edhe anëtarë të SHIK-ut, ekzekutorë të kuadrove të LDK-së, për të humbur gjurmët e krimit: ekzekutorin e Komandant Drinit (Ekrem Rexhës), shefin e grupit ekzekutues të Avokat Shaban Manaj, tre pjesëmarrësit e grupit atentatorë të Fetah Rudit, Heroi i gjallë i Kosovës, i cili e mbijetoi atentatin, por mbeti në karrikën invalidore.

Ka edhe raste të tjera të kësaj natyre. Vetëdenoncimi publik i anëtarit të SHIK-ut, Nazim Bllaca, është rrjedhojë e zbulimit të njeriut, të paguar nga SHIK-u, më 200 mijë marka gjermane, për ta vrarë Bllacën. Gjuajta me granatë nga SHIK-u, në shtëpinë e anëtarit të SHIK-ut, Naim Miftarit, pas denoncimit të veprimtarisë vrastare të SHIK-ut, është një dëshmi tjetër kriminale e vrastare e SHIK-ut. Disa nga të dërguarit në plojën e Kumanovës, vitin e shkuar, janë planifikuar, nga SHIK-u, të mos kthehen të gjallë në Kosovë. Dhe, kjo është bërë për të humbur gjurmë të krimeve vrastare të SHIK-ut

2) Themi terroriste, sepse ekzekutimet e zhurmshme, me armë të rënda, në mjeside të populluara, kanë terrorizuar shqiptarët. Pastaj, rrahjet masive publike, kidnapimet, maltretimet, burgjet çnjerëzore, deri në mbytje e fshehje të kufomave, rasti i mbytjes dhe djegies të kufomës të Shaban Manaj, kuadër i LDK-së, na një grup i SHIK-ut, në Ozdrim të Drenicës dhe e gjithë sjella e tyre kriminale e rrugaçërore ka qenë terror.

Ky terror shtrihej edhe në Shqipëri, në Portin e Durrësit, ku "Shqiponjat e zeza", degëzim kriminal i SHIK-ut, dje të dënuar me burg për - Krime vrastare kundër njerëzimit"-, sot deputetë në Parlamentin e Kadri Veselit!!! Kriminelët e SHIK-ut u konfiskonin pashaportat mërgimtarëve, pse kanë paguar në Fondin shtetëror legjitim 3%-in dhe jo në Fondin jolegjitim "Vendlindja thërret" . Moteli "Drenica", tej "Urës së Dajlanit", në plazhin e Durrës, ishte baza e SHIK-ut kriminal. 

SHIK-u terrorizonte, në vijimësi, personelin e Përfaqësisë të Kosovës ose Zyra e Kosovës, duke i kërcënuar me letra të llojit: "Për veprimtari armiqësore kundër popullit të Kosovës, jeni të dënuar me vdekje. Në rastin e parë të mundshëm, do të ekzekutoheni. SHP i UÇK-së". Ishte ky kërcënim, që njëri nga shefat e Përfaqësisë të Kosovës, u largua nga Tirana. SHIK-u vepronte edhe në Diasporë. Shantazhet e kërcënimet telefonike, sidomos përgjatë natës, me presionin "për t`u larguar nga LDK-ja, ose UÇK-ja ju ekzekuton", kanë qenë bërë problem edhe për policinë e vendeve strehuese të shqiptarëve. Kriminelët e SHIK-ut i përdornin telefonat publikë, të vendosur në rrugë.

Janë shumë qindra anëtarë të SHIK-ut të arrestuar, për krimin e torturës, të vrasjes, madje, edhe të vrasjeve masive. Prej tyre, disa dhjetra militantë të Organizatës kriminale e terroriste SHIK, janë dënuar me kohëzgjatje të pakët e qesharake, edhe pse krimi i vrasjes është kryer ngeshëm e me dashje, paramendim, siç përdoret në fjalorin e drejtësisë. Por, ka anëtarë të SHIK-ut, të dënuar deri me 30 vjet burg, për krimin vrastar. Tashmë, opinioni është i njohur për proceset dhe dënimin e banditëve të SHIK-ut: E para, banda e Dukagjinit; e dyta, banda e Llapit; e treta, banda e Drenicës. Janë dënuar edhe kriminelë të tjerë të SHIK-ut, si në procesin Bllaca 1 dhe 2. Leshataku "për ibret", Fahrudin (Faruk) Gashi me shokë, të gjithë SHIK-as të rreshkur.

SHIK-u, si organizatë e krijuar nga LPK-ja, SHISH-i dhe UDB-a, është tipik organizim komunist, stalinist, metodë sovjetike, e Luftës së Dytë Botërore. SHIK-u i ka lëshuar disa libreza, me emërtesa kamufluese, por, që, ka vetëm një shtab dhe një qëllim: me i vra kundërshtarët politikë, për të ardhur në pushtet.

Nazim Bllaca ishte anëtar i SHIK-ut, ishte i pajisur edhe me librezë të SHIK-ut, të cilën e shpërfaqi para kamerave televizive. "Çdo anëtar i SHIK-ut duhet me vra", i kishte thënë shefi i tij, kuadri i lartë i SHIK-ut, Azem Syla, kur ia kishte dhënë armën "skorpion", për ta vrarë një person. Dhe, Nazmiu e ekzekutoi atë, në prezencën e familjes. Bllaca e pranoi krimin, si SHIK-as, i mashtruar nga shefi i tij, sikur po bën vepër patriotike, u dënua me burg, duke i kërkuar falje, në gjyq, familjes të viktimës. "Por, kam zbatuar urdhrin e shefit tim, të organizatës time - SHIK".

E gjithë kjo, tashmë, është e faktuar dhe publike. Zoti Veseli, keni premtuar publikisht se nëse SHIK-u ka vrarë, "unë jap dorëheqje nga kreu i Kuvendit". Atëherë, jep dorëheqje, Kadri Veseli, nëse të ka mbetur një fije burrërie!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat