“Rruga qorre” e Demarkacionit me Malin e Zi

Opinione

“Rruga qorre” e Demarkacionit me Malin e Zi

Nga: Mimozë Lakna Më: 30 tetor 2017 Në ora: 15:47
Mimozë Lakna

Kosova ende nuk ka zgjidhje për çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e zi. Komisioni i formuar së fundi po bën punën e tij në terren. Madje, ky Komision thuhet se ka nxjerrë të dhëna të papublikuara më herët, sa i përket kauzës e cila u bë shkaktare e ngecjes së shumë proceseve në Kosovë duke përfshirë këtu edhe çështjen e liberalizimit të vizave. Ende nuk dihet se a do të merren parasysh këto të dhëna, pasi Mali i zi veçse ka miratuar Demarkacionin me Kosovën në parlament kurse, ndërkombëtarët vazhdojnë ta mbështesin versionin aktual mbi të cilin edhe u nënshkrua marrëveshja në Vjenë, në gusht të vitit 2015.

Në drejtim të Kosovës, vazhdimisht vijnë mesazhe se çështja e kufirit me Malin e zi duhet të zgjidhet sa më shpejt. Madje, në këtë pikë mbështetet versioni aktual i Demarkacionit.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, gjatë vizitës në Kosovë javën e kaluar, i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe t'i hapë rrugën përfitimeve që do të kishin qytetarët duke lëvizur pa viza në Evropë.

Edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi përkrah miratimin e marrëveshjes me Malin e zi të cilën e ka nënshkruar vet. Madje, deklaratat e tij bien në kundërshtim me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili edhe ka formuar Komision të ri për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ramush Haradinaj, ka deklaruar se çështja e demarkacionit të Kosovës me Malin e zi, mund të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Por dërgimi i çështjes në arbitrazh ndërkombëtar po konsiderohet i pamundur, duke marr parasysh se Mali i zi nuk ka interes për një gjë të tillë. 

Në gjithë këtë situatë, ata që po pësojnë më së shumti janë qytetarët e Kosovës, të cilët nuk kanë të drejt lëvizjeje pa viza nëpër vendet evropiane, ashtu si shtetet e tjera të Ballkanit.

Ndryshe, Kryetari i rizgjedhur i Pejës, Gazmend Muhaxheri, duke marrë për bazë kadastrën e Komunës së Pejës, ka qenë pro raportit të ish Komisionit shtetëror. Pavarësisht kësaj mbështetjeje për raportin e nxjerrë nga Komisioni i Murat Mehës, Gazmend Muhaxheri arriti t`i fitojë mbi 50 % të votave më 22 tetor duke u rizgjedhur kryetar i kësaj Komune. Qytetarët nuk e ndëshkuan Muhaxherin për çështjen e Demarkacionit me Malin e zi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat