Demarkacioni si “mollë sherri” për ngritjen dhe rënien e qeverive të Kosovës

Opinione

Demarkacioni si “mollë sherri” për ngritjen dhe rënien e qeverive të Kosovës

Nga: Nehat Hyseni Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 17:35
Nehat Hyseni

“Patriotizmi” i afishuar i Ramush Haradinajt dhe partisë së tij të vockël, që u deklarua më shumë zhurmë e demonstrim muskujsh, rreth përcaktimit të vijës kufitare, apo demarkacionit të kufirt me Malin e Zi, sa duket, rezultuan me katapultimin e tij në postin e kryeministrit.

Kësaj pune i thonë, sipas fjalës së urtë popullore, se Ramushit i duhej një “kali”, për ta kaluar lumin, apo hendekun e stërmadh politikë që e ndante nga ky post, dmth nga karriga e kryeministrit.

Pra, demarkacioni e bëri Ramushin edhe më patriot dhe më të besuar, sidomos tek popullata, apo sipas fjalorit pragmatik të politikbërjes kosovare, tek votuesit e Dukagjinit, meqë ky i “doli zot” tokës së Kosovës duke zbuluar se “kufiri është në Çakorr” dhe se Kosovës i është bërë e padrejtë meqë po i mirren reth 8 mijë e dyqind hektarë territor, etj.

Sa lezet ka politika kosovare, sepse ke mundësi që vazhdimisht, kur e ke punën pisk e të nevoiten vota për t’u bërë më i fuqishëm dhe më i madh politikisht, mjafton që të tregohesh më patriot dhe kryhet puna dhe arrihen pretendimet e synuara politike.

Por, sa duket, Ramush Haradinajt dhe partisë politike të tij, kjo llogaritje e tij po del se është bërë “pa hanxhiun”. Me denek, atij nuk po i përputhet “pazari i shpisë me atë të çarshisë”.

Sepse, po na del puna se më lehtë është të akuzosh të tjerët për tradhëti se po i falin territor të Kosovës Malit të Zi, se sa të dëshmosh me fakte një gjë të tillë! Madje edhe më keq dhe më zi na doli puna se që e kishte parashikuar Haradinaj dhe “ekspertët” e tij, se poqese nuk pajtohet Mali i Zi për ta pranuar këtë “gabim”, që përpos shkencëtarëve dhe alamet profesorave të tij, askush nuk e kishte vërejtur as nga pala kosovare, se çështjen do ta çoj në arbitrazh ndërkombëtar.

Por, dreq o punë, po na del se kjo çështje nuk ka mundësi të dërgohet në arbitrazh, meqë Republikës së Kosovës nuk po iu njihka subjektiviteti shtetëror ndërkombëtar, meqë akoma është valide Rezoluta 1244, etj.

Ndërkaq, BE ja intensifikuar trysninë që sa më parë të ratifikohet vija ekzistuese e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, edhe ate më së largu brenda dy muajve, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen për parlamentin europian.

Kështu, Kosova realisht është duke rrezikuar liberalizimin e vizave, që është i kushtëzuar definitivisht nga BE me ratifikimin e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës.
Prandaj, Ramushi është mbështetur për muri duke u rrezikuar që të diskreditohet politikisht, duke iu kthyer si bumerang pikërisht sjellja e tij e deritanishme dhe këmbëngulja e tij politike, që shkaktoi bllokadën e punës së Kuvendit të Kosovës në maj të këtij viti dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonëshme parlamentare më 11 qershor 2017, që e sollën ate në pozitë qeverisëse me PDK-në dhe Nismën dhe në postin e kryeministrit të Kosovës.

Por, tani kanë filluar të notojnë në sipërfaqe të “palarat”
dhe pasojat politike të koalicionit joparimor qeverisës të PAN-it, meqë AAK dhe Nisma janë kundër, kurse PDK është për miratimin e demarkacionit ekzistues.

Kurse, Vetëvendosja mbetet e vendosur kundër dhe LDK mund t’i hakmerret pikërisht në këtë çështje PAN-it, duke votuar kundër, apo edhe duke e lëshuar sallën në momentin e votimit, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, që e bënë të pamundur miratimin e tij, meqë nevoitet shumica e kualifikuar ose 2/3 e deputetëve, dmth 81 vota “për”.

Gjithsesi, AAK dhe Ramush Haradinaj, që realisht ishin përfituesit më të mëdhenjë të prishjes së koalicionit paraprak qeverisës PDK-LDK, me prishjen e koalicionit PAN, ata do të jenë humbësit më të mëdhenjë!

Sigurisht se AAK-së do i konvenonte që LDK dhe PDK, “Nisma” dhe minoritetet të votonin pêr demarkacionin dhe ai të mbetej edhe më tutje në postin e kryeministrit, por kjo duket se do të jetë e pamundur.

Mbase, verzioni më i pritshëm i zhvillimeve politike në Kosovë do të jenë zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare në pranverë të vitit të ardhshëm dhe qeverisja me një koalicion më të natyrshëm dhe më parimor e më stabil, i cili nuk do lidhej vetëm me ambiciet personale të liderëve, por të mbështetur në parime programore dhe në vlerat reale që ata përfaqësojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat