Muri i Berlinit dhe rugovizmi

Opinione

Muri i Berlinit dhe rugovizmi

Nga: Faton Abdullahu Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 10:59
Faton Abdullahu

Shembja e Murit të Berlinit është nga ato ngjarjet që e ndan historinë e Evropës në kapituj të ri. Ky rrëzim i një barriere të përçudnume sa edhe vetë ideologjia që e çimentoj atë, ishte rilindje, shpresë, ilimunizëm i ri evropian. Në ato kohëra kruciale për fatet e shqiptarëve, sidomos të Kosovës e cila do të ndodhet në zgrip të ekzistencës, heqja dorë nga ideologjia komuniste dhe lidhja me liberal-demokracinë për shqiptarët ishin vendimtare, jetike.

Sikur kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi dhe shkëputje nga Jugosllavia të mbeteshin ende me ngjyrime ideologjike komuniste, liria jonë do të prolongohej shumë, sakrificat dhe vuajtjet tona do të ishin larg më tragjike, nuk do të kishim miq të vërtetë, mirëkuptimi nga perëndimorët do të mungonte, për më keq, do të kthehej në injorim e ndoshta edhe ndëshkim, 'ngjyra e kuqe' do të vazhdonte të ishte mortajë antishqiptare. Në ato rrethana mendimi politik shqiptarë kishte hamendësi konceptuale për përmbajtjen dhe formën e aspiratave tona jo vetëm politike për fatin e Kosovës. Ishim në rrezik të mbeteshin edhe një herë në anën e keqe të historisë dhe me miq të këqij.

Rikompozimi në formë e përmbajtje i kërkesave tona për liri e pavarësi të Kosovës, ridefinimi i mendimit politik shqiptarë në Kosovë bëri që ti kthehemi përmbajtësisht botës evro-perëndimore, bëri që Evropa ta kuptoj gjuhën shqipe, sepse pas rrëzimit të Murit të Berlinit edhe ne folëm me gjuhën e demokracisë dhe tashmë edhe me gjuhën antikomuniste. Ndoshta duhet të kaloj ende kohë për të gjykuar esëll e pa preferenca klanore apo partiake, por ata që e njohin mirë këtë periudhë, pra atë të pas Murit të Berlinit, duhet me patjetër ta kuptojnë dhe lavdërojnë tej mase rolin e liderit të këtij ndryshimi konceptual, rolin e Ibrahim Rugovës.

Thelbi i rugovizmit nuk është te kërkesa për pavarësi të Kosovës apo shkëpuitja nga Jugosllavia të cilat ishin bërë shumë vite më herët, por te rirreshtimi konceptual përmbajtësor i tyre, te bërja e kësaj kërkese mbi parimet e reja kompatibile me ndryshimet revolucionare në Evropën Lindore. Pa këtë ndryshim ne do të rrezikonim substancën tonë, ndoshta ne do të vazhdonim të kërkonim aleatë tek majtistët apo neokomunistët evropian apo komunistët rus, kurd, apo kinez apo te islami politik. Ai dhe të tjerët rreth tij e bënë këtë kapërcim jetik. Rugovizmi ishte antikomunizëm i parë në hapësirat shqiptare, Rugovizmi ishte gjithashtu evropianizim dhe uesternizim i mendimit politik shqiptarët dhe i vullnetit jo vetëm politik të shqiptarëve të Kosovës.

Rugovizmi ka thyer më herët se kushdo tjetër kufirin Kosovë – Shqipëri. Për djathtistët, për antikomunistët, për demokratët shqiptarë, gjithandej në hapësirat shqiptare, shënimi i rrëzimit të Murit të Berlinit më së miri bëhet me një lule në varrin e njeriut që kurrë nuk e ngriti zërin në bërtim - por i cili bëri që kërkesat e popullit të tij të kuptohen më mirë se kurrë - në varrin e Ibrahim Rugovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat