Të shpëtohet Lugina e Preshevës nga dy qeveritë shqiptare, sepse ajo është “Perlë” e Shqiptarisë!

Opinione

Të shpëtohet Lugina e Preshevës nga dy qeveritë shqiptare, sepse ajo është “Perlë” e Shqiptarisë!

Nga: Nehat Hyseni Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 16:27
Nehat Hyseni

Lugina e Preshevës, si pjesë e pa ndarë e trungut etnik të shqiptarve në Ballkan, me 1250 km2, paraqet “perlë” të gjeografisë shqiptare, meqë shtrihet në një territor me rëndësi të jashtëzakonëshme gjeostrategjike për rajonin dhe sidomos për Europën Juglindore.

Kam përshtypjen se rëndësia e këtillë e këtij rajoni të banuar me shumicë shqiptare, që aktualisht gjëndet nën regjimin e Serbisë, nuk është duke u kuptuar sa dhe si duhet nga faktori kombëtar, në rend të parë nga Republika e Kosovës, por edhe nga Shqipëria.

Mbase, përjashtim bënë faktori shqiptar në Maqedoni, për shkak të lidhjeve tradicionale dhe pozitës së përshtatëshme gjeografike të Luginës së Preshevës me Maqedoninë, meqë kufizohet me një terren fushor dhe me rrjet të zhvilluar të komunikacionit rrugor e hekurudhor, që përfshihen në Korridorin 10-të dhe në Shkup gërshetohen me Korridorin 8-të, Stamboll-Sofie-Shkup-Durrës.

Ndërkaq, Lugina e Preshevës kufizohet me malet e Karadakut me Republikën e Kosovës, që gjatë së kaluarës ka paraqitur pengesë natyrore për lidhmëri të mirëfilltë rrugore dhe për komunikim me Kosovën.

Por, me meremetimet e rrugëve Bujanoc-Konçul-Gjilan dhe rrugës Preshevë-Muçibabë-Gjilan, është përmirësuar dukshëm infrastruktura rrugore dhe është lehtësuar qarkullimi dhe komunikimi i kësaj pjese të Shqiptarisë me Republikën e Kosovës.

Për shkak se Korridori 10, që përfshinë autostradën E-17 dhe hekurudhën Paris-Athinë, kalon mbi 30 km nëpër territorin e komunës së Bujanocit dhe asaj të Preshevës, dmth të Luginës së Preshevës, që lidhet me Europën dhe nëpërmes Korridorit 8 edhe me rrjetin rrugor të Lindjes së afërt dhe Azisë, realisht kjo pjesë paraqet edhe një “derë” të infrastrukturës rrugore që e lidhë Kosovën, me Europën, Azinë dhe me tërë botën.

Duhet falemnderuar përzemërsisht angazhimin e përkushtuar të Qeverisë Mustafa dhe të kryetarit të komunës së Gjilanit, z.Lutfi Haziri, që arritën ta fusin në agjendë realizimin e autostradës moderne Prishtinë-Gjilan, e cila, nëpërmes Grykës së Konçulit dhe Bujanocit, do e lidhë Anamoravën, Prishtinën, por edhe Prizrenin e Shqipërinë, nëpërmes autostradës “Ibrahim Rugova “ dhe “Rrugës së Kombit”, me Korridorin 10, dmth me Europën e Azinë, por edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të Maqedonisë. Kështu, do të rrumbullakësohet në mënyrën më të mirë lidhmëria rrugore e Luginës së Preshevës me viset shqiptare në Ballkan.

Por, duhet theksuar se, përveç infrastrukturës rrugore, Kosova dhe Shqipëria duhet ta ndërtojnë edhe infrastrukturën institucionale me Luginën e Preshevës.
Prandaj, është koha e fundit që kjo çështje të vihet në rend dite të Mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që është paralajmëruar se do të mbahet më 27 nëntor 2017, në Korçë, themelimi i Fondit Zhvillimor për Luginën e Preshevës, që u paralajmërua me shumë pompozitet medial se do të themelohet qysh nga Mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive, e mbajtur në Prizren.

Por, nga ajo mbledhje, përveç shumës simbolike prej 100.000 eurosh, dmth nga 50.000 euro secila prej tyre, për repartin e Maternitetit në Preshevë, asgjë tjetër nuk është realizuar në dobi të shqiptarve të Luginës së Preshevës, të cilët edhe më tutje mbeten si komuniteti më i diskriminuar në Europë.

Gjithsesi, nevojë urgjente në këtë drejtim është, përveç Fondit Zhvillimor, edhe hapja e Konsullatës së Shqipërisë dhe Zyres së Republikës së Kosovës në Luginë, që do të merreshin me koordinimin e të gjitha aktiviteteve ekonomike, kulturore, arsimore, zhvillimore, politike, etj. me Shqipërinë dhe Kosovën.
Vetëm në këtë mënyrë do të mund të shpëtohet disi dhe të ruhet bërthama kombëtare e shqiptarve të Luginës së Preshevës, e cila, realisht rrezikon të shndërrohet në Çamëri të dytë!

Sepse, problemet e shqiptarve të kësaj ane janë jashtëzakonisht të mëdha, sidomos pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës më 17 shkurt 2008, meqë prej atëherë Serbia ka ndaluar importimin e librave dhe teksteve e mjeteve mësimore, si dhe shtypit dhe revistave nga Kosova.

Prandaj, arsimi shqip në Luginë të Preshevës është në gjendje katastrofale, pa libra dhe pa mjete mësimore në gjuhën shqipe dhe mësimdhënësit janë të detyruar që. në mungesë të teksteve, të diktojnë, dmth ata janë të detyruar që të aplikojnë metoda mesjetare të cilat nuk përkojnë me shekullin XXI.

Poqese edhe kësaj here, dmth më 27 nëntor 2017, dy qeveritë shqiptare në mbledhjen e tyre të përbashkët në Korçë i mbyllin sytë ndaj problemeve reale të shqiptarve në Luginë të Preshevës, duke mos e vendosur në fokus të prioriteteve të tyre qeveritare, hapjen e përfaqësive të tyre diplomatike e institucionale në Luginë të Preshevës, në kohën kur serbëve të Kosovës u është premtuar themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe shumë, pafundësisht shumë të drejta, madje mbi të gjitha standardet europiane e botërore për pakicat kombëtare, atëherë do bënin krim që nuk do t’ua falë historia!

E lënë pothuajse plotësisht pas dore nga Tirana e Prishtina zyrtare, Lugina e Preshevës sidomos viteve të fundit i është ekspozuar edhe ndikimit të rrezikshëm të ideologjive radikale islamike, që stimulohen dhe mbështeten haptas nga regjimi antishqiptar i Serbisë dhe janë instaluar edhe në politikbërjen shqiptare në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni. Nëpërmes imponimit të tyre në krye të masave të dhunëshme në komunën e Preshevës, Serbia ja arritur që të merr bekimin për kolonizimin e Preshevës me serbë nga Kroacia, Bosna dhe Kosova, si dhe me refugjatë nga At, Suria e Iraku, me të ashtuquajturin Plan Aksional Lokal (2017-2021), të nënshkruar nga Shqiprim Arifi, si “shqiptar i ndershëm” për Serbinë dhe për qëllimet antishqiptare e gjenocidale të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si fraksion politik i Partisë Radikale të Serbisë, të vojvodës çetnik, Vojisllav Sheshel, i cili u gjykua në Gjykatën Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit, në Hagë.

Pra, Lugina e Preshevës duhet shpëtuar nga kthetrat e regjimit antishqiptar të Serbisë dhe shërbëtorëve të saj nga radhët e shqiptarve me ideologji radikale e ekstremiste islamike, që aktualisht kanë marrë obligime dhe janë në shërbim të plotë të misionit serbo-rus për realizimin e projekteve për ndryshimin e strukturës etnike të Luginës së Preshevës, duke e kolonizuar me serbë dhe refugjatë nga Lindja e Afërt dhe ajo e Mesme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat