Më e madhja është dashuria - ta duam njëri-tjetrin

Opinione

Më e madhja është dashuria - ta duam njëri-tjetrin

Nga: Dedë Palokaj Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 14:36
Dedë Palokaj

Dukuria më e veçantë në jetë që duhet shkruar me germën “D” të madhe është dashuria. Problem i përbotëshëm dhe mbarë njerëzorë. Ka lindur bashk me njeriun, qysh kur ai u formua si një qenie e tillë. Një dukuri që më së shumti vlerësohet në jetë e cila vazhdon për derisa të jetoj njeriu. Atëherë ç’është dashuria kjo ndjenjë e fuqishme, e thellë që të lidh ngusht me dikë dhe me diçka që të bën të duash me gjithë zemër e me gjithë shpirt, duke mos kursyer asgjë; miqësinë e thellë, sinçeritetin, çiltësinë, pastërtinë, dëlirësinë, të vërtetën etj. Ç’është, nevoja për të qenë bashkë përherë e të pandashëm? I dashuruari beson lehtë, shpreson, arsyeton dhe duron gjithçka, e mbi të gjitha shpreson gjithmonë. Dashuria, si një nga pasionet më të fuqishme, që e tërheq njeriun drejt ekstremit më tepër se çdo pasion tjetër, mund të shërbejë si gur prove për moralin.

Llojet e dashurisë

Me dashurinë merret etika, estetika, psikologjia, religjioni, sociologjia, në planin biologjik qoftë në atë social edhe seksologjia. Fjalori i gjuhës shqipe nuk është edhe aq i pasur për ta shprehur begatinë e fjalës dashuri. Kur duam ta shprehim virtytin kaq të lartë siç është dashuria, shpeshherë hasim në vështirësi dhe flasim në mënyrë të ngatërrueshme. Sepse gjuha shqipe ka vetëm një fjalë për ta shprehur kuptimin e fjalës dashuri. Dashuria miqësore, prindërore, vëllazërore, dashuria për vajzën, për djalin, për muzikën etj. nuk e ka kuptimin dhe qëllimin e njëjtë. Kur themi: Unë e dua bashkëshorten, fëmiun, ushqimin e mirë, librin, punën, vendlindjen, atdheun, natyrën etj., për gjitha këto jemi të detyruar ta përdorim vetëm një fjalë – fjalën dashuri. Me këtë fjalë e shprehim kuptimin e thënies: Dua. Dua atdheun, muzikën, shokun, mikun, popullin, vajzën ose dua apo s’dua etj. Nuk mund të thuash: unë kam rënë në dashuri me librin. Sado shumë të na tërheq dhe të na pëlqej një libër, nuk mund të dashurohesh në librin. Mund të duash apo të dashurohesh vetëm qenien njerërore, dhe askënd tjetër. Nuk është e njëjta gjë si me dashtë një vajzë dhe si me dashtë një libër. Sepse, atë që ndjej ndaj librit, punës, ushqimit etj.dhe gjërave materiale është krejt tjetër nga ajo që ndjej ndaj fëmiut, bashkëshortës, shokut dhe ndaj Zotit, Krijues.

Në botën e antike, greket për dashurinë përdornin shumë fjalë me kuptime dhe domethënie të ndryshme. Fjalori i greqishtës klasike i njeh mirë shumë fjalë për dashurinë. Shumica e atyre fjalve janë në përdorim edhe sot e kësaj dite ndër ne. Kemi këto lloje të dashurisë: Agape, Filia, Filadelfia, Caritas, Eros, Romantike, Lozonjare, Realiste etj. 

Dashuria agape

Dashuria agape (gr. agape - agape - dashuri), është gostia e përbashkët e të krishterëve të hershem. “Zoti është Dashuri” (1 Gjn 4, 16). Me ardhjen e Krishtit në botë Zoti bëhet të njihet si dashuri (Mk 12. 30 – 31; 1 Gjn  4, 12, 20). Dashuria e përkryer u zbulua në Jezusin. Për dashurinë e Zotit është përdorur thënia e pasur e gjuhes klasike greke, e kjo është fjala agape. Grekët por edhe romakët e kohës antike krahas zhvillimit të artit, ishin edhe mjeshtër të shprehjes të mendimit e të fjalës. Ndikimi i artit të fjalës ishte i madh në gjitha sferat e jetës. Fjalën agape e përdor vetëm Bibla dhe rrallëherë e përdor gjuha greke.

Ekziston një Zot, një Dashuri. Në thelb ekziston vetëm një dashuri. Dashuria e Zotit ndaj njerëzve “Deus est caritas” ose “Deus est agape” është dashuri ideale, dashuri pa kurrfarë të metash. Dashuria agape është dashuri universale e cila nuk njeh kufijë. Kur kemi dashuri kemi respekt dhe pranojmë çdo njeri, falim fajet dhe gabimet e tyre. Dashuria i paraprin gjitha njohjeve tona. Nga kjo përfundojmë se njeriu jetën e vet duhet t’ia kushtojë dashurisë.

Dashuria Agape e tejkalon natyrën e njeriut dhe shkon drejt asaj që njeriu të “harrojë” dhe të mohojë vetveten për qëllime më të larta. Kjo dashuria është më tepër se tërheqja e gjinive mashullore dhe femërore, më tepër sesa dashuria erotike dhe gjitha llojet tjera të dashurisë. Kush jeton sipas kësaj dashurie përherë është aktual dhe gjithmonë ka se çka t’ju jap njerëzve. Dashuria agape i përgjigjet gjitha rrethanave dhe kushteve të njeriut sepse e ka burimin e vet në Krijuesin i cili i pari na ka dashur. Njerëzit të cilët jetojnë sipas kësaj dashurie janë: Shenjëtrit siç ëshë Shën Nëna Tereza, dhe të gjitha nënat e dashura dhe gjithë ata shërbëtor e shërbëtore që dhurohen e që u shërbejn të tjerëve pa interes. Kështu asnjë aspekt i atij që jeton sipsa kësaj dashurie nuk mund të jetë përpjekje e kotë apo kohë e humbur. Dashuria agape është më e fortë se vdekja dhe konsiderohet të jetë çelsi i shpëtimit të njerëzimit. Gjitha llojet tjera të dashurisë përfundojnë sepse janë të përkohshme ndërsa dashuria agape vazhdon edhe pas vdekjes së njeriut dhe mbetët në përjetësi. Të gjitha mbarojnë por “Dashuria nuk mbaron kurrë” (1 Kor  13, 8).

Dashura ndaj nevojëtarëve (caritas)

Dashuria caritas (lat. caritas – dashuri, mëshirë, dhembshuri) është dashuri vepruese ndaj Krijuesit dhe njeriut. Dashuria caritas është jehonë në zemrën e njeriut, është fjala e gjallë dhe thelbi nga e cila jatojmë. Kjo dashuri është në kuptim të të ndihmuarit të njerëzve. Dashuria caritas është vepruese ndaj nevojtarëve dhe të varfërve. Ekziston Caritasi si institucion, organizatë bamirëse.

Dashuria miqësore (filia)

Dashuria reciproke kur njëri – tjetrit i ndihmojmë dhe ia dëshirojmë të mirën quhet dashuri miqësore (gr. file - filos - mik). Raporti në kuptimin miqësor (filio) zhvillohet duke u shoqërua me personin tjetër përmes së cilës zbulojmë se i duam të njëjtat gjëra. Sipas kësaj dashurie, unë të dua ty pse ti me don mua, pse gjejmë gjuhë të përbashkët komunikomi dhe ndjehem mirë kur jemi bashkë etj. Në jetën tonë kemi shumë gjëra të përbashkta ndërmjet veti të cilat na lidhin e na bashkojnë si shoqëri. Kjo formë e dashurisë paraqet themelin e marrëdhënieve të shoqërisë njerëzore. Dashuria “filia” rrjedh nga fjala greke filos që do të thotë mik. Grekët e lashtë shpesh e përdornin shprehjen filhelen ose helenofil që do të thotë mik i helenëve.

Dashuria vëllazërore (filadelfia)

Dashuria vëllazërore (gr. filos – dashuri, adelphos – vëlla -  filadelfia  - filadelfia - dashuri vëllazërore, dashuri ndaj të afërmëve) i përfshinë të gjithë njerëzit. Kjo është dashuri ndaj të afërmëve dhe gjithë njerëzve në përgjithësi. Dashuria ndaj të afërmit është kryekëput fetare; nuk është thjesht një filantropi. Ajo është fetare, mbi të gjitha nga burimi i saj, sepse është vepra e Zotit në jetën tonë. Kjo dashuri vjen nga Zoti dhe është brenda nesh. Duke i dashur vëllazërit tanë, duam vet Zotin. “Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt  25, 40).

S’mund ta duash Zotin pa u interesuar për njerëzit, të varfërit dhe për ata që janë në fatkeqësi. Me lindjen e krishterimit kjo dashuri u thellua, u bë vëllazërore dhe  universale. “Duani armiqtë tuaj, bënu mirë atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë...” (Lk 6. 28 – 32).

Dashuria trupore (erotike)

Dashuria erotike (gr. erotikos - erotikos  - dashuri) është dashuri trupore, ku sundojnë epshet dhe dëshirat e mëdhaja të mishit e të gjakut. Në kohën e sotme kjo dashuri është  banalizuar jashtë çdo mase ku erosi pa fije turpi shfaqet publikisht para të gjithve. Tashmë erotizmi është bërë skandal në shoqërinë bashkëkohore. Kjo e shkel nderin dhe identitetin e qenies femërore dhe mashkullore, e njëkohësisht e rrënon rëndë jetën familjare. Shitja e trupit femëror si mallë konsumues s’ka të bëjë asgjë me dashurinë e qenies njerëzore. Kjo e prish krenarinë dhe parimet morale të femrës dhe të shoqërisë në përgjithsi. Dashuria trupore pa dashuri të vërtetë nuk është dashuri por është animalitet i shfrenuar që sot “bombardon” vazhdimisht moralin e të rinjëve dhe të gjithë shoqërisë.

Ekziston modeli i seksualitetit, martesës dhe lindjes së fëmijëve që duhet të zhvillohet sipas virtytit të dashurisë. Kuptimi biblik i dashurisë e tejkalon dashurinë seksuale. Sepse dashuria është si gur themel i një shtëpie. Pa dashuri gjithçka shkatërrohet.

Në mitologjinë greke ekzistonte perëndia Eros që përfaqësonte kuptimin e dashurisë trupore. Tërheqja trupore në radhë të parë e ka burimin e vet në marrëdhënie seksuale. Nëse dikuj i thua: Unë të dua në planin erotik, atëherë me këtë tregon se ti e don veten dhe se tjetri të duhet për shkak të egoizmit tënd. Ose nëse dikush të thotë: Unë nuk mund të jetoj pa ty! Me këtë ai ka treguar se fare nuk ka dashuri për ty. Në këtë mënyrë ai mendon vetëm për vetveten e jo për ty. Dashuria erotike është dashuri egoiste. Kjo dashuri është e mbyllur brenda kufijëve të natyrës së njeriut sepse është e drejtuar kah bota shqisore që ka të bëjë me pesë shqisat e njeriut: Të parit, të dëgjuarit, të prekurit, të nuhaturit dhe të shijuarit.

Nënë ndikimin e fuqishëm të propagandës, mjeteve të shumta të informimit, sot më së shumti reklamohet dashuria erotike. Për këtë dashuria e vërtetë është bërë gjë e rrallë në kohën e sotme. Për shumë kënd dashuria erotike shëndërrohet në lot hidhërimi e pikëllimi, në akt ndarje, përçarje, vuajtje, mundimi dhe dëshprimi. Shiko se përpjekja e njeriut vetëm për eros, pra për të manipuluar me gjinin tjetër në mënyrën që është e ndaluar për të shkëputur nga jeta e tjetrit bile një “pikë” kënaqësie trupore, nuk është asgjë tjetër veçëse paaftësi për dashuri të vërtetë, është avanturë me pasoja të hidhura, shpeshherë edhe vdekjeprurëse. Kjo dashuri më së shumti shkakton tronditje, dhembje shpirtërore dhe plagosë rëndë zemrën e njeriut. E keqja më e madhe e kësaj dashure është se ajo din edhe t’ja bëjë “varrin” njeriut ku me fajin e vet njeriu në mënyrë fatale bie brenda në të. Tërë kësaj në një mënyrë më të shkurtër mund t’i themi: Dehje nga “dashuria” ose shëndërrim i dashurisë në një lloj substance të ndaluar. Shiko substancat e ndaluara me ndikime psiko - aktive: heroina, kanabisi etj., në fillim duket se freskojnë por në realitet e robërojnë njeriun që më vonë krijojnë varëshmëri psiko - fizike. Njeriu i cili jeton vetëm sipas trupit dhe dëshirave trupore, ai  gjallon por nuk jeton në nivelin e thelbit të tij – të jetës shpirtërore.

Duke mos e shpjeguar drejt qëllimin e dashurisë, të rinjët dhe të rejat gjithnjë e më shumë po bëhen viktima të kësaj propagande hedoniste. Të rinjët sot më shumë se kurdoherë kërkojnë mirëkuptim dhe dashuri të vërtetë. Mirëpo, në vend të dashurisë atyre u ofrohet hedonizëm, erotizëm, shfrenim të epsheve trupore dhe shthurje morale. Kështu të rinjët shumë lehtë bëhen pre të sajuesve të këtyre marifeteve destruktive. Propaganduesit dhe kreatorët e çoroditjeve pornografike, erotike dhe të shëmtive tjera bëjnë përfitime jashtzakonisht të mëdha materiale duke e njollosur, keqpërdorur dhe shëmtuar emrin më të bukur, qëllimin më fisnik të quajtur: Dashuri. Mu për këtë të rinjët e sotëm janë kategoria më e rrezikuar e shoqërisë, ku femra trajtohet si objekt seksualiteti. Kësaj çoroditje morale ndryshe mund t’i thuhet: dashuri pa perde. Kujdes, kah po shkon rini.

Nëse njeriu martohet vetëm për qëllime seksuale atëherë martesa do të ishte “prostitucion” i legalizuar. Jeta martesore, e themeluar vetëm në seksualitet trupor pa dashuri, ajo shumë shpejt e humb e harmonin dhe persepktivën e vet. Martesat e të cilat nuk janë të mbrojtura me dashuri  fillojnë kështu: Fejesa, martesa dhe pastaj ndarja. Sepse, krijesa njerëzore që mbetet pa dashuri - pa dashurinë e tjerëve është qenia më fatkeqe në botë. Tagore na shkruan: “Le tua lëmë të vdekurve lavdinë e përjetshme e të gjallëve tua japim dashurinë e pavdekshme”.

Dihet se dashurisë kudo e kurdoherë i kanë thurur vjersha, himne, këngë, fjalime, predikime etj, nga më të fuqishmet dhe më të bukarat. Mirëpo, rreth dashurisë më shumë se ndaj çdo dukurie tjetër bëhen shumë spekulime, abuzime, komercialitet, vullgaritet e deri në trajtime pornografike, erotike dhe perversione me të ndryshme.

Nëse shikojmë kinematografinë e sotme bashkëkore, programet e ndryshme televizive, revistat e ndryshme e veçmas ato me përmbajtje erotike, atëherë do të shohim se ndër kultet më të spikatura, është i përhapur kulti i dashurisë erotike me shfrenime deri te nivelet e skajshme të një çmendurie. Si shumë kulte tjera të tepruara edhe ky është bërë i bezdisshëm si gjarpër i rrezikshem helmues. Ruajna Zot prej kësaj manie.

Në ballë të çdo gazete erotike por edhe të shumë gazetave dhe revistave tjera të ashtuquajtura “edukative“ dhe “serioze“, çdo herë do të gjesh së paku një femër lakuriq ose gjysmë lakuriq. Mjafton të hysh aty ku shiten gazetat dhe revistat e ndryshme dhe do ta vërejmë se deri ku ka arritur niveli dhe liria e njeriut të sotëm!

Dikush mund të thotë: Or burrë, po a nuk po sheh se këto i ka sjellur koha dhe i ka e gjith bota e ashtuquajtur e qytetëruar. Ne s’mund  tua mbyllim portat apo të izolohemi nga këto ndikime të huaja.

Me një rast isha në një dasmë. Gjersa dasmorët, mëshkujt dhe femrat këndonin dhe vallëzonin e së bashku me ta luante vallën edhe nusja e veshur në stilin e kohës së re, e dëgjova një zë plaku i cili si në shaka tha: ”S’ka më nuse me perde. Ra perdja edhe për ne shqiptarët.”

Duke i vrejtur dukuritë e shumta negative në shoqërinë tonë e në veçanti dashurinë e cila në të shumtën e rasteve po konsiderohet dhe po trajtohet si “mallë reklamues dhe konsumues”, ndërsa femra si objekt seksi, shpesh herë mu kujtuan fjalët e atij plaku “Ra perdja”. Kjo më nxiti të mendoj dhe të pyetem: Për çfarë perde ishte fjala? Kuptohet se meselja e plakut nuk kishte të bënte për veshje të mirë dhe moderne. Fjalët e tij ishin kundër ç’thurjes dhe ramjes së perdes së turpit. Zgjidhja e meseles së këtij plaku ishte e shkurtër dhe e madhe: ÇORODITJE - HALLAKAM MORALE, reagim ndaj dashurisë pa perde turpi qe nuk sheh kurrfar të keqe. Duke i parë vajzat e reja dhe shumë femra tona gjysmë të veshura, pa keqëkuptim më bënë të pyes veten: Vallë, kah po shkon kjo brezni me “perde” të plasur? A ka apo s’ka kufijë ramja e kësaj perde? Kur do të dëgjohet zëri i arësyeshëm i gjinisë femrore kundraj manipulimit me trupin femrorë, kundraj marifeteve dhe shemtive tjera pornografike, erotike që bëhën në emër të dashurisë dhe lirisë trupore të cilat e rrënojnë dinjitetin dhe personalitetin e qenies femrore? Urtia e popullit thot: “Nuk është ari çdo gjë që shkëlqen”.

Në anën tjetër shpesh flitet dhe shkruhet se dashuria në jetën shqipëtare ka qenë anakronike dhe një tabu temë e kahershme. Ndërsa sot pas ramjes së kësaj “perde” me vrap të madh po tentohet që çdo gjë të liberalizohet dhe të komercionalizohet pa kufi e në veçanti dashuria. Në rrjedhat e jetës së përditshme bashkëkohore, dashuria gjithnjë e më shumë po shndërrohet në hedonizem, në dashuri epshore, në pazarë të turpshem, duke imituar me zell çdo shëmti dhe bastardhim.

Shpesh flitet dhe shkruhet se koha është e të rinjëve dhe të rejave. Sot, të rinjët më shumë se kurdoherë kërkojnë mirëkuptim dhe dashuri të vërtetë. Mirëpo, atyre në vend të dashurisë u ofrohen fjalime boshe, kritika, hedonizem, erotizëm, dhe shfreni trupore. Tërë kjo bëhët në emër të jetës së mirë, të lirisë, të artit, të kulturës dhe të dashurisë. Të rinjët shumë lehtë bëhën pre të sajuesve të këtyre programeve, manifestimeve dhe marifeteve destruktive. Propaganduesit dhe kreatorët e çoroditjeve pornografike, erotike dhe shëmtive tjera, bëjnë përfitime jashtëzakonisht të mëdha materiale, duke njollosur, keqpërdorur dhe shëmtuar emrin më të bukur, qëllimin më fisnik të njeriut të quajtur DASHURI.

Atëherë, s’është për tu habitur pse dashuria e vërtetë është bërë si lule e rrallë. Për shumë kend kjo dashuri po shndërrohet në lot hidhërimi, pikëllimi, në akt ndarje dhe përçarje. Përpjekja e njeriut vetëm për erotizem, për të eksploatuar gjinin tjetër, për të paraqitur dashurinë si një cilësi thjesht biologjike, dhe për të shkëputur një “pikë” kënaqësie, nuk është asgjë tjetër veçse paaftësi për dashuri të mirëfillt. Erotika pa dashuri nuk sjellë lumturinë dhe është animalitet sipas së cilës jetojnë edhe kafshët, është etiket mashtruese e dashurisë. Kënaqësinë mund ta blesh edhe me para, por lumturinë jo. Seksualiteti është mundësi për secilin, por jo edhe dashuria. Tërë kësaj në mënyrë më të shkurtër mund ti themi: Dehje nga “dashuria”, ose shndërrim i dashurisë në një lloj substance ndaluese siq janë: heroina, kanabisi etj. të cilat në fillim duken freskuese por më vonë bëhën robëruese duke krijuar varshmëri psiko-fizike. Andaj, dëgjo mirë rini zërin e së Vërtetës derisa nesër nuk bëhët vonë që të tjerët me të dëgjuar ty.        

Dashuria e vërtetë nuk është vetëm çështje biologjike, fiziologjike, sociologjike, estetike apo psikologjike. Ajo nuk është vetëm në nivelin e këtyre disiplinave të specializuara. Edhe pse është gjithëpërfshirëse, është shumë më e thellë se sa biologjia dhe disiplinat tjera. Dihet se psh. biologjija është pasion, gufim i afekteve të fuqishme sipas të cilave bëhët vazhdimi, riprodhimi i llojit të të gjitha qenieve të gjalla.

Dashuria e vërtetë është fenomen shpirtëror, është çështje ekzistenciale e njeriut. Ajo është nevojë themelore, vlera dhe fuqia më e madhe e qenies njerëzore. Nuk ka fuqi as vlerë më të madhe se kjo. Dashuria është çelës kryesorë, libër i amshuar, portë hyrse, është nënë e shpëtimit e jetës së njeriut. Ajo është ballo dhe festë e jetës. Njeriu pa dashuri është: arrogant, brutal, kokëfort, i komplikuar, imponues, fatkeq, i panjohur, pa adresë, pa identitet, pa identifikim dhe letërnjoftim të vërtetë. Aty ku mungon kjo, mungojnë të gjitha sepse kjo i zë vendet e para. Ç`është njohuria, dija, akademia, industria, trgtia etj. pa dashuri? Sipas dashurisë së vërtetë, njeriu çdo ditë është njeri tjetër. Jo vetëm ai por edhe të tjerët përmes tij bëhën tjetër. Kjo njeriun e bën përherë të ri, të thjeshtë, të plotë, të këndshëm si stina e pranverës, të freskët si lumi që rrjedhë, të begatshëm si jeta që gjallëron dhe të gëzueshem si bilbili që këndon.

Njeriu nuk është i përbërë vetëm prej trupit material, prej instinkteve dhe nevojave biologjike sikur një kafshë e paarësyeshme. Kafsha e “programuar”me instinktet e veta asnjëherë nuk mund ta tejkaloj vetëvetën për tu bërë diç më tepër se kafshë. Ndërsa, njeriu pos trupit është i përbërë edhe prej shpirtit që paraqet thelbin e jetës së tij, dhe është qenie shpirtëroro-trupore. Të jetosh vetëm sipas trupit dhe instinkteve trupore do të thot të gjallosh e mos jetosh. Dhe për këtë njeriu nuk mundet të jetë në dashuri të përjetshme me trupin. Të jetosh cekët i parrënjosur i pambjellë si një kafshë e jo si njeri, kjo do të thot të varfërosh nivelin e thelbit shpirtëror prej nga rrjedh plotësia dhe begatia e paskajshme e jetës. Shpirti nuk i përket vetëm kohës. Këtu edhe qëndron rreziku i “programimit” të njeriut.

Dashuria e vërtetë përherë hyn përmes derës së arsyes dhe depërton në thelbin e qenies së njeriut, në shpirtin dhe zemrën e tij. Ajo nuk është e paarësyeshme si qeniet tjera jonjerëzore. Kjo do të thotë se duke përdorur arsyen e shëndoshë, lind edhe dashuria e shëndoshë. Ndërsa dashuria sipërfaqësore, epshore dhe mashtruese depërton si mashtruesi i regjur përmes dritareve të ndjenjave, dhe të epsheve trupore. Dhe, po qe se kjo mbetet vetëm në këto nivele jo të plota, atëherë kjo e njollosë dhe dëmton rëndë zemrën e dashurisë, themelin ku lind dashuria e vërtetë. Atëherë, çka duhet të mbisundojë? Uria e kafshës apo apo synimi i engjullit?

Kështu, dashuria qe lind nga trualli i zemrës, në kopshtin e dashurisë, është fshehtësi, zë i brendshem intim, është e vërtetë, e shkëlqyer, mënyrë më e mirë e afrimit, përjetimit, bashkimit, përqafimit dhe edukimit. Kjo dashuri është e thjeshtë si fëmija, e ngrohtë si dielli, e madhe sa qielli, e pastër si loti dhe e amshuar si Zoti që nuk mbaron askurrë. Dimenzioni vertikal dhe horizontal janë përbërësit kryesorë të dashurisë. Aty ku bashkohën këto të dyja, kohorja dhe jashtëkohorja, historia dhe përjetësia, e tanishmja dhe e amshuara, truporja dhe hyjnorja, e bëjnë shndërrimin e të gjitha llojeve të dashurisë në dashuri AGAPE - dashurinë e pakushtëzuar e cila nuk vdes kurrë. Të jetosh sipas kësaj dashurie do të thot të jesh përherë aktual dhe të kesh se çka t’ju japësh njerëzve tjerë. Jeta është e mrekullueshme, është e bukur, është dashuri, nuk është problem por është fshehtësi dhe ka kuptim vetëm pse ekziston Dashuria - limani i hapur i Dashurisë. Eja të hymë në këtë Liman të jetës së bardhë të Dashurisë. Kjo është mënyrë e vetme që të jemi dhe të kemi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat