Nja katër mendime

Opinione

Nja katër mendime

Nga: Mentor Tahiri Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 10:34
Mentor Tahiri

Intelektuali dhe frika

Them këtë vend e kanë tradhtuar intelektualët, e në anën tjetër intelektual nuk mund të konsiderohet ai i cili nuk guxon të shprehë mendimin, apo edhe ai i cili ka bërë kompromis me frikën. Përpiqem gjatë kohë të gjej një sqarim logjik në këtë jologjikë të ngjarjeve dhe mendoj për egoizmin dhe pangopësinë e njerëzve. Gjithë kohën, në sfond të shëtitjes brenda mendjes, çdo herë e më shumë vazhdojnë të më shoqërojnë diskutimet e miqve lidhur me mundësitë për emigruar dhe filluar një jetë të re në perëndim.

Anatomia e revoltës

Kur brenda shoqërisë franceze shpërtheu pakënaqësia e masave të varfra afro-arabe dhe të gjithë po merreshin me pasojat, filozofët dhe teoricienët politikë merreshin me shkakun. Bernard Eduard-Broun qasjes së tij i dha emrin “Anatomia e revoltës”. Ai tutje u morr me ata që parasupozohej se ishin të thirrur të paralajmëronin gjendjen më parë, intelektualët. Mbase nuk është për tu çuditur motivi që e karakterizoi kudo, për të shpërfaqur atë që e quan “tradhti e intelektualëve”. Sigurisht, intelektualët kanë një shtrëngesë sa herë që tërhiqen nga të kontribuarit dhe lëshojnë vendin pseudo-elitave që vrapojnë të jenë intelektualë. Të tillët një sukses e arrijnë, balancojnë diferencat duke zbritur nivelin e intelektualëve dhe kështu të gjithë bëhen të njëjtë, ajo që zhduket është vetëm shtresa e mesme sociale.

Hero ai që qëndron apo ai që ikën ?

Rikthehet dilema me të cilën janë ballafaquar intelektualë në Gjermaninë e viteve të 30-ta. A është moralisht më shumë hero Martin Heidegger që qëndroi në Gjermani, apo ata që ikën? Mbase përgjigja është diku në mes. Intelektualët si Mainacke dhe Jacpers, arritën mjaft zhdërvjellshëm të plasojnë kritikën duke qëndruar. Megjithatë, hero, për shumë kë i pa meritë i shoqërisë së re gjermane bëhet Berthold Brecht, intelektual që kishte ikur, kurse do të bëhet lider i mendimit të ri gjerman, ngase jeta në egzil e kishte mbajtur të papërlyer. Egzilin e kishte mundësi edhe Sokrati, por atij nuk i shkoi mendja të zhvleftësojë kauzën për të cilën e dënuan, qoftë edhe me shpëtimin nga vdekja.

Intelektualët në shërbim të pushtetit

Kur një shoqëri merr teposhtën, fajtori ka humbur përgjithmonë brenda masës. Duke diskutuar për Holokaustin, Jacpers kundër-argumentoi akuzat që vinin nga Hanah Arrendt, duke i mëveshur fajin vetëdijes kolektive. Në fakt, autoritetet kanë gjetur kudo çelësin perfekt të komoditetit, përvetësojnë intelektualët. Njëjtë vepron Kina që nga vitet 60-të ku detyrë e shpallur e partisë është veç tjerash lumturia e intelektualëve. Kështu sigurohet jetëgjatësia politike. Intelektualët në anën tjetër bëhen pjesë e politikës ditore, fatkeqësisht si patericë pushteti jo rrallë herë. Filozofia, por jo vetëm ajo, duhet sqaruar këto dukuri, por edhe të artikulojë qartë kritikën. Mendimtarët lehtë bëhen objekt i keqkuptimit dhe pa qëllimin e tyre shërbejnë jo rrallë si inspirim për të keqen. Edhe Musolini e keqkuptoi Nietzschen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat