Kosova po ndryshon

Opinione

Kosova po ndryshon

Nga: Mimozë Lakna Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 11:06
Mimozë Lakna

Kosova mbaroi edhe një proces të rregullt zgjedhorë. Balotazhi i 19 nëntorit nxori si fitues vullnetin e qytetarit dhe mundësinë e tij për të votuar pa presion e pa urrejtje.

Qytetarët e Republikës së Kosovës po i tregojnë botës se e meritojnë më së shumti lëvizjen e lirë.

Vizita e kongresistit amerikan, mikut të madh të shqiptarëve Eliot Engel, në një ditë kaq të rëndësishme siç ishte e diela ku zhvillohej balotazhi për kryetar të komunave, aq sa ishte nostalgjike për qytetarët e Kosovës për shkak të viteve të hidhura të okupimit që përjetuan, aq edhe ishte ndjenjë krenarie për mbështetjen e madhe që ata gëzojnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova do t`i ketë kryetarët e saj të rinj. 19 nëntori i vitit 2017 do të kujtohet si një pikë kthese për partitë politike,të cilat qytetarët i kanë parë vetëm si vota për të ardhur në pushtet.

Dardana, Prizreni e Vushtrria po e tregojnë qytetarin e vetëdijesuar. Atë qytetarin e vendosur, që nuk dëshiron të jetë një votë më shumë për kandidatët që nuk i kanë sjellë as edhe një të mirë të vetme.

Periudha e tranzicionit është drejt fundit. Kosova dalëngadalë po e merr veten dhe po dëshmohet si një vend me kulturë dinjitoze që nuk e vë partinë para interesit qytetarë.

Para vitit 2013 shumica e kryetarëve të Komunave nëpër Kosovë, bartnin mbi supet e tyre aktakuza dhe procese hetimore nga organet e drejtësisë. Kjo periudhë po mbaron. Xhabir Zharku, vazhdon të jetë në arrati. Por, Kaçaniku që ai e drejtonte më herët nuk do ta mirëpres edhe një herë në gjirin e tij, siç nuk do ta mirëpres më as Ramadan Mujën e Prizrenit e as kandidatët e tjerë me aktakuza e të dënuar për keqpërdorime të detyrës zyrtare.

“Si duket lajmi më i mirë i këtyre zgjedhjeve lokale deri më tani për kryetar komune, asnjë i zgjedhur me aktakuzë aktive. Ishalla edhe pas katër viteve kur iu përfundon mandati, do mbaheni mend për punë të të mira dhe jo për aktakuza për korrupsion”, ka thënë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për drejtësi.

Për katër vitet e ardhme kryetarët e sapo zgjedhur të komunave do të jenë nën vëzhgimin e qytetarëve të cilët e dëshmuan se dinë edhe të ndëshkojnë.

Në anën tjetër, partitë politike të Republikës së Kosovës, i pret një sfidë tjetër në nivelin qendror.  Do të kenë më shumë kohë të mbikëqyrin punën e qeverisë së Kosovës, të merren me numrin e madh të zëvendës Ministrave, të monitorojnë punët rreth Demarkacionit me Malin e zi dhe shumë probleme të tjera që deri diku kanë mbetur në harresë. Po ashtu, nuk duhet harruar as “trumbetimi” për mocionin e votëbesimit nga Qeverisë.. Kështu që, deri në zgjedhjet e ardhshme le të sundojë Demokracia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat