Deputetët, t’i thonë jo demarkacionit - Bota Sot
Deputetët, t’i thonë jo demarkacionit

Opinione

E martë, 16 tetor 2018

Deputetët, t’i thonë jo demarkacionit

Nga: Arben Sylejmani Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 09:50
Arben Sylejmani

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe ata të LDK-së dhe PDK-së duhet t’i thonë “jo”, versionit aktual të Marrëveshjes së demarkacionit për kufirin me Malin e Zi, edhe pse këtë po e kërkojnë miqtë tanë ndërkombëtare.

Qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës përjetësisht miqve tanë ndërkombëtarë, Washingtonit dhe Brukselit, sepse për një shqiptarë të Kosovës, ekzistenca e tij fizike dhe në të njëjtën kohë ekzistenca e shtetit të Kosovës është falë intervenimit të NATO-s që parandaloi gjenocidin serb ndaj civilëve të pafajshëm gjatë luftës, si dhe mbështetjen që ata na e dhanë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Por, miqtë tanë ndërkombëtare nuk duhet tash të kërkojnë nga ne të pamundurën. Nuk duhet të na i kërkojnë gjymtyrët e trupit, sepse kjo na bën të paaftë për mbijetesë. Kërkesa e tyre që sa më shpejt të miratohet marrëveshja në fjalë me versionin aktual, simbolizon se Kosovës i prehen gjymtyrët, sepse me versionin aktual të demarkacionit po del se shteti i jonë po humb territor.

Kurse, për humbjen e territorit tashmë e kanë kuptuar të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe deputetët e LDK-së dhe PDK-së, por që fatkeqësisht janë peng i partive të tyre që e nënshkruan këtë marrëveshje gjatë mandatit të kaluar qeverisës.

Komisioni i ri për demarkacionin në raportin e tij na i sjellë disa të dhëna që argumenton se Kosova i humb rreth 8 mijë hektarë.

Argumenti i parë dhe më i rëndësishmi është se ish-anëtarët e komisionit të udhëhequr nga Murat Meha gabuan në qasje. Ata pranuan që kufiri të përcaktohet nga vija administrative në vijë kadastrale.

Pra, në vend se të ruhej vija administrative e kufirit në mes Malit të Zi dhe Kosovës, komisioni i Murat Mehës tejkaloi kompetencat e tij dhe hyri në diskutim me palën malaziase për të përcaktuar kufirin në kritere kadastrale, që po del të jetë i dëmshëm për Kosovën.

Kështu që në bazë të kësaj marrëveshje, Kosova vendosi që të heq dorë nga territori që ka ushtruar kontroll efektiv për më shumë se 60 vite.

Se Kosova ka ushtruar kontroll efektiv në këtë territor, e argumenton projekti i hartuar nga Komuna e Pejës dhe e mbështetur nga qeveria që në Lumin Bjelluha të ngritët hidrocentrali Rugova me dy kaskada për akumulimin e ujit, por me versionin aktual të demarkacionit këto dy kaskada mbesin jashtë territorit të Kosovës.

Andaj, bazuar në këto të dhëna deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë asnjë argument që të votojnë pro versionit aktual të demarkacionit me arsyetimin se këtë po na kërkojnë miqtë tanë ndërkombëtare ose se nëse nuk miratohet kjo marrëveshje, Kosova nuk do të ketë liberalizim të vizave, por ligjvënësit tanë duhet ta hedhin poshtë këtë marrëveshje.

Hedhja e poshtë e kësaj marrëveshje, i jep mundësinë qeverisë që t’i kërkoj Malit të Zi që të rinegociohet edhe njëherë demarkacioni duke u bazuar në të gjeturat e komisionit të ri të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi ose që kjo çështje të dërgohet në arbitrazh, sepse ky shtet nuk mund ta konsideroj demarkacionin punë të kryer nëse kjo hedhet poshtë nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test