Zgjedhjet lokale të 24 dhjetorit, referendum për ruajtjen e substancës kombëtare të shqiptarëve në Luginë të Preshevës

Opinione

Zgjedhjet lokale të 24 dhjetorit, referendum për ruajtjen e substancës kombëtare të shqiptarëve në Luginë të Preshevës

Nga: Nehat Hyseni Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 08:51
Nehat Hyseni

Në komunën e Preshevës, pas suspendimit të Kuvendit dhe shkarkimit të kryetares legjitime të komunës, zonjës Ardita Sinani, me dekretin e Qeverisë së Serbisë të 14 shtatorit 2017, janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për datën 24 dhjetor 2017.

Në këto zgjedhje do të marrin pjesë gjithsej 16 parti dhe subjekte politike dhe do të garojnë me tetë lista zgjedhore.

Shqiptarë do të garojnë me dhjetë parti dhe subjekte politike, në shtatë lista zgjedhore.

Kurse, gjashtë partitë dhe subjekte politike të serbëve të komunës së Preshevës, kësaj radhe, ashtu sikur serbët e Kosovës në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit 2017, do të marrin pjesë në zgjedhje me një listë të vetme dhe unike.

Lista Srpska preshevare, zyrtarisht quhet “Lista Aleksandar Vucix-Za jedinstvenu Srbiju” (“Aleksandar Vuçiq-për Serbinë unike”) dhe përbëhet nga gjashtë parti politike të serbëve, të cilët përbëjnë reth 5% të popullatës së komunën së Preshevës: SNS, PUPS, SPS, “Serbia e Bashkuar”, SRS dhe “Lëvizja e Socialistëve” dhe garojnë me gjithsej trembëdhjetë kandidatë për Asamblenë komunale.

Radhitja zyrtare në Komisionin Komunal të zgjedhjeve e listave zgjedhore të pjesëmarrësve në zgjedhjet e jashtëzakonëshme lokale të 24 dhjetorit, është si vijon:

1. Alternativa për ndryshim – APN

2. Partia Demokratike Shqiptare – PDSH

3. Unioni Demokratik i Shqiptarëve – UDSH

4. Lëvizja për Reforma e PDSH – LRPDSH

5. Partia për Veprim Demokratik – PVD

6. Bashkimi Demokratik i Luginës – BDL

7. Lista serbe e përbërë nga gjashtë parti politike serbe: SNS, PUPS, SPS, Serbia e Bashkuar, SRS dhe Lëvizja e Socialistëve dhe

8. Partia Demokratike – PD

Duhet theksuar se deri te shpërbëja e Kuvendit Komunal të Preshevës erdhi me bllokimin e punës nga APN e Shqiprim Arifit dhe PDSH e Ragmi Mustafës dhe me shkarkimin e kryetares Ardita Sinani me dekret nga Qeveria e Serbisë.

Mollë sherri midis asambleistëve komunal ishte Plani Aksional i Qeverisë së Serbisë për kolonizimin e Preshevës me kolonë serbë dhe refugjatë të tjerë, me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të kësaj komune me shumicë shqiptare në Serbi.

Prandaj, edhepse garojnë dhjetë parti politike të shqiptarve në shtatë lista zgjedhore, megjithatë, kemi të bëjmë me dy blloqe, apo opcione kryesore politike: “Pro” dhe kundër Planit Aksional Lokal të Qeverisë së Serbisë.

Aktualisht, vetëm APN, si filialë apo degë e SNS-it të Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është me këmbëngulje dhe arrogancë në mbrojtje të këtij Plani dhe është e sponzorizuar fuqishëm dhe me presione, shantazhe, arrogancë e agresivitet të paskrupulltë nga Qeveria e Serbisë.

Për këtë qëllim edhe është emëruar Shqiprim Arifi, bashkë me bashkëpartiakun e tij të devotshëm, Armend Aliun dhe me një anëtar serb të SNS-it, në Organin e Përkohshëm apo Masat e dhunshme të Serbisë në Komunën e Preshevës.

Vlerësohet se asnjëherë deri më tani, në 27 vjet të pluralizmit politik, Serbia kurrë nuk ka qenë më agresive ndaj politikbërjes së pavarur të shqiptarëve në Luginë, e sidomos në Luginë të Preshevës.

Kështu, Shqiprim Arifit, Serbia ia ka lënë duar të e lira që ta shfrytëzojë buxhetin komunal prej reth shtatë milionë eurosh për blerjen dhe korruptimin e votës së lirë të shqiptarve të komunës së Preshevës.

Rrufeshëm, në mbështetje nga Serbia, janë dhënë tendera pa kurrëfarë procedure në vlerë prej 720 mijë eurosh për rrugën “Karposh” në gjatësi prej një kilometri, edhepse vlera reale e tregut është reth 400 mijë euro, që do të thotë se janë abuzuar reth 320 mijë euro dhe kanë përfunduar në xhepat e këtij shqipfolësi, që preshevarët po e quajnë Rrahman Morinë i Luginës së Preshevës.

Pastaj, gjatë fushatës janë harxhuar 125 mijë euro, pa procedurë tenderimi dhe po përdoren për blerjen dhe korruptimin e votës së lirë të qytetarëve të komunës së Preshevës.

Lista e abuzimeve me paratë e taksapaguesve preshevarë është e gjatë dhe veprimet kundërligjore dhe abuzimet dhe keqpërdorimet kundërligjore me pushtetin lokal, sipas vlerësimeve tona, ato ia kalojnë madje edhe atyre të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, të 5 korrikut 1990, kur u suprimua Kuvendi i KSA të Kosovës dhe udhëheqësia e menaxhmenti i ndërmarrjeve shoqërore e publike anembanë Kosovës.

Prandaj, zgjedhjet e 24 dhjetorit në komunën e Preshevës janë cilësuar si referendum i shqiptarve të kësaj komune kundër serbizimit të dhunshëm dhe ruajtjes së substancës kombëtare të shqiptarve dhe shpëtimi nga agresiviteti i tmerrshëm serbo-rus, kësaj radhe me një parti politike shqiptare dhe me disa bashkëpunëtorë e emisarë serbo-rus, që janë futur si “kali i Trojës” brenda politikbërjes së pavarur të shqiptarve të kësaj pjese të Shqiptarisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat