Në Shkup, mes shqiptarëve dhe monumenteve

Opinione

Në Shkup, mes shqiptarëve dhe monumenteve

Nga: Ndue Dedaj Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 08:50
Ndue Dedaj

Ai që kërkon me u pa me shqiptarët në Shkup, duhet të vejë më së pari në Çarshi, ku ata janë “rrudhur” nga trysnia politike sllave përgjatë shekullit XX dhe më pas. Te “Skënderbeu” mbi kalë është shtuar dhe një basoreliv më motive shqiptare të qendresës historike, i punuar para gjashtë muajsh. Në qendër të tij është Besëlidhja e Lezhës 1444, shpallja e Pavarësisë me 1912 etj. Por nuk shohim ndokund flamuj kuqezi, edhe pse 28 Nëntori ka vetëm pak ditë që ka kaluar. Na thonë se ata kanë qenë afishuar atë ditë kudo ku ka shqiptarë dhe urojmë të ketë qenë kështu. Me qeverinë e re të Zoran Zaevit ka një klimë më të mirë për shqiptarët në Maqedoni, siç thonë vetë ata me të cilët takohemi dhe pimë kafe apo çaji mali.

Ndër ta dhe avokati i njohur Naser Raufi, nip Korçe, të cilin e nderojnë të gjithë, si njeri i drejtësisë, figurë publike, por dhe si i biri i disidentit të shquar të gjashtëdhjetë viteve më parë, Sejdi Rauf Bajrami, edhe ai avokat i dëgjuar. Me studime të kryera në Padova për filozofi, njëherësh me Esad Mekulin, Mark Krasniqin dhe personalitete të tjera kosovare të viteve ’40, dhe më pas i diplomuar për Jurisprudencë në Shkup, Sejdiu qe i dënuar politik në vitet 1958-1963 dhe mbahet mend për guximin dhe argumentet e tij në përballjen me shtetin represiv jugosllav. Është publikuar një letër testament politik dhe juridik që ai i shkruan Rankoviçit, me atë fabulën ironike të ujit, që kinse rrjedh i pastër atje lart, por vjen duke u turbulluar rrugës. Për pasojë, shkruan disidenti, “unë dhe 18 milionë shtetasit e Jugosllavisë pimë turbullirë”! Por kjo është vetëm maja e ajsbergut e historive të tilla salvuese ndaj shqiptarëve, që përbëjnë së paku 35 përqind të popullatës në trojet e veta etnike arbnore, që nga koha e Ilirisë.

Shkupi është një kryeqytet modern, i baraslarguar nga dy kryeqytete të tjera të rajonit, Beogradi e Athina, ku megjithatë e vjetra ka mbijetuar, me kalanë impozante, në anën veriore të qendrës së qytetit, që vitet e fundit ka marrë një pamje fantazmagorike, për nga madhësia gjigandomane e monumenteve, mbase si askund tjetër. Pjesë e së vjetrës është dhe “Libraria e Çarshisë” një nga bar-kafetë e pazarit karakteristik, me disa rafte me libra shqip në brendësi, përfshi dhe nga shtëpitë botuese të Shqipërisë. Diçka pozitive, sigurisht, por që ti do të dëshiroje që ato libra të kishin më shumë duk, më e pakta ekspozim nga rruga, që të tërheqin më tepër lexues sesa ata që venë aty për kafe. Janë liri që shqiptarët nuk e kanë të lehtë t’i fitojnë, pak nga pak, sot e nesër. Intelektualët e fushave të ndryshme, shkrimtarët, gazetarët, politikanët, juristët e të tjerë kanë meritat e tyre në mbajtjen gjallë të frymës dhe veprimit kombëtar, për liritë dhe të drejtat e njeriut, por lypet që ky kapital i krijuar me mundim mbinjerëzor prej tyre në rrethana gjithnjë kritike, të investohet dhe më shumë te rinia.

Labinoti, një djalë nga rrethinat e Shkupit, na thotë se ndjenjat kombëtare i kemi të forta, po shpesh nisur nga qendrimet ekstremiste të maqedonasve ndaj nesh. Doemos që nuk është kjo gjëja e duhur, që ta duam gjuhën tonë më shumë, ngase na e shanë ai tjetri. Aq më tepër kur kërkesa themelore e shqiptarëve në Maqedoni është njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Qendrojmë para monumentit të “Skënderbeut”, që nuk i ka shpëtuar sadopak dhe ai modës së monumenteve të kryeqytetit maqedon, për të qenë mbi piedestale tepër të larta, sigurisht në përmasa të pakrahasueshme me permendoret e Filipit e Aleksandrit, por dhe të Carit. Teksa një shqipfolës me pamje të ngratë afrohet për të na thënë se nuk lejohet me e fotografue monumentin, “por nuk ka problem, shton pastaj, meqë jeni shqiptarë nga Shqipëria!” Ja që dikush don me i nxjerr dy lekë dhe ashtusoj. Pak më tej një i varfër i bie çiftelisë për orë të tëra, këndon me zë të lodhur këngë patriotike tonat, duke pritur dinarët në tabaken që ka vënë përpara. Janë këto sekuenca orientale të pazareve në Shkup, Dibër të Madhe, Gjakovë etj. Në fshatin Haraçinë, jo dhe aq larg nga Shkupi, shkolla fillore mban emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe me siguri atje kremtimi i 550-vjetorit të Heroit Kombëtar do të ketë të veçantën e tij.

Në kërkim të adresave shqiptare në Shkupin e sotëm, këmbët na shpien te shtëpia e motrave të Nënë Terezës, në njërën nga lagjet moderne të qytetit. Është shtatorja e humanistes së madhe, mbase e vetmja statujë normale e Shkupit, që gjithashtu tërheq aparatet tona fotografike, edhe pse emri i saj nuk është i shkruar në shqip. Diku më tej, në mjegullën e davaritur, është Kisha Katolike e Shkupit, ku shenjtorja shqiptare qe pagëzuar atë gusht të vitit 1911.

Avokati nga Tirana, Alfred Duka, me të cilin kemi ardhur në Shkup, takohet miqësisht me Ademin, një të ri shqiptar, që kohët e fundit është ngarkuar me detyrën e rëndësishme të drejtimit të hekurudhave të Maqedonisë. Fredi thotë se e ka njohur vite më parë si një student të ekselencës. Djaloshi shprehet se duhet të shpejtojmë, që dy vendet të lidhen me hekurudhë. Por shpejt biseda kalon nga hekurudhat te politika, demokracia, roli i rinisë (është 8 Dhjetori), te mungesa e pendesës komuniste pas 90-s etj. Kur bie fjala për politikanët shqiptarë në Maqedoni, Arber Xhaferaj zë kryet e vendit, ashtu si tash së voni deputeti Ziadin Sela, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, që u sulmua barbarisht në Parlamentin maqedon në prill të këtij viti nga huliganët e veshur me pushtet, por që mbijetoi mrekullisht, duke kandiduar sërish për komunën e Strugës, ku kishte qenë kryetar më parë. Atëherë kur u përgjak dhe fytyra e kryeministrit të ardhshëm Zaev, pamje që nuk mund të shqitet lehtë nga kujtesa politike ballkanike e europiane e 2017-s.

Me siguri Shkupi zë vendin e parë në Ballkan për monumentet, që më shumë sesa vepra arti, ngjajnë si sajesa me kontekst gjeopolitik, që e ke të vështirë dhe t’i fotografosh. Duket sikur ka patur një garë se kush mund të jetë më i lartësuar e madheshtor, ku Aleksandri i Madh dhe i ati, Filipi i Dytë janë në “qiell”. Thua se lavdia e kontinentit të vjetër është mbledhur e gjitha në këtë copë vend. Në relievin monumental shkupian, Skënderbeu ynë është disi i veçuar nga korpusi qendror i monumenteve, le të themi maqedonase, paçka se figura si Aleksandri i Madh janë të përbotshme, bile i konsideruar me origjinë ilire. Të duket se kjo pamje supermonumentale nuk ka dhe aq lidhje me të shkuarën maqedonase, sesa me ekzistencën shtetërore post-jugosllave të Maqedonisë. Jo më kot ky lulëzim bronzi ka nisur para afro dy dekadash, kur me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, Maqedonia u shpall shtet i pavarur, por jo aq i sigurtë në rrugëtimin e tij si i tillë.

Largohemi nga kolosët në bronz në të dy anët e Urës së Vardarit, rrugës nga Gryka e Kaçanikut, nga dhe kemi ardhur, ku terreneve të thyera ngrihen këmbët e urave të një tjetër autostrade të re, asaj Prishtinë-Shkup. Janë pamje të ngjashme me ato të Rrugës së Kombit tetë vite më pare, nëpër luginën e Fanit të Vogël.

Dikur kjo grykë e famshme ishte e përmendur për luftërat e shqiptarëve për liri e Pavarësi, kurse tash për zhvillimet e reja të qarkullimit rrugor mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat