Po Jerusalemit, Po Gjykatës Speciale, shqiptarët gjithmonë me SHBA-të

Opinione

Po Jerusalemit, Po Gjykatës Speciale, shqiptarët gjithmonë me SHBA-të

Nga: Faton Mehmeti Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 08:52
Faton Mehmeti

Marrëdhëniet ndërmjet të shqiptarëve dhe popullit amerikan datojnë qysh moti, dhe me kalimin e kohës ato vetëm sa janë forcuar. Amerika gjithmonë iu ka gjendur pranë shqiptarëve. Po të mos ishte përkrahja ngulmuese e presidentit amerikan, Woodrow Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris gjatë viteve 1919-’20, i cili tekstualisht kërkoi nga Serbia dhe Mali i Zi të tërhiqen nga territoret e pushtuara shqiptare, Shqipëria nuk do të ekzistonte si shtet. Pavarësisht këtyre, SHBA-ja megjithatë ua ktheu shqiptarëve në fillim vitet ’90, me përkrahjen që Shqipëria t’i bashkohet botës demokratike dhe me përkrahjen e aspiratave të shqiptarëve të Kosovës për liri. Po të mos ishte vendosmëria e Presidentit Bill Clinton, NATO-ja nuk do ta bombardonte Jugosllavinë dhe nuk do ta çlironte Kosovën.

Po të mos ishte vendosmëria e Presidentit George W. Bush, Kosova nuk do të mund të pavarësohej.

Po të mos ishte ngulmimi i SHBA-së, Shqipëria nuk do të ishte pjesë e NATO-s (Presidenti Bush ka nënshkruar protokollet NATO - Shqipëri).

A ka bërë ndonjë popull, ndonjë shtet, diçka më shumë për shqiptarët? Jo! Asnjëherë. Përveçse deklarohemi në sondazhe se e duam Amerikën më shumë se sa të gjithë popujt e tjerë të Evropës, ia kemi kthyer fare pak. Madje shpesh ua kemi kthyer edhe me të keq. Së fundi është miratuar rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara kundër vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Mes 128 vendeve anëtare që kanë votuar pro kësaj rezolute ishte edhe Shqipëria. Ndërkohë 35 shtete kanë abstenuar dhe 9 vende të tjera kanë dalë kundër rezolutës.

Ky akt i Shqipërisë është gabim fatal kur dihet se po të mos e kishte përkrahjen amerikane, Shqipëria e Kosova vështirë të ishin të lira sot, territoret e tyre vështirë të ishin këto që janë sot, e edhe shqiptarët në përgjithësi nuk do të ishin këta sot. Ndonëse, amerikanët besonin tek shqiptarët aq sa një gazetari i huaj i akredituar në Departamentin Amerikan të Shtetit, thuhet se i ka thënë, zëdhënësit të shtetit Amerikan se SHBA-të i konsiderojnë: "Shqiptarët, si  populli i zgjedhur”. Përkundër kësaj, Shqipëria dhe Kosova në javën që po lëmë pas kanë bërë dy goditje kundër SHBA-së, derisa Shqipëria votoi kundër vendimit amerikan për të njohur Jerusalemin kryeqytet, Kosova në anën tjetër u mundua që të zhbëj ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Derisa, SHBA ka bërë çmos që të miratohet ky ligj, përfaqësuesit e institucioneve u munduan që natën dhe në mënyrë tinëzare të zhbëjnë këtë vendim. Zhbërja e këtij ligji do të ishte goditej për SHBA, e cila do të dilte e lajthitur para botës,  dhe këtë po ia bënin ata që i ndihmojnë që mos të zhdukeshin si popull në vitin 1999. Fal veprimit të menjëhershëm të ambasadorit amerikan Prishtinë, u bë e mundur që mos të ndodhë një gjë e tillë. Edhe sot SHBA po i ndihmon Kosovës dhe Shqipërisë. Derisa në Shqipëri po bën çmos që të filloj vettingu, për të pastruar institucionet shtetërore nga banditët dhe kriminelët, në Kosovë po bën çmos që të filloj punën Gjykata Specialja për të spastruar Kosovën nga njerëz që kanë bërë krime dhe janë pjesë të institucioneve. Ne, nuk guxojmë në asnjë rrethanë të dalim kundër SHBA-së, pasi do ishte njësoj sikur të ishim kundër vetës sonë.

Derisa vota e Shqipërisë kundër SHBA rezultoi me faktin se ambasadorja shqiptare në OKB, Besiana Kadare nuk është e ftuar në festën e Nikki Haley. Në festën e ambasadores amerikane, në datën 3 janar, janë të ftuar vetëm ata diplomatë, që me votën kundër rezolutës, abstenimin apo mospjesëmarrjen në votim mbështetën Shtetet e Bashkuara. Ky është lajm i tmerrshëm për shqiptarët, shpresoj që Shqipëria dhe Kosova të reflektojnë sa më shpejt, pasi pa SHBA shqiptarët nuk mund të mbijetojnë, fal tyre jemi në trojet tona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat