Kosova, BE-ja dhe dialogu me Serbinë

Opinione

Kosova, BE-ja dhe dialogu me Serbinë

Nga: Mimozë Lakna Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 13:40
Mimozë Lakna

Edhe pas 10 vitesh në pavarësi, Kosova nuk ka arritur ta përfundojë plotësisht procesin e shtet ndërtimit. Proceset e pa përmbyllura siç janë, dialogu me Serbinë, Demarkacioni i kufirit me Malin e zi, formimi i Forcave të Armatosura, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, po i rrinë shtetit tonë të “lidhura për fyti”, dhe po e pamundësojnë integrimin në BE.

Të martën, Komisioni Evropian publikoi strategjinë e re për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ky raport, nuk përmendi hapa formal për integrim. Kjo për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së, por edhe për shkak të ngecjeve të tjera të shtetit të Kosovës.

Për këtë arsye, askush nuk do të duhej të mbetej i befasuar nga vlerësimi që iu dha Kosovës në raportin që u publikua ditë më parë.

Kosova ka politikanë që e kanë “sfiduar” për më shumë se dy vite Bashkimin Evropian, duke mos e miratuar marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi. Kjo marrëveshje, është thënë vazhdimisht se do ti liberalizonte vizat për qytetarët e Kosovës.

Përveç kësaj, Kosova ka shumë punë për të bërë edhe sa i përket dialogut me Serbinë. Derisa, procesi më i vështirë do të jetë përcaktimi i vijës kufitare me këtë shtet. Duhet të shpresohet që ky proces të mos zgjas me vite të tëra, ashtu siç po zvarritet aktualisht miratimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e zi.

Në kuadër të kësaj, përfaqësuesit e Kosovës, nuk do të duhej të shkonin me “duar në xhepa”, në bisedimet e ardhshme me Serbinë.

Serbia, ka ende borxhe të pashlyera ndaj Kosovës. Të pagjeturit, dëmet e luftës si në njerëz, ashtu edhe ato materiale, do të duhej të ishin temë kyçe e dialogut me Serbinë, për të cilin thuhet se është në fazën përfundimtare.

Kuvendi i Kosovës, do të duhej të miratonte një rezolutë, ku zyrtarisht do të kërkohej padi ndaj Serbisë, për krimet e kryera në Kosovë.

Presidenti Thaçi, ditë më parë ka deklaruar, se është e vështirë që të pritet njohje e Kosovës nga Serbia.

Atëherë qytetarët, duhet ta pyesin Presidentin, se përse duhet të hyhet në dialog, nëse i njëjti nuk përfundon me njohje.

Kosova nuk ka nevojë për politikanë pesimistë, siç është Presidenti Thaçi. Pesimizmi i tij, nënkupton edhe faktin se ai mund të jetë i gatshëm që të bëjë kompromise të reja për shtetin e Kosovës, që mund të jenë edhe më pak se pavarësi, apo edhe ndarje e pjesës veriore, ku aktualisht nuk është i shtrirë sovraniteti shtetërorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat