Pse nuk protestojnë qytetarët në Tiranë kundër Marrëveshjes së detit me Greqinë!?

Opinione

Pse nuk protestojnë qytetarët në Tiranë kundër Marrëveshjes së detit me Greqinë!?

Nga: Skënder S.Kapiti Më: 8 shkurt 2018 Në ora: 18:01
Skënder S.Kapiti

Shqiptarët në Shqipëri nuk reagojnë dhe nuk protestojnë masivisht kundër  Marrëveshjes së detit me Greqinë ,sipas së cilës dëmtohen shumë rëndë terrritori shqiptar duke iu falur shtetit grek qindra km2 sipërfaqe detare të kanalit shqiptar i cili gjendet mes ishullit të Korfuzit dhe Shqiperise, dëmtohen interesat e mëdha ekonomike  si vëndndodhje gjeostrtategjike dhe e reservave të mëdha të naftës dhe të gazit, sepse qytetarët shqiptarë protestojnë vetëm kur ata i thërret partia, interesi i partive politike për pushtet.

Qytetarët në Shqipëri protestojnë  gjithnjë vetem kur i thërrasin partitë, p.sh. Edi Rama e Salija, Monika dhe Lulija. Për ta, për politikanët dhe pushtetin e tyre, për interesat dhe krimin e korrupsionin e tyre është djegur e rrënuar  Shqipëria, është bërë hataja dhe tragjedia si në vitet 1991-92, në vitet 1997-98, në Janarin 2011, dhe sapo dhe kur  thërret pra Partia, shkatërrohet e rrënohet edhe Shqipëria.

Pra, atdheu për qytetarët në Shqipëri është Partia, sepse  shumica e shqiptarëve kanë rënë në kurthin e partive politike dhe te lidershipeve te tyre të cilët të parën kanë partinë dhe jo Shqipërinë. Elita politike shqiptare të parën ka partinë sepse nga partia atyre u vjen dhe u buron pushteti me te cilin abuzojnë, vjedhin, pasurohen  dhe tradhëtojnë dhe se partia është streha e cila i mbron ata , mbron korrupsionin ,hajdutërinë dhe tradhëtinë e tyre nga drejtësia dhe nga ligji.

 Prandaj nuk protestojnë për detin shqiptarët sepse ata nuk i ka “ftuar” në protestë as Partia Socialiste, as Partia Demokratike dhe as LSI-ja, sepse detin Greqisë ia kanë falur këto të trija, pra, tradhëtia dhe interesi i pushtetit të tyre. Por nuk u falet kjo shqiptarve të  cilët nuk protestojn kur i thërret Shqipëria. 

Kur e nënshkruan Marrëveshjen me Greqinë Partia Demokratike, qeveria e saj, bënte sikur  e  kundërshtonin “patriotët” politikanë të   Partisë Socialiste  e Ramës dhe  të LSI-së së Metës; kur qeverisi më pas në vitet 2009-2013 PD me LSI-në “papritmas” heshti  dhe u dakordësua me tradhëtinë Ilir Meta dhe LSI-ja ; dhe sot kur Marrëveshjen e përkrah tani qeveria dhe “rilindja” e Ramës , për çudi bëjnë sikur kundërshtojnë PD e Salija dhe Monika e LSI-ja.

Qytetarët shqiptarë nuk protestojnë edhe për arsye të tjera p.sh. pse të protestojnë për detin ,për ujin, kur  Shqipëria është vëndi më i pasur  në Europë me burime ujore, por  qytetarët e varfër e blejnë ujin më shtrenjtë se qumështin; pse të protestojnë për detin për rezervat e gazit dhe të naftës që ka aty  ku detin ia japin Greqisë, kur Shqipëria ka më shumë se çdo vënd tjetër  në Ballkan dhe Europë naftë dhe gaz, por çmimi i energjisë dhe i karburanteve në Shqipëri është ndër më të lartët në Botë; dhe për energjinë  elektrike të cilën nuk kanë mundësi ta paguajnë shqiptarët e varfër ata dënohen edhe me burg. Pse të protestojnë kur burimet e naftës politikanët shqiptarë ua kanë falur koncensionarëve të huaj  dhe ku punëtoret shqiptarë shfrytëzohen si skllevër prej tyre, dhe kur banorët e e zonave naftëmbajtëse ua janë rrënuar shtëpitë dhe e kanë problem mbijetesën.Po kështu Shqipëria është ndër vëndet më të pasura në botë me minerale,  por në ato zona ku ato burime ndodhen e grabiten , banorët e atyre zonave janë më të varfërit ekonomikisht në Shqipëri.

Për çfarë të protestojnë shqiptarët në Shqipëri, kur ata vetëm sa kërkojnë e synojnë që të largohen nga Shqipëria në kërkim të një atdheu të dytë sepse shqiptarëve ua kanë bërë sketerrë jetën varfëria, papunësia, pasiguria,krimi, padrejtesia dhe korrupsioni i këtyre partive por të cilave çuditërisht u binden dhe i dëgjojnë akoma dhe u shkojnë pas kur ato i thërrasin për vota, për pushtet ,ku me pushtetin  ato i  vjedhin, i grabisin, i mashtrojnë dhe i manipulojnë  qytetarët  dhe Shqipërinë duke i detyruar shqiptarët  që të marrin arratinë dhe eksodin.

Shqiptarët nuk protestojnë për detin, për mirëqënien, për drejtësinë, për integrimin, pra nuk protestojnë për Shqipërinë sepse ato shqiptarëve ua  kanë rrëmbyer partitë, ato ua kanë rrëmbyer, kapur dhe pronësuar politika e krimit, e korrupsionit dhe e tradhëtisë.

Qytetarët nuk reagojnë sepse janë  edhe ata të kapur dhe të tradhëtuar nga politika të cilën e kanë mbi krye; dhe kur pllakos në shtet, në shoqëri  dhe kur së pari pllakos në politikë, në pushtet, në ekonomi dhe sidomos  dhe në drejtësi korrupsioni ,egoizmi, hajnija dhe tradhëtia duket sikur me to është pajtuar edhe populli.

Pra së pari shqiptarët duhet të protestojnë për t’u çliruar nga prangat e krimit, të korrupsionit dhe të tradhëtisë së politikanëve, pushtetarëve, matrapazëve, hajdutëve , drejtësisë dhe prej  partive politike dhe të elitës politike të tyre, prej të cilëve po ndodh boshatisja e Shqipërisë prej shqiptarëve, ndodhin tradhetitë dhe shitja e territoreve dhe e interesave kombëtare, po ndodh kanabistanizimi i Shqipërisë, instalohet kulti i parasë së pisët, imazhi i keq ndërkombëtar për shqiptarët dhe mosintegrimi i Shqipërisë.

Kur  në Shqipëri shqiptarët prej egoizmit  të tyre, dhe kur prej  politikës dhe prej politikanëve   të tyre  gjithnë krijojnë probleme të mëdha ndërvete e që bëhen problem edhe te nderkombtaret për ngatërresat e përçarjet, për vjedhjen ,për korrupsionin dhe për drogën , për  padrejtësinë, për varfërinë e papunësinë, për eksodin dhe për krimin atëhere përfitojnë të tjerët, joshqiptarët dhe armiqtë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat