“Shkëmbimi i territoreve” - grackë e rrezikshme për shqiptarët në Luginë të Preshevës!?

Opinione

“Shkëmbimi i territoreve” - grackë e rrezikshme për shqiptarët në Luginë të Preshevës!?

Nga: Nehat Hyseni Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 18:06
Nehat Hyseni

Pas dështimeve politike të pandërprera dhe katastrofale të Hashim Thaçit dhe “krahut të luftës”, që nga udhëtimi i tyre i përbashkët me Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, me avion ushtarak drejtë Rambujesë në vitin 1999 e deri më sot, ata kanë vendosur që, më në fund të na bindin se gjithçka kanë thënë dhe kanë bërë, realisht ka qenë papjekuri politike dhe gënjeshtër e kulluar ndaj opinionit publik.

Në Rambuje ata dhe delegacioni i Serbisë së regjimit të Millosheviqit nuk e nënshkruajtën Marrëveshjen e paqes.

Kështu, ata, për arsye “patriotike” i dhanë tri javë kohë shtesë dhe i mundësuan ushtrisë së Serbisë për ta lëvizur ushtrinë nga kazermat dhe shmangjen e efekteve vdekjeprurëse të bombardimeve të avionëve të NATO-s.

Pastaj, pas çlirimit, me firmën e tyre u bënë plaçkitje, vrasje e uzurpime të paskrupullta, që e komprometuan lirinë e Kosovës, akoma pa e shijuar.

Prandaj edhe i humbën zgjedhjet e pasluftës, deri pas vdekjes së Presidentit Historik, Dr.Ibrahim Rugova.

Sikur nuk u mjaftoi dështimi dhe gabimi i tyre fatal në Rambuje, ata të njejtin avaz e përsëritën edhe në bisedimet e Vjenës, prej nga rezultoi pas pak kohë Plani i Ahtisarit.

Meqë ishin të prirë për korrupsion dhe qeverisje për faqe të zezë, me abuzime e keqqeverisje të mbarsur me demagogji idiotike, kinse nuk pajtoheshin me Planin e Ahtisarit dhe kishin bojkotuar kohë më parë edhe bisedimet e Vjenës, në vitin 2011 filloi Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel, të cilin Hashim Thaçi me këmbëngulje e quante dialog “teknik”, i cili së shpejti u ngrit në “dialog politik”, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në nivelin e kryeministrave. Hashim Thaçi si kryeministër i Kosovës, Ivica Daçiq si kryeministër i Serbisë, me ndërmjetësimin e Komisioneres së lartë të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, më 19 prill 2013, në Bruksel nënshkruajtën Marrëveshjen famëkeqe, duke abstrahuar plotësisht çështjen e shqiptarve të Luginës së Preshevë, madje duke mos i përmendura ata dare, sikur të mos ekzistonin fare!

Natyrisht se ata e përjetuan shumë rëndë këtë veprim makabër, duke e quajtur si “tradhëti kombëtare” dhe si “thikë pas shpinde” ndaj kësaj pjese të Shqiptarisë.

Kurse, për serbët e Kosovës, me këtë Marrëveshje u vendos zgjërimi i të drejtave për serbët e Kosovës, të përcaktuara nga bisedimet e Vjenës, të cilët Hashim Thaçi dhe tarafi i tij politik i bojkotuan, sepse, thoshin se po u jepeshin shumë të drejta serbëve të Kosovës, prandaj ata nuk pajtoheshin me këtë, duke refuzuar madje edhe Planin e Ahtisarit, me të cilin ishte paraparë integrimi i tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

Por, dialogu i Brukselit realisht filloi me moton “Plani Ahtisari Plus”, dmth me vlerësimin se ai ishte “i pamjaftueshëm” dhe kërkohej zgjërimi i atyre të drejtave më formimin e Asociacionit të Komunave më shumicë serbe.

Realisht, parashihej një lloj i Republikës serbe në Bosne, ose një entitet shtetëror serb brenda Republikës së Kosovës, të cilin Hashim Thaçi e nënshkroi më 19 prill 2013, pa e vrarë ndërgjegja se kjo ishte një “tradhëti kombëtare ordiniere” ndaj Pavarësisë dhe Sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës dhe ndaj shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Fatkeqësisht, më 15 gusht 2015, kryeministri Isa Mustafa bëri një gaf të madh politik, duke nënshkruar Marrëveshjen e re midis Kosovës dhe Serbisë, gjithashtu duke i përjashtuar dhe mos e përfshirë fare çêshtjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Këtë Marrëveshje për palën serbe e nënshkroi kryeministri i atëhershëm, dmth Presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kurse zonja Frederica Mogherini e nënshkroi atë në emër të Unionit Europian.

Në vitin 2015, në korrik, Kuvendi i Kosovës votoi kundër miratimit të Ligjit për themelimin e Gjakatës Speciale për gjykimin e krimeve të kryera në Kosovë gjatë viteve 1999-2000, por i njejti u rikthye sërish në rishqyrtim pas disa ditëve dhe u miratua.

Pikërisht, Hashim Thaçi ishte si i cili me këmbëngulje dhe presion të madh, ndikoi mbi deputetët e pabindur të PDK-së, për ta miratuar atë.

Por, nuk duhet harruar as performansën dhe angazhimin këmbëngulës të Hashim Thaçit kundër protestave të pasluftës të shqiptarve kundër ndarjes së Mitrovicës.
Ai, nga Ura famëkeqe mbi lumin Ibër, asokohe i “siguronte” mitrovicasit se “së shpejti do të kthehen në shtëpitë dhe banesat e tyre” në pjesë veriore të qytetit, që ishin uzurpuar dhe ruheshin me dhunë nga serbët.

Por, jemi dëshmitarë se sa u “realizuan” këto premtime të Hashim Thaçit deri më sot, 29 vjet pas luftës.

Meqë këto ditë shpërtheu në sipërfaqe ideja e dikurëshme e Ivica Daçiqit me disa deklarata, të cilat, për hirë të së vërtetës, nuk u demantuan qartë nga Hashim Thaçi, për “shkëmbim territoresh” midis Kosovës dhe Serbisë, që realisht i bie si shkëmbim i pjesë veriore të Republikës së Kosovës, dmth komunave serbe matanë Ibrit: Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitovicës së veriut me Luginën e Preshevës.

Dyshimet tona lidhur më këtë situatë të krijuar së mund të paraqes grackë shumë të rrezikêshme për fatin e shqiptarve të Luginës së Preshevës në momentumin e tanishëm politik të Republikës së Kosovës, lidhen me problemet e grumbulluara aktuale lidhur më Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, liberalizimin e vizave, pastaj me tentativat për rikthim të çështjes së Ligjit për Gjykatën Speciale për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës dhe me shumë çështje të tjera të “nxehëta”, që nuk kanë konsenzus politik as brenda koalicionit tejet të brishtë qeverisës të PAN-it, i cili ka formuar shumicën minimale qeverisëse prej 61 deputetëve dhe është i varur nga tekat dhe vullneti politik i Listës serbe, që kontrollohet e dirigjohet drejtpërdrejtë nga Beogradi dhe është nën kontroll të plotë të Presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat