Mjegull në aeroport, edhe më shumë në politikë - Bota Sot
Mjegull në aeroport, edhe më shumë në politikë

Opinione

E premte, 16 nëntor 2018

Mjegull në aeroport, edhe më shumë në politikë

Nga: Fadil Lepaja Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 10:05
Fadil Lepaja

Para disa javësh Prishtinën e kishte mbuluar tymi, dhe pluhuri, dhe kryeqyteti ynë shënoi rekord botëror në ndotjen e ambientit. U shënua, si qyteti më i ndotur i planetit. Pas Majlindës kjo është medalja e dytë e artë, në përmasa botërore.

Para një jave, Prishtinën, më saktë Aeroportin e vetëm, (ndër)kombëtar, e kishte mbuluar mjegulla, një mjegull,ndoshta po aq e dendur sa edhe ajo politike.

Mund  edhe të mos ketë qenë (vetëm) mjegulla, sidoqoftë  nuk u mor vesh, se si ishte puna, me vizitën e anuluar të kryeministrit malazez, në Prishtinë. Mund të ketë qenë mjegulla, e mund të ketë qenë edhe nga hutimi i përgjithshëm, në institucionet e tona, nga gëzimi i madh, i papërshkrueshëm që derdhej edhe në rrjetet sociale, për ngjarjen e madhe kur, më në fund zyrtarët institucional, morën vizat për të shkuar në SHBA. Pastaj u bë krejt mjegull, për të gjithë agjendat e tjera.

Në fakt, mjegulla politike në Kosovë, është po aq e dendur, edhe e shpeshtë, sa edhe ajo e zakonshmja, në aeroportin turk, të Prishtinës, i cili njihet për ditët e shumta me mjegull. E si mos të jetë, kur njëra kokë institucionale thotë kështu tjetra ashtu, pastaj si me rrotacion, kur pozita ndërron qëndrim, opozita po ashtu, thuajse qëndrimet e tyre nuk janë të mbështetura në parime apo interesa, por veç në atë se çfarë qëndrimesh ka kundërshtari.

Gjithë kjo mjegull, e cila po zgjatë pafundësisht, padyshim se do të ketë edhe një ujk, madje shumë ujq, që ulërijnë nëpër mjegull, sepse populli ynë i lashtë dhe i izoluar, nuk gabon, sidomos kur thotë, se ujqit duan mjegull. E ka nga përvoja historike.

Kështu,  në pamundësi me pa çka po ndodhë nëpër mjegull, e cila nuk u ngrit kurrë nga skena jonë (para)politike, patjetër se do  të rrëshqasim në teori konspiracioni, sidomos, pasi puna e të gjitha  institucioneve ende është e dyshuar për jo profesionalizëm, korrupsion, qëllime të këqija, sa kohëve të fundit edhe kontrolli i fluturimeve në aeroportin e Prishtinës, u rimor nga KFORI.

Kryesorja, kryeministri malazez, me sebep mjegullën, anuloi ardhjen e tij. Po sot, çfarë do sjell, kur të vij?  Me shumë gjasë, vendi fqinjë, nuk e ka të qartë se çfarë do Kosova! Nga krerët institucional, dëgjojnë deklarata të kundërta dhe është e tepërt të pritet që ata të jenë më dashamirës ndaj nevojave të qytetarëve të Kosovës sesa Presidenti, Qeveria, parlamenti...!

Për ta bërë edhe më mjegull, javën e kaluar, nga Zyra e Presidentit dikush do të lëshonte deklaratë ( e cila pastaj u zhduk) se presidenti nuk e ka agjendën e lirë, për takim me kryeministrin malazez, ndërkohë që një medium tjetër, raporton se as kryeministri malazez nuk e kishte në agjendë takimin me presidentin e Kosovës. Hajt e merre vesh, çka po ndodhë!

Mjegulla politike dhe institucionale është edhe më e dendur, dhe ujqit përreth ulërijnë thekshëm, sa do të jetë vështirë të shpërndahet as pas kësaj vizite, gjithsesi qëllim mirë.

Çka po ndodhë me demarkacionin dhe sa mund të ndihmojë miku ynë, kryeministri i Malit të Zi, vështirë se e ka të qartë edhe vet ai. Jo vetëm mendimi i opozitës, por edhe i krerëve institucional është i ndarë. Presidenti insiston se marrëveshja s’ka të sharë, dhe se duhet të votohet e tillë si ishte nënshkruar nga ai, në vitin 2015, kështu që nisur nga kjo, mund të kuptohet përse nuk kishte  një takim , apo se si do të rridhte takimi  në mes të tij dhe kryeministrit malazez. Presidenti, ka problem me kryeministrin vendor, sepse Kryeministri, thotë se Kosova ka humbur territor dhe se marrëveshja e 2015 ishte me defekt. Kështu, në një takim eventual, presidenti  do të kërkonte nga  mysafiri , të mos bëjë asnjë lëshim, për kryeministrin dhe një pjesë të opozitës.

Kryeministri kosovar dhe zëvendësi i tij, do të i kërkojnë mysafirit, madje thonë se ja kanë kërkuar ditëve dhe javëve, e mbase edhe muajve të fundit që të ndihmojnë , duke lënë një mundësi rishqyrtimi, të kësaj marrëveshjeje, edhe pasi e njëjta të jetë aprovuar në parlamentin e Kosovës, natyrisht, nëse konstatohen  dhe dëshmohen gabime eventuale me hartat, apo numrat. Përndryshe partia e kryeministrit , dhe ajo e zëvendësit të tij, nuk do të mund të e votojnë marrëveshjen në parlament edhe pse janë në pushtet.

Edhe në opozitë, njëjtë.

Pra mysafiri, nuk e di çfarë do Kosova institucionale, dhe nuk e di si të ndihmojë, edhe po të dojë, aq më tepër kur krerët e vendit, krejtësisht papërgjegjshëm, nuk kanë arritur të gjejnë një formulë unifikuese qysh herët, para nënshkrimit të saj. Krejt kjo, nga kundërshtarët e kësaj marrëveshjeje, konsiderohet, kryesisht si një nga lojërat e presidentit, i cili do mjegull, krizë dhe rigjenerohet vetëm nëpër kriza. Në anën tjetër presidenti, shanë jo vetëm opozitën por edhe të tjerët që nuk pajtohen me të, dhe në asnjë rast, që nga “hipja në fron” nuk arriti të ketë rol unifikues, ashtu si e obligon kushtetuta.

Pak kush mund të thotë, është ironi,  sarkazëm apo kush e diçka tjetër, deklarata e presidentit se integriteti territorial “është tejet i rëndësishëm”.

Po del se ai vërtetë nuk e ka lexuar kushtetutën. Është obligim kushtetues, zoti president. Me “gjëra# tejet të rëndësishme edhe mund të bëhet pazar. Kushtetuta, nuk e njeh, këtë cilësim. “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet...”

Nejse, kush e lexon kushtetutën, sot?!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test