Sipas Hashim Thaçit, mbyllja e Dialogut të Brukselit, Kosovës, do t’ia “japë vizën e gjelbër për në OKB”!?

Opinione

Sipas Hashim Thaçit, mbyllja e Dialogut të Brukselit, Kosovës, do t’ia “japë vizën e gjelbër për në OKB”!?

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 22:28
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

*** -Hashim Thaçi (president  i Kosovës) në intervistën e tij dhënë  Agjencisë “Reuters” (siç bën të ditur gazeta e Prishtinës, “Kosova Sot”) paska deklaruar se  “Fundi i dialogut  me palën serbe në Bruksel, do të sjellë një Marrëveshje   historike gjithëpërfshirëse ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë, që  do të ndodhë në vitin 2018, e cila do të rezultojë në anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara " . (http://www.kosova-sot.info/lajme/247488/thaci-per-reuters-dialogu-do-te-perfundoje-me-anetaresim-te-kosoves-ne-okb/).
  
-Me të vërtetë, as industria propagandistike  antishqiptare e Dobrica Qosiqit, nuk do të kishte ditur  të prodhonte një gënjeshtër të tillë politike sikur kjo e presidentit Thaçi. Por, kjo nuk befason aspak opinonin shqiptar, sepse qëkur ka filluar Dialogu i Brukselit (2011-2018), asnjë deklaratë dhe asnjë intervistë a shkrim autorial i Hashim Thaçit dhe i vasalëve të tij, që kanë mbështetur Dialogun e Brukselit, nuk janë provuar të sakta, por vetëm fallso, pa asnjë vlerë  konkrete të dobishme për interesat vitale të shtetit të ri të Kosovës.
 
-Ndoshta,  nuk i dihet, se politika e këtillë është  me shumë të panjohura, kjo, edhe mund të ndodhë, nëse presidenti Thaçi i ka premtuar homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, që Serbisë t’ia cedojë territorin verior të Kosovës në “këmbimin” me territorin shqiptar të Preshevës?
 
Ndryshe, nuk ka asnjë gjasë minimale, që kjo   “ëndërr e bukur” e presidentit Thaçi, të bëhet realitet, sepse Dialogu i Brukselit është  “pjellë” e Rezolutës 1244, miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së (10.06. 1999), e cila as de fakto e as de jure nuk e njeh pavarësinë e Kosovës . Këtë e ka dëshmuar edhe UNMIK-u  (1999-2008), i cili nuk ka lejuar që populli i Kosovës me anë të REFERENDUMIT A PLEBISHITIT, të deklarohej për  shtet të pavarur dhe sovran sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare.
 
Dialogu i Brukselit “taksirat” për Kosovën,  shans  politik  për Serbinë
 
Dialogu i Brukselit është “bisht” i Rezolutës 1244, e vemja “letër politike” e Beogradit, që të përzihet në çështje të brendshme të Kosovës, sepse OKB-ja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por Rezolutën e saj 1244, në bazë të së cilës mbështet Dialogun e Brukselit, si dhe ende mban në Kosovë një kontigjent të emisarëve të saj në emër të UNMIK-ut, edhe pse kjo është në kundërshtim me të gjitha normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare ngase Kosova është shtet i pavarur, jo më pak se 10 vjet (shkurt 2008). Kësi shembulli nuk ka askund në botë, që të “monitorohet” pavarësia nga UNMIK-u, i cili ka dështuar në misonin e tij, sepse për 9 vjet nuk ka qenë në gjendje që sipas obligimeve juridike të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare, ta zgjidhë problemin kolonial të Kosovës, pavarësisht nga misioni i saj paqësor.
 
Prandaj, pa asnjë dyshim, epilogu i Dialogut të Brukselit (2011-2018), Kosovën, do ta lërë jashtë OKB-së. Ky ishte dhe është objektivi politik  serb i shpikjes dhe i hapjes së dialogut me palën kosovare në Bruksel.  Përqafimi dhe miratimi i këtij Dialogu nga ana  institucioenve më të larta shtetërore të Kosovës (Presidenti, Kuvendi dhe Qeveria), degjeneron dhe vë në pikëpyetje statusin politik të pavarësisë unilaterale të Kosovës.
 
Për tepër Dialogu i Brukselit (2011-2018),  është vërtetim i pranisë së UNMIK-ut në Kosovë sipas Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së, e cila, në asnjë formë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, as gjatë mandatit të UNMIK-ut (1999-2008) e as pas njohjes së pavarësisë (17 shkurt 2008). 

Pavarësisht se çfarë deklaron Hashim Thaçi dhe vasalët e tij qeveritarë, pranimi i hyrjes në bisedime me palën serbe në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2011-2018), është   DËSHTIM FATAL POLITIK DHE DIPLOMATIK dhe, përsërtije e gabimeve politike paraprake, të bëra nga liderët drejtues të Kosovës nën administratën e UNMIK-ut, i cili në bazë të Rezolutës 1244, edhe dje, edhe sot (1999-2018) nuk e  njeh Republikën e Pavarur të Kosovës. 

Për palën serbe të Beogradit dhe për UNMIK-un e dështuar në Kosovë (1999-2018), Dialogu serbo-kosovar i Brukselit  është  justifikim  simetrik i  shfuqizimit të  akteve politike, juridike dhe kushtetuese  për ndërtimin dhe pavarësimin e shtetit të Kosovës. – Ja argumentet: 

1)   Kryeadministratori i UNMIK-ut, Bernard Kushner me pëlqimin e institucioneve të përkohshme në Kosovë, u hoqi vizë të kuqe: a) Deklaratës Kushtetuese të shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga delegatët shqiptarë të Kuvendit të KSAK ( 2 korrik 1990; b) Kushtetutës së Kaçanikut ( 7 shtator 1990) dhe c) Refrendumit për pavarësimin  e Kosovës (26-31 shtator 1991).
 
2) Gjithashtu, Bernard Kushner me pëlqimin e liderëve politikë shqiptarë  të Kosovës (në kundërshtim me të gjitha Rezolutat e OKB-së për njohjen e së drejtës së vetëvendosjes popujve dhe vendeve të kolonizuara, e pezulloi (de fakto dhe de jure) Ushtrinë ÇLirimtare të Kosovës/ UÇK/, duke e shndërruar në forca pastruese të Kosovës.
 
3) Po ashtu,  Bernard Kushner  me pëqimin e politikanëve frikacakë dhe të dështuar, ia arriti ta rasformonte Qeverinë e Përkohshme  të Kosovës, të dalë nga lufta  antikoloniale çlirimtare dhe kombëtare e UÇK-së.
 
Shformimi i  UÇK-së dhe i Qeverisë Përkohshme të Kosovës nga ana e UMIK-ut, është bërë në bazë arbitrare, duke u bazuar në Rezolutën 1244 të KS-së së OKB-së, e cila, në asnjë formë nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, por e lë të hapur  mundësinë për debate të mëtejme të zgjidhjes së statsuit politik të saj. Këtë e provon edhe fillimi dhe zgjatja tetëvjeçare e Dialogut të Brukselit  mes palës kosovare dhe asaj serbe (2011-2018) kinse për “normalizimin” e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës.
 
Mirëpo, në të gjitha këto raste, të theksuara më sipër si UNMIK-u, ashtu edhe kasta politike drejtuese e Kosovës, në mënyrë flagrante kanë shkelur jo vetëm të drejtën historike të popullit shqiptar mbi Kosovën, por edhe të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve të kolonizuar (1912-1999), që përbën  parimin dhe normën e së drejtës ndërkombëtare, që edhe sot janë instrumente të rëndësishme në sistemin  dhe në rendin pozitiv  të së drejtës ndërkombëtare.
 
Kasta politke shqiptare e Kosovës  në mënyrë të verbër ka shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare, kjo nuk është e çuditshme mbase në mungesë të ekspertëve përkatës nga fusha e së drejtës ndërkombëtare  kanë pranuar çdo gjë që u ka propozuar, sugjeruar dhe imponuar UNMIK-u, me qëllim që të  “mbijetonte” sa më gjatë në Kosovë, duke mos bërë asgjë për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës (1999-2008).
 
Mirëpo, është e pajusitifkueshme dhe e paprnaueshme se si UNMIK-u ka shkelur parimet dhe objektivat e Kartës së OKB-së, duke mos e njohur të drejtën legjitime dhe legale të ekzistencës së UÇK-së dhe të Qeverisë së Përkoshme të dalë nga ky subjekt politiko-ushtarak, të njohur ndërkombëtarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-s. Shuarja e këtyre dy institucioneve politiko-ushtarake të Kosovës ishte në funksion të plotë të mosnjohjes së drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve për të krijuar shtetin e pavarur nga Serbia kolonialiste dhe gjeocidale. 
 
Këtë luftë politike paqësore  të vënies në pikëpyetje të statusit politik të Kosovës, e dokumenton edhe Dialogu i Brukselit (2011-2018), që po zhvillohet në frymën e Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së, mbështetur nga OKB-ja, nga BE-ja, nga Kosova, nga Shqipëria, nga  Serbia, nga  Greqia, nga  Moska, nga Pekini etj., sepse   synon “rizgjidhjen” e statusit politik të Kosovës, ashtu si i konvenon Serbisë për të krijuar ndonjë “Republika srpska” ose për të copëtuar territorin verior të Kosovës.
 
Së fundi, duhet të nënvizojmë se OKB-ja dhe kasta politike e Kosovës janë fajtorë kryesorë për moszgjidhjen përfundimtare dhe të drejtë statusit politk të Kosovës (1999-2018), sepse kanë lejuar Serbinë kolonialiste, që postfestum të involvohet  kinse në “zjidhjen” e statusit të Kosovës, edhe pas njohjes së saj nga Amerika dhe 113 shtete të bashkësisë ndëtkombëtare.
 
Kjo gjendje konfuze politike dhe diplomatike,  e krijuar me mjete paqësore për të revizionuar pavarësinë e Kosovës në përputhje me Rezolutën 1244 të KS-së së OKB-së, është në shpërputhje të njohjes së drejtës së vetëvendosjes së mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarëve në Kosovë, që përbën shkelje direkte të Kartës së Kombeve të Bashkuara,  ku thuhet se, detyrë prioritare e OKB-së, është që të gjithë anëtarët e saj “ Të zhvillojnë marrëdhënie miqësore mes njëri-tjetrit , mbështetur në respektimin e parimit  të barazisë së të drejtave  të popujve dhe të së drejtës së tyre për vetëvendosje dhe të marrin masa të tjera të favorshme, që mund të forcojnë paqen në botë.” ( Karta e OKB-së, Neni 1, paragrafi 2).      
 
Po ashtu, UNMIK-u së bashku me liderët politikë shqiptarë të insitucioneve të përkohshme të Kosovës kanë shkelur edhe Nenin 55 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ku shprehimisht thuhet se  respektimi i parimit të barazisë dhe të vetëvendosjes së popujve janë detyrime themelore, që duhet zbatuar dhe respektuar  nga OKB-ja.
 
Mirëpo, këtë detyrim të ligjshëm të OKB-së, administrata e UNMIK-ut në Kosovë nuk e zbatoi e as nuk e respektoi, edhe pse për 9-të vjet rresht luajti misionin e  saj paqësor,  zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, asnjëherë nuk e pati në  “rend dite”, por e la të hapur, duke mos lejuar popullin, që  përmes REFERENDUMIT, të deklarohej për shtet të pavarur dhe sovran.  Ky veprim  i gabuar dhe i pajustifikueshëm i UNMIK-ut  në mohimin e së drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptar mbi 90% (të kolonizuar dhe të aneksuar nga Serbia, gjatë viteve 1912-1999), është shkelje flagrante e detyrimit juridik e OKB-së,  që shpërfill  të drejtën e vetëvendosjes së popullit të shtypur dhe të kolonizuar shqiptar, e cila është një nga të drejtat fundamentale  të së drejtës ndërkombëtare, që popujve të shtypur dhe të kolonizuar u garanton njohjen e  së dejtës për liri, për pavarësi dhe për shkëputjen nga kolonizatorët e tyre.
 
Së fundi, duhe t’i përkujtojmë shkelësit e neneve dhe  të paragrafëve të Kartës së OKB-së, si dhe të parimeve dhe të normave të së drejtës ndërkombëtare, se mosrespektimi  i së drejtës së popujve për liri dhe për vetëvendosje përbën rrezikun potencial për shthurjen e  stabilitetit, të sigurisë dhe të paqes në dimensione ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat