Edi Ramës i ka mbetur vetëm të shkruajë vazhdimin e librit “Dy popuj miq” - Bota Sot
Edi Ramës i ka mbetur vetëm të shkruajë vazhdimin e librit “Dy popuj miq”

Opinione

Edi Ramës i ka mbetur vetëm të shkruajë vazhdimin e librit “Dy popuj miq”

Nga: Arben Llalla Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 11:41
Arben Llalla

Të ishe çam në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës ishte turp. Njerëzit duhet ta thonin ose nën zë, ose të pranonin që ishin qytetarë të dorës së dytë, shumë më poshtë se minoriteti grek që gëzonte deri në Komitetin Qendror e qeveri me anëtarët e vet. Megjithatë, kjo nuk i pengoi aspak shqiptarët e Çamërisë që të ndjeheshin përherë krenarë për rrënjët e tyre, por edhe të përkohshëm, pasi prisnin rikthimin në tokat, pronat, shtëpitë, varrezat e të parëve.

Pas vitit 1990 me themelimin e Shoqatës “Çamëria” dhe më vonë të PDIU-së, Çështja Çame u kthye në prioritet të politikës shqiptare, asaj europiane, Perëndimore. Kemi një Rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë, e kemi këtë çështje të përfshirë në programin e të gjitha partive kryesore që kanë pushtetin ose e dëshirojnë atë, kemi deklarata të komisionerit Johannes Hahn, kongresmenëve amerikanë dhe qëndrime të Departamentit të Shtetit.

Pikërisht, tani që Çështja Çame është në majat e saj, qeveria e Edi Ramës kërkon ta zhdukë atë nga faqja e dheut, mundësisht ta kthejë në pikën e turpit, të kohës kur Enver Hoxha hidhte valle me grekofonët në Dropull dhe shpallte “Dy popuj miq”.

Çështja Çame nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e varur nga vullneti i një ministri të Jashtëm dhe një kryeministri, kushdo që të jenë ata. Tani Edi Rama e thotë hapur se tonet patriotike që përdorte një vit më parë, i kishte veç sa të detyronte grekët të uleshin në tryezë, pra ka mashtruar, jo vetëm çamët, por të gjithë patriotët shqiptarë që e konsiderojnë Çështjen Çame si Çështje Kombëtare. Ky pehlivan i politikës që po fal detin dhe tokën, duhet ta dijë që shqiptarët tradhëtarëve të Kombit dinë t’i japin vetëm një përgjigje, ku shembujt e historisë flasin vetë.

Të zhdukësh emrin “Çamëri” që të të njohë greku patentat, është të mbulosh diellin me shoshë. Të njohësh minoritetin grek në Himarë, kur nuk ta lejoi kurrën e kurrës që nga Zogu e deri tek mësuesi i idealeve, Enver Hoxha, është të falësh tokë dhe të ushqesh idenë e Vorio Epirit.

Heqja e emrit “Çamëri”, marrëveshja e detit, ndërtimi i miëjra varreve bosh dhe shpallja me status e minoritetit grek në Himarë, ku nuk ka këmbë greku kund, do të thotë të plotësosh aspiratën shoviniste greke të Epirit të Veriut dhe Magalo Idesë, gjë që mbetet veç formalitet të shpallet në tokën shqiptare. Madje, Edi Rama dhe Ditmir Bushati duhet të marrin pjesë në ceremoninë e shpalljes së Vorio Epirit, sepse atë që nuk e bënë nazistët e Agimit të Artë, po e bëjnë komunistët internacionalistë të Tiranës.

Prandaj, ngulmoj që Edi Rama është i vetmi njeri i denjë për të shkruar vazhdimin e librit “Dy popuj miq”, duke e shenjuar veten me damkën e “tradhëtarit të kombit”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test