Mbi 2 vite mashtrim - Bota Sot
Mbi 2 vite mashtrim

Opinione

Mbi 2 vite mashtrim

Nga: Mimozë Lakna Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 08:25
Mimozë Lakna

Më në fund, çështja e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi do të ketë një epilog. Një epilog, i cili një vit më parë ishte i vështirë edhe të mendohej.  Kryeministri Ramush Haradinaj, u dorëzua në kauzën e tij më të madhe. Marrëveshja aq shumë e kundërshtuar nga ana e tij, tashmë do të votohet e njëjta, pa asnjë ndryshim. Një aneks-dokument do të jetë pjesë e saj, por sipas juristëve nuk do të ketë efekt. Ky aneks, i është shtuar versionit të Murat Mehës, ndaj të cilit, Ramush Haradinaj, kishte shfryrë dufin, në vazhdimësi duke  e akuzuar se po i falë tokë Malit të Zi.

Në mesin e dokumenteve, që u janë sjellë deputetëve për votimin e Demarkacionit, është edhe raporti i Komisionit të emëruar nga Ramush Haradinaj, me në krye prof. Shpejtim Bulliqin.  

Por, kjo nuk do të merret parasysh, duke qenë se deri te procedimi i marrëveshjes në Kuvend, erdhi pas marrëveshjes ndërmjet Presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi. Ky, nuk është asgjë më shumë se sa një kamuflim i asaj që do të votojnë deputetët.

Kështu, puna e Komisionit me Kryetar Shpejtim Bulliqin, mund të thuhet se shkoi huq.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, gati njëzëri do t`i thonë “Po” marrëveshjes, për të cilën nuk e kursyen as gazin lotsjellës.

Me gazin lotsjellës ishte përballur në vazhdimësi Kryeministri Isa Mustafa dhe Qeveria e udhëhequr nga ai. Madje, Mustafa ishte akuzuar nga opozita e atëhershme ku bënte pjesë Haradinaj se nuk ka guxim të marr vendime të mëdha, siç ishte procedimi i marrëveshjes me Malin e zi. E njëjta marrëveshje, të enjten do të jetë në duar të deputetëve të Kuvendit dhe ata do t`i thonë “Po”. Askush nuk do të hedhë gaz, madje as deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët gazin lotsjellës e kishin “armën”, më të fortë për kundërshtimin e Qeverisë së Isa Mustafës.

Edhe deputetët e LDK-së do të votojnë marrëveshjen e Murat Mehës. Mund të duket e pabesueshme, por, edhe ata që ishin kundër Mustafës, tani do të jenë pro Haradinajt pa kthyer kokën pas.

Të njëjtit, me arsyetimin viteve të humbura do ta përkrahin marrëveshjen, për shkak të të cilës ra Qeveria Mustafa.

Ata do të duhej të kërkonin fillimisht llogari nga Ramush Haradinaj, për izolimin e qytetarëve të Kosovës, për më shumë se dy vite të shkuara kot së koti. Se a do ta bëjnë këtë, pritet të dihet ditëve në vazhdim!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test