Ku je zoti Rama që hesht as vran as kthjell

Opinione

Ku je zoti Rama që hesht as vran as kthjell

Nga: Rexhep Shahu Më: 7 mars 2018 Në ora: 16:59
Rexhep Shahu

E risjell me shkas ketë shkrim timin dhe shtoj në të, ku ishe ti zoti Rama që nuk kërreve asnjë fjalë në fb për Profesorin shqiptar Branisllav Sinadinovski që u rrah nga fashistët në Maqedoni? Ku ishe ti që sillesh shpesh si baba i kombit shqiptar, që sillesh sikur ke në dorë fatet tona. Pse hesht kur s’duhet, kush ti mban frenat në duar…

Z. Rama ti gjithçka mund të jesh e mund të bëhesh, por jo patriot, nuk di as mundesh, të mungon ky dimension, kjo përmase reale, sipas meje, siç të mungon humanizmi e vëmendja ndaj njeriut. Ti nuk sheh njeri përballë teje, ti sheh turma, sheh vetëm turma votues që mashtrohen, por jo njeri, nuk e sheh as e ndjen njeriun me hallet e tioj, me brengat e tij, me jeten, mundësitë e pamundësitë e tij.

Për ta patur dimensionin e patriotit, kur të duhet, ti bëhesh karikaturë, deformohesh, cënon rëndë atë Ramën real qe je, Ramën natyral të vetmjaftueshëm.

Mjaft duke kopjuar z. Rama, ju nuk mund ta kopjoni deri në këtë shkallë Berishën. Nuk mund të bëheni ai që nuk jeni kurrë në asnjë rrethanë apo mënyrë sepse nuk është koha, nuk të favorizon koha dhe gjithë jetën tënde publike ke punuar kundër të qenit patriot, kundër kësaj përmase të munguar të dimensioneve tua, që në fakt nuk është me leverdi politike dhe ti e di mirë leverdinë.

Të gjitha rolet të kanë hije, din ti bësh të gjitha, bash të gjitha, edhe rrugaçin, edhe ordinerin, edhe debatuesin me batuta boshe që kumbojnë,por jo patriotin, nuk mundesh ta bësh. Ti mund të bëhesh çfarëdo që nuk je, por nuk bëhesh dot patriot. Bëhesh karikaturë dhe unë ndjehem keq që kryeministri im të bëhet karikaturë dhe ta tregojnë me gisht edhe me inferiorët në rajon si karikaturë që botohet dikund në fund të gazetës me mbushë hapsirat boshe.

Provove vjeshtave të shkuara të shkoje e të shkëlqeje në Beograd, por ra kallaji shpejt sepse nuk ishe ti që je atje, por thjeshtë karikatura jote, ishe kukulla Rama që kurdisej gjetke nga e si të ecte, çfarë e si të fliste, kë e sa të zëmëronte, si e pse të shitej ai që nuk ishte në thelbin e vet. Edhe me tallavasportin e pazarin politik të ndeshjeve ku shite e bleve çfarë të thanë dhe kishe veç një qëllim, të fitoje ndonjë buzëqeshje nga Vuçiqi dhe ata që të dërguan atje për të krijuar liderin e ri rajonal, të kuptueshëm me të cilin zgjidhim probleme dhe që është më i mirë apo i vetmi i mirë ndër politikanët shqiptarë në Prishtinë e Tiranë...

Ti je më i natyrshëm, më i ndershëm, më i besueshëm duke i dhëne çelësin e Tiranës këngëtarit serb të kallashit që nxiste e motivonte ushtarët serbë kundër shqiptarëve në luftën a betejat e fundit shqiptaro-serbe se sa si patriot shqiptar që "lufton" për Kosovën në Beograd kundër Vuçiqit, apo në tavolinë në zyrën tënde ngjyre moteli duke pozuar me drejtuesit politikë të shqiptarëve në Maqedoni, apo duke bërë tallavambledhje qeverie me Hashimin apo Mustafën, apo duke bërë llogje fjalësh të paralatuara nëpër studio në Tiranë e Prishtinëe, ku ende askush nuk të ka pyetë troç, çfarë ke bërë konkretisht për Kosovën si kryeministër i Shqipërisë? Çfarë po bën tani për goditjen e profesorit shqiptar Branisllav Sinadinovski. Hë, thuaj, çfarë…

Pse nuk e rregullon punën me Vuçicin që të lejohet transmetimi i energjisë dhe nuk frymëzon gazeta për fletë rrufe patriotike apo fleta nderi me korniza për patriotizmin tuaj të madh e të shndritshëm. Berisha bëri Udhën e Kombit duke u kundërshtuar ashpër prej teje, po ti çfarë bëre për Kosovën që të shënohet në historinë e shqiptarëve?

Berisha thirri mes stadiumit në Shkup, djem punoni për bashkimin kombëtar, ti thirre në zyrë drejtuesit shqiptarë dhe u kujdese që të shfaqej deri te Trump fotoja jote e patriotit duke bërë bashkë shqiptarët, duke zbatuar amanetin e Berishës, djem, punoni për bashkimin kombëtar.

Po për profesorin shqiptar Branisllav Sinadinovski, do e thuash ndonjë fjalë, do qëllosh me ndonjë gogël rrufeje?

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat