Ndëshkimi diplomatik i Kosovës dhe mundësitë e imponuara! - Bota Sot
Ndëshkimi diplomatik i Kosovës dhe mundësitë e imponuara!

Opinione

Ndëshkimi diplomatik i Kosovës dhe mundësitë e imponuara!

Nga: Dreni Dushi Më: 19 mars 2018 Në ora: 21:12
Dreni Dushi

Intervenimi i NATO-s në Kosovë paraqet një nga sfidimet më të mëdha në historinë e politikës bashkëkohore ndërkombëtare të parimit të sovranitetit nga parimet idealiste të të drejtave të njeriut. Ndonëse Serbia përmes pozitës së saj shumë të favorshme gjeopolitike arriti ta “zbehë” ligjshmërinë e këtij intervenimi, nuk arriti ta zbeh legjitimitetin dhe të drejtën morale që posedonte NATO.

Si vend me fuqi të konsiderueshme politike, dhe me lidhje të fuqishme me Rusinë si një nga vendet më të fuqishme në politikën globale, Serbia arriti ta menaxhoj dështimin e Sllobodan Millosheviçit në Kosovë me sukses të konsiderueshëm. Përmes një elite politike të instaluar në Kosovë nga faktori ndërkombëtar (që e kryeson Franca), u arrit të ndahet qyteti i resurseve industriale, Mitorvica, u pranua decentralizimi, dhe së fundi Asociacioni (autonomia) e serbëve të Veriut të Kosovës si ndarje edhe de-jure e saj, tërë kjo nga një mashtrim modus-vivendi i shqiptarëve të Kosovës përmes krijimit të mundësive për tejkalimin e Pakos së Ahtisarit. Epilogu që nga pozicioni i ndonjë nacionalisti mund të jetë shumë i dëmshëm për Kosovën, nuk ka ndonjë adresë individuale, por më shumë, i nënshtrohet realizmit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe pse jo, njerëzore. Këto nuk do të ishin të mundshme me UÇK-në në pozicionin e opozitës, andaj u bë çmos që akterë të thirrur në UÇK, të jenë protagonistët e këtyre proceseve, të cilat nuk duhet gjykuar me ndonjë emocion idealist, marrë parasysh gjendjen e zhvillimit social të shqiptarëve në Ballkan, UÇK si tërësi, nuk mund të fajsohet për asnjë dështim diplomatik të Kosovës.

Si mund të kuptohet kjo? Në real politikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Kosova paraqet pa dyshim një sukses të NATO-s, meqë ky intervenim ndaloi gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës. Por kjo nuk do të thotë se politika botërore, çan kokën për aftësinë e një popullësie për të derivuar një elitë të mirëfilltë politike në krye të saj, e aq më pak, bota, ndonëse mund të ketë qenë e interesuar të mos shoh fëmijë të vrarë e gra të dhunuara në “oborrin” e vet, nuk ka interesimin e njejt të ndërtoj një shoqëri ideale, me arsim të mirë, me shëndetësi e drejtësi të aftë, këto të fundit, ju janë lënë shqiptarëve, të cilët kanë zgjedhur një rrugë tjetër e cila vetëm sa ka legjitimuar sjellën ndërkombëtare harruese dhe diskriminuese karshi Kosovës.

Pajtimi i Serbisë, që të mos shkoj kah Rusia, imponoi që faktori ndërkombëtar të injoroj interesat e Kosovës së vogël. Këtë e kuptuan disa banditë e kriminelë që merren me politikë brenda Kosovës, dhe ata u bënë dëgjuesit e çdo projekti që injoron interesat e Kosovës me premtimin që ata të shijojnë pushtetin e një gjysmë shteti të vogël. UNMIK-u, EULEX-i, dhe në të ardhmen Gjykata (shantazuese) Speciale, autostradat me koston sekrete, shitjet e strukturave ekonomike me 10% të vlerës, nënshkrimi i çdo dokumenti pa e pyetur dhe konsultuar vullnetin e popullit, imponimi i  ndryshimit të simboleve dhe identitetit, të gjitha këto u bënë normalitet për Kosovën, e cila përdoret për pajtimin e Serbisë që të mos ecë kah Rusia.

Realisht, asgjë e pa zakontë dhe shqehtësuese nuk ka ndodhur, shqiptarët e Kosovës janë të lumtur me faktin që nuk i masakron ndonjë paramilitar serb, por serbët nuk janë të lumtur me faktin që nuk e kontrollojnë tërë Kosovën e shqiptarëve. Elita politike serbe nuk është e lumtur me benifitet që i’a ofron pushteti, meqë këto benifite janë të vjetra për ta, teksa nuk qëndron e njejta me elitën politike të Kosovës, ata janë në ekstazë, sepse para dy dekadash kanë qenë fshatarë të thjeshtë, teksa tash janë milionerë që pyeten për çdo gjë brenda tenderëve të buxhetit që mbushet nga diaspora dhe taksat më të larta në rajon.

Deri sa të ju kalon entuziazmi i veturave luksoze, veshjeve mijëra euro, femrave të bukura, hapjen e dhjetëra bizneseve private prodhuese, ata nuk do të kenë koncentrimin dhe idealizmin për interesat diplomatike të Kosovës në aspektin publik të tërësisë së saj. Kjo sespe, ata po u fokusuan në këto interesa, paraqesin problematikë edhe për Brukselin, që është shumë i interesuar ta pajtoj Serbinë dhe të mos e inkurajoj që të drejtohet totalisht kah Rusia, pra, i bie që Brukseli i ka mbyllur sytë (përmes EULEX-it) karshi etjes së disa fshatarëve të varfër të veshur me pushtet në Kosovë. Brukseli e ka të kjartë që Serbia nuk përfiton më shumë me drejtimin kah Rusia se që do të përfitonte duke u drejtuar kah BE-ja. Por, Brukseli gjithashtu e ka të kjartë, se nacionalizmi serb dhe kultura politike e sociale në Serbi, është shumë fragjile kur bëhet fjalë për lidhjet dhe drejtimin kah Rusia, andaj, procesi është relativisht i ndjeshëm kur dihet se Serbia është vend me ndikim të konsiderueshëm edhe në rajonin e Ballkanit.

Për dallim, elita politike e Beogradit, duke qenë se ka arritur ta shantazhoj me sukses perëndimin, duke e përdorur Rusinë, dhe natyrisht, fuqinë e saj ekonomike më të madhe se që e kanë shqiptarët, ka ndërtuar pozicion dhe interesa me standarde shumë më të larta. Ata kërkojnë BE-në, Rusinë dhe Kosovën, teksa elita shqiptare e Kosovës kërkon garancën për klientelizmin, manipulimin e zgjedhjeve, pushtetin, dhe sidomos imunitetin karshi EULEX-it (që e fituan) dhe Gjykatës Speciale (që sipas meje do ta fitojnë).

Konstatimet e shfaqura në këtë tekst, paraqesin pa ndonjë emocion e dëshirë gjendjen aktuale të ndërtimit të shtetit më të ri në Evropë, ndërtim i cili me gjasë do të krijoj edhe një “sui generis” të ri; shtetin ekzistues që nuk plotëson standardin kryesor për të qenë shtet; “kontrollin e territorit” dhe integrimin e tij  drejt BE-së në marrëveshtje dhe varësi të përhershme nga një shtet fqinj që nuk e pranon si shtet, pra Serbia. Në tërë këtë përshtjellim diplomatik me reflektim në politikën e brendshme në Kosovë, shqiptarët në tërësinë e tyre elitare, do të duhej të analizonin, para se të debatonin e akuzonin njëri-tjetrin për disa vota, çështjen se si mund të përfitohet më shumë në këto raporte gjeopolitike në dëm të shqiptarëve.

Në rast se Kosova do të vazhdonte me servilitetin dhe ecjen e deri tanishme, sigurisht që epilogu nuk do të ishte i mirë për shqiptarët. Ajo ç’farë mund të bëhet, është që Kosova ta neutralizoj Serbinë, në aspektin e marrëdhënieve me BE-në. Rastet nuk janë të njejta, por pa dyshim, që mund të nxirren ngjashmëritë. Nëse Serbia shantazhon BE-në përmes Rusisë, gjë e cila bëhet natyrisht me takt, edhe Kosova do të duhej ta bënte po të njejtën gjë, përmes Shqipërisë. Por kjo nuk duhet të kuptohet si një sfidim i BE-së, me idenë e bashkimit të dy shteteve shqiptare, por me një afrim gjithënjë e më të fuqishëm ekonomik, politik dhe social. Kjo nënkupton menjanimin e “ideve kosovariste” dhe konsultimin e vazhdueshëm të Tiranës për çështje që kanë të bëjmë me ekonominë, politikën dhe në përgjithësi socialen. Nëse BE i kërkon Kosovës autonominë e çdo fshati serb brenda saj, Asociacionin për gjithë territorin mbi Ibër, mundësinë për të vënë veto në çdo çështje të rëndësishme politike, atëher Kosova do të jetë totalisht jo funksionale, dhe e vetmja shpresë mbijetese do të jetë drejtimi kah Tirana e cila mund të përfillet më shumë nga Brukseli pas arritjes së një zhvillimi të brendshëm dhe garance përmes forcimit të marrëdhënieve me SHBA-të, të cilat edhe ashtu ishin derivuesit e futjes së saj në NATO por edhe forcimit të pozitës në Ballkan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test