Kush e «shkatërroi» Vetëvendosjen !?

Opinione

Kush e «shkatërroi» Vetëvendosjen !?

Nga: Sefedin Krasniqi Më: 26 mars 2018 Në ora: 13:24
Sefedin Krasniqi

Ndarja e Lëvizjes Vetëvendosje i ka goditur edhe ata që e duan edhe ata që s’e duan këtë formacion politik. Përjashtim bënë vetëm PDK. Këta, të PDK-së, sikur të kishin mundësi do ta coptonin grimca-grimca me brisk të rruzës. Edhe AAK nuk është larg PDK-së, sidomos qysh se kanë filluar të puthen me afsh, të rrejshëm, në të dy faqet.

Por, më së shumti LVV e kanë ndarë në dysh, vetë Albin Kurti me komesarët politikë të Tiranës. Albini, pasi e ka ditur se një pjesë e kokave të LVV nuk e do për kryetar, atëherë është dashur të reflektojë dhe të gjej një kompromis. Por, Albin Kurti nuk di çka është kompromisi. Në këtë ndërmarrje, aspak inteligjente, i kanë ndihmuar dy struktura shumë të regjura.

E para ka vepruar, siç e ceka, nga Tirana, e cila ishte e bindur që do të ketë vetëm FAKSION e jo fraksion dhe Albinin e nxiste për të kandiduar për kryetar, madje edhe nga burgu ! Dhe, Albini gaboi. Prandaj u ndëshkua me ikjen e 13 deputetëve dhe dy kryetarëve të komunave. Ikja e Shpend Ahmetit e ka tronditur më së shumti Vetëvendosjen !

Struktura tjetër është, do ta quaja, « Klubi marksist i Gjilanit », ku bëjnë pjesë marksistët më të regjuar të Kosovës. Pra marksistët e ditëve të para që dikur kishin formuar OMLK*-në dhe vetë i qëndronin në PARAROJË. Pararoja, disa vite me radhë, u mundua ta marrë « kalanë nga brënda » të LDK-së, por nuk ia doli. Pasi nuk e mori kalanë, iu mbështet Rexhep Qosjes me të cilin deshtuan plotësisht.

Pas luftës, pasi deshtuan ta formojnë një parti, në krye me bardhyl mahmutin, duke i rënë shkelëm LPK-së, iu mbështetën Hashim Thaçit. Kështu, disa vite ma radhë, duke u dredhur e përzhdredhur, janë munduar ta marrin « folen e gjarprit », por nuk ia dolën dhe përfunduan në Vetëvendosje.

Të dyja këto dy struktura, duke menduar se janë më të forta se e bija e SHIK-ut, siç eshte AKI dhe PDK me sistemin e kapur të drejtësisë dhe çdo fushe të jetës në Kosovë, nuk ngurruan ta inkurajojnë Albin Kurtin të kandidojë për krytar të LVV, madje nga burgu, thua se Kosova ishte në luftë.

Albini fitoi pa konkurencë për ta ndarë Lëvizjen VV, të cilën e themeloi vetë dhe për të cilën mendonim se është më e mirë se « folja e gjarprit » për ta qeverisur Kosovën. Kesaj ndarjeje, iu ka gëzuar shumë edhe kori diplomatik, i cili shumë më lehtë do ta bëj Kosovën BOZË me komandantët e Rognerit, të cilët kanë dosje të rënda për krime lufte dhe krime ekonimike.

Këta komandantë të sajuar, në këmbim të dosjeve, po e këmbejnë tokën e Kosovës dhe po vendosin kufij edhe aty ku s'ka mundur t'i vendos as "Cari i Rusisë, as Sulltani i Turkisë"

Në këtë mish-mash, na ka mbetur vetëm të themi, Zoti hajr e bëftë dhe ua theftë qafen komandatëve të rrejshëm për ta shpetuar Kosovën! Ndërsa me LVV s’ka punë Zoti, se vetë Albini ia ka thyer qafen bashkë me klubet marksiste të Tiranës dhe të Gjilanit ! Në këtë ndërmarrje shumë u ka ndihmuar edhe « Foleja e gjarprit »
Veç Zotit, këtyre të « foles së gjarprit » mund t’ua thej qafen edhe populli.
Por, cili popull !?

OMLK*: Organizata Marxiste-Leniniste e Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat