Erdogani dhe Ramushi

Opinione

Erdogani dhe Ramushi

Nga: Lis Bukuroca Më: 1 prill 2018 Në ora: 12:08
Lis Bukuroca

"Ju z. Kryeministër a nuk e dini se Turqia është vendi i dytë menjëherë pas Amerikës që e ka njohur pavarësinë e Kosovës." Erdogani

Ti që na ke njohur i dyti, po sillesh sikur Kosova të jetë e jotja. Sikur të mos na kishe njohur fare, Kosova sot do të ishte shumë më mirë sesa është sot. Ndoshta edhe pa viza. Në Bundestagun gjerman foli edhe zonja Merkel e brengosur për rritjen e ndikimit turk në Ballkan dhe të Rusisë. Edhe pse jeni aleatë! Ata e çliruan Kosovën për ta falur ty, si sallamdi livadh dhe ke bërë në Kosovë çfarë ke dashur vetë.

Jo vetëm ke njohur i dyti Kosovën, por edhe keni bombarduar Serbinë nën komandën e NATO-s, çfarë kanë bërë edhe shtetet tjera, që nuk na e përmendin kurrë. Madje edhe para tyre, deklarojmë se e çliruam vendin vetë! E vërtetë se keni qenë pjesë e atij sulmi, por e vërtetë se keni nxjerrë përfitime nga Kosova, si asnjë ndihmues tjetër. 

Në fakt në vitin 1999 ishit në burg për shkak të “simpatisë me xhihadin dhe përpjekjen për ngritjen e sheriatit në ligj.” Ky ishte citat nga arsyetimi i gjykatës për shkak të poezisë që ke recituar: "Minaret janë bajonetat tona, kupolat janë helmetat tona, xhamitë, kazermat tona."  Dhe, nga xhamitë tona, u rekrutuan qindra veta në varret e Sirisë.

Çfarë duhet të bëjë SHBA, që na ka njohur e para? Të ndërtojë edhe ajo vetëm kisha? Ti nuk ke njohur Kosovën për interesa shqiptare, por i shtyrë nga nostalgjia osmane. E ke treguar në vepër, e ke dëshmuar me miliarda investime në Serbi. E dëshmon me miqësinë me Rusinë dhe me përplasjet e vazhdueshme me Gjermaninë, me Austrinë, me SHBA, me Francën, vende të cilat ndihmojnë mbijetesën tonë me punësim, me arsim dhe ku dëshirojmë ne të integrohemi. 

Vëllezërit tu në Kosovë janë pakicë periferikë. Ke vëlla Hashimin dhe disa asqerë, që mburren me pushtimin pesëshekullor. Neve nuk na duhen vëllezërit që na marrin ndërmarrjet publike me çmime banale, që na komandojnë. Neve vëllezërit na i prodhojnë prindërit. Ju konsideroni vëlla njeriun me besim të njëjtë fetar. Ne, jo! Vëllazëria te ne është lidhje gjaku, jo bindjeje fetare. Ato janë aleanca mesjetare. Ne kemi vëllezër myslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashinj, ateistë, gnostikë e oportunistë. 

Për pesë shekuj pushtim nga Kalifati Osman, Kosova nuk ka pasur aq shumë xhami, sa ka sot kur ti ke fjalën kryesore në Kosovë. Xhamitë dhe kishat kudo janë faltore normale, te ne ke ndërtuar aty, ku edhe nuk ka banorë. Me ty, u kthye pushteti i imamëve si në Iran, por te ne, imamë që duan fenë, por që urrejnë kombin e vet, gjuhën e vet, origjinën e vet, historinë e vet, ardhmërinë e vet. Natyrisht se këta janë pakicë, por pa praninë tënde, nuk do të kishim pasur aq shumë veta që luftojnë stërgjyshërit e vet, që luftojnë vetveten! Ju po dëshironi të korrigjoni vendimin e zotit që besoni. Zoti nuk ka dashur të jemi turq dhe na ka krijuar shqiptarë dhe me gjuhë shqipe! Për një besimtar, kjo është dëshirë dhe vendim i zotit! Zoti nuk gabon!

Ju nuk i njihni mirë shqiptarët. Ne bëhemi fetarë vetëm për interes, por tepër rrallë seriozisht! Shumë prej tyre që sot janë të devotshëm, dje ishin komunistë të rrastë dhe jini i bindur, se nëse dikush u jep lekë, nesër do t’i shohësh ata në kishë!

Vëllai nuk fton në protesta kundër kryeministrit tonë. Ju acaroheni dhe pikëlloheni, pse ai paska marrë një vendim dhe pyesni, kush ju udhëzoi. Ju nuk mund të pranoni që Kosova është e pavarur edhe prej jush. Kosova ka nevojë për miq, për aleatë, jo për tutorë. Ti ke shndërruar Thaçin në evlat, i cili pa të telefonuar, nuk guxon të marrë vendime.  Ti ke ndikuar që Kosova të humbë simpati  dhe t’i shkatërrohet imazhi në Perëndim. Je duke e shndërruar në Anadoll dhe për fat të keq, ke përkrahje edhe nga Thaçi, edhe nga Rexhep Qosja.

Për të parin dimë se ka interes dhe se nuk ka një mik tjetër në botë, por i dyti, i cili ishte edhe udhëheqësi ynë shpirtëror, nuk e kuptojmë më, nuk e marrim vesh më, pse ai pajtohet pa asnjë vërejtje që Kosova të osmanizohet. 

Ai e quan veten ateist, por një ateist, një humanist i atij niveli, nuk përligj kurrë rritjen e ndikimit fetar, ky i joni është përfshirë dhe dalldisur aq shumë, sa miqësinë e përligj edhe me rritjen ekonomisë turke. Kudo në botë një humanist i atij kalibri brengoset kur rritet ndikimi i klerikëve. Ky, jo! Ky rikthimin e obskurantizmit e konsideron si shfaqje normale.

Ky ishte krenaria jonë. Ishte mbikëqyrës i moralit dhe i dinjitetit shqiptar, i patriotizmit shqiptar. Ishte Voltairei shqiptar, ishte iluminist, por edhe adhurues i stalinistit Enver, që kishte rrënuar kisha e xhami. Mirëpo sot, sot nuk ka guxim të shprehë asnjë fjalë, edhe kur ti arreston shkrimtarë e gazetarë, edhe kur e quan Gjermaninë fashiste, edhe kur në Tiranë lexon poezi me apele për Xhihad, edhe kur i kërcënon kryeministrin. Madje edhe kur the se Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të bashkohen Qosja nuk hapi gojën, por mbeti i ngurosur si një përmendore e Budës: Ulur galuc dhe shtirej se nuk ka dëgjuar gjë prej gjëje!

Për të mënjanuar keqkuptimin: Sjellja jote është tipike kolonialiste dhe natyrisht se acarohesh, kur kupton se atyre që shpreson se ua ke kolonializuar trurin, marrin vendime vetë.  Kjo të pikëllon, si një prind kur zemërohet pse fëmija merr vendime. Në aspektin e interesave politike, qëndrimi yt kuptohet, por nuk kuptohen pesë miliardë investime në Serbi, sepse këtë vështrojmë si aleancë serbo-ruse-turke.

Me investimet tua, Serbia do të ketë më shumë avionë luftarakë dhe do të na kërcënojë sa herë t’i teket, sa herë të mendojë se ne meritojmë trishtim. Vëllai ynë nuk e ndihmon Serbinë, por këtë e bën ai që është kundër nesh.

Nejse! Tradita jonë, edhe pse ju nuk na konsideroni shqiptarë, por mbetje osmane, është që miku në çast rreziku të ndihmohet, edhe kur është i huaj. Thaçi e shkeli, zbatoi urdhrin tënd, sepse ti na ke njohur i dyti.  Në Kosovë nuk ndryshon asgjë për të keq, edhe nëse tërheq njohjen! Atë njohje nuk mund ta mbash si shpatë mbi kokë për të na disiplinuar, për të na nënshtruar! Mjaft më me ato pallavra se na ke njohur i dyti, se ke sulmuar Serbinë. Me miliarda investime, me krijimin e dhjetëra mijëra vendeve të punës i ke kërkuar ndjesë Serbisë! Atë vend e kanë sulmuar edhe diku 25 shtete tjera dhe komanda ishte në Bruksel, jo në Stamboll.

E çfarë duhet të bëjë Ramushi ? Ai duhet thjesht të të shpërfill. Duhet shpërfillur një njeri i cili akuzon ushtarët kurdë se po nxjerrin fëmijët para vete, çfarë thoshte edhe Millosheviqi për ne! Njeri i tillë, nuk meriton përgjigje! Ti nuk mund të duash kombin shqiptar, gjersa vret vëllezërit tu kurdë, pse duan lirinë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat