Frika nga policët na e akullonte gjakun ndër deje - Bota Sot
Frika nga policët na e akullonte gjakun ndër deje

Opinione

Frika nga policët na e akullonte gjakun ndër deje

Nga: Gani Mehmetaj Më: 9 prill 2018 Në ora: 23:24
Gani Mehmetaj

- E ku të shkoj? u habit fqinji nga kati sipër, kur e pyeti a do të rrinte apo do të ikte përtej kufirit, disa ditë më parë, kur ende nuk ishte mbyllur kufiri. Rrudhi supet edhe Besmiri, sepse as ai nuk kishte ide çfarë t'i thoshte. 

-Po e braktisëm vendin, kurrë s'do të kthehemi më!- ia ktheu fqinji. T'ia shtonte frikën se po të rrinim, mund t'ua vrisnin familjen, e vlerësoi që s'kishte asnjë kuptim, shqetësimi i fqinjit fliste mjaft, vetëm sa do t'ia shtonte barrën e frikës. Ta ftonte në bodrum s'kishte vend. Atë e ndoqi fati i të tjerëve, e shpërngulën me dhunë.

Parafytyronte jetën jashtë bodrumit: shushateshin banorët në apartamente me veshët e mprehur si antenë televizori, prisnin kur do t'u futeshin brenda policët apo paramilitarët, i dëgjonte klithmat e atyre që i nxirrnin nga banesat, ua shihte gjymtyrët e poshtme nga dritarja e vogël. Athua sa familje mbetën në hyrjen e tyre e në godinën ngjitur? pyeste sa e sa herë. Nuk e dinte ku ikën, apo ku i dëbuan . Secili u gjend sipas çastit.

Besmiri e kujtonte shpesh se si u vendos në bodrum, sepse koha i tepronte, në zënkat e grave e dy pleqve zevzekë nuk merrte pjesë, nuk ndërhynte as t'i qetësonte. Si sot para dy javësh, kur të tjerët silleshin vërdallë, duke e shtrydhur trurin nga t'ia mbathnin, sepse u druanin masakrave apo arrestimeve në masë, ai i dha karar të rrinte. Mbase rastësisht, mbase e kishte menduar një kohë të gjatë, sidoqoftë vendosi të mos ikte nga pallati. Para se të mbyllej në bodrum, ndërsa e mbushi me zahire e mbulesa shtrati çerdhen e ardhshme familjare, provoi ta bisedonte me komshiun, Stojanin, çështjen e sigurisë së familjes. I ati pesëdhjetë vjet më parë e strehoi një familje serbe në kohë lufte, prandaj nuk ngurroi t'ia kërkonte ndihmën një familjari tjetër serb, pavarësisht ftohtësisë e armiqësisë që mbizotëronte në mes tyre. Ia hapi punën e sigurisë, ia pranoi se frikësohej për fatin e familjes, e luti ta fuste nën sqetull, kur të vinin kontrollet e paramilitarëve, por ai para se ta përfundonte fjalinë rrudhi supet, duke iu përgjigjur në dialekt: "Zoti ta baftë qaren!" 

- Derisa unë flisja, Stojani shihte majtas e djathtas, druante që do ta shihnin të vetët me mua. Nuk ishte mirë për të po ta shihnin që bisedonte me zë të ulët me mua, ashtu sikurse do të dyshonin në mua, po më panë me një të kopesë së tyre. Mbase mund të më quanin spiun.

Fqinji im e pa që më mbeti hatri, isha i vetëdijshëm se e vura në vështirësi, por unë nuk shihja rrugëdalje tjetër, s'dija si të veproja, ndërsa ai s'dinte as nuk guxonte të më ndihmonte. Një herë më mbeti hatri, madje nisa të mendoja edhe për të si për gjithë të tjerët, më vonë e arsyetoja". 

Mbeta në korridor i hutuar, u dëshpërova në përgjigjen e komshiut, inatosesha me veten pse ia kërkova ndihmën, më mbërtheu depresioni që s' gjeta mirëkuptim. Prapë nuk më vinte ndër mend asnjë ide tjetër. Me gruan shtatzënë e kalamajtë e vegjël, vështirë mund të lëvizja gjetiu. Megjithatë gjeta zgjidhje, gjërat i bëra në fshehtësi të tillë, saqë isha i sigurt që askush nuk e dinte. Fshehurazi barta plaçkat nga banesa, duke iu shmangur çdo ballafaqimi në shkallë apo në korridore. Bleva edhe gjëra ushqimore në qytet derisa.

Disa ditë pasi u futëm brenda, më zgjoi nga gjumi rrëmuja e zhurmshme e bastisjeve që na ngjethi shtatin, na trallisi, na frikësoi për vdekje, u mblodhëm kruspull. E ndiqnim me vëmendje derën. Frika nga policët na e akullonte gjakun ndër deje. Ditët e dëbimeve u bënë makth. Dëgjonim nëpër korridore, kur iknin ata që nuk ishin të tyre. Nga copat e dialogëve e dinim cilit komb i përkisnin. Parakalonin të tjerë me një bohçe a valixhe nëpër trotuare. Ndërkaq, banorët e bodrumit, të shushatur e të frikësuar, me sytë e gapërruar e veshët e picërruar u bënë dëshmitarë të vajeve të fëmijëve e britmave të policëve. Secilit prej tyre i dukej sikur zgjatën një shekull dëbimet.

-Babi, a do të vijnë edhe te ne policët?- më pyeti vajza dhjetë vjeçe.

E pashë me vëmendje. Duke e vonuar përgjigjen, ia ktheva:

-Nuk mund të futen brenda, e kemi derën e hekurt!

Fortësia e derës i krijoi siguri. Megjithatë babai nuk e pati asnjëherë sigurinë e saj për derën e për bodrumin. Një herë mendonte se është çështje ditësh, kur do të futeshin brenda me rrëmbim, por nuk ua tha të tjerëve, më vonë pati përshtypjen se nuk do të shkojnë shumë ditë e do t'i  nxirrnin jashtë, ashtu sikurse i nxirrnin njerëzit nga apartamentet. Dikur nisi të besonte se mund të kalojnë javë pa i zbuluar. Ditët kalonin disi, por netët u bënë të frikshme. Nuk u druanin bombardimeve, i bindi edhe të vegjlit se bombat, të cilat e dridhnin themelin e ngrehinës, nuk drejtoheshin kundër tyre, ato e luftonin armikun. Bombardimet dukeshin pika më e ndritshme e ditëve e netëve të zymta të familjes së përzishme që përgjonte nga thellësia e bodrumit zukamën e avionëve në qiellin e kthjelluar. Nuk i shihnin as bombat, as aeroplanët, as shpërthimet. S'kishin si i shijonin këto pamje, të cilat një ditë më vonë i përshkruante ndonjë raportues në radio.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test