Politika mbushi kupën, në Kukës nisi derdhja

Opinione

Politika mbushi kupën, në Kukës nisi derdhja

Nga: Azem Parllaku Më: 12 prill 2018 Në ora: 18:41
Azem Parllaku

Kur ende nuk kishin kaluar 24 orë nga koha kur ministri i Finacave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me një përfaqësi biznesi në Kukës, qyteti verilindor i Shqipërisë, vijon të mbajë ndezur revoltën jo vetëm atë popullore, por edhe atë politike, e cila u demonstrua në seancën e Kuvendit të së enjtes. Kuvendi i Shqipërisë njohu tension, përplasje, konfrontim fizik dhe miell mbi kokën e kryeministrit Edi Rama. Lulzim Basha dhe mënjëherë ish-kryeministri Sali Berisha kërkuan përjashtimin e Edi Ramës nga seanca e Kuvendit. Në fjalën e tij, ish-kryeministri Berisha u shpreh se duhet nxjerrë jashtë njeriu që urren kuksianët.

Në seancën e Kuvendit, u dëshmua se si, PD-LSI, kërkojnë të fitojnë kredite pas revoltës së 31 marsit në tunelin e Kalimashit, ndërsa nga ana tjetër si Rama synon që këtë revoltë t'a sfumojë duke i dhënë ngjyrime politike. Në fakt protestuesit kuksianë kanë kërkuar të mos përdoren politikisht, pasi PD, PS, LSI, janë njëlloj fajtore në mbushjen e kupës prej vitesh me neglizhencë ndaj qarkut më të varfër në vend, siç është Kukësi. Arthur Kutallari, një nga aktivistët e pavarur të Kukësit thotë se; "Dora e shtetit zgjatet në sofrën kuksiane vetëm për të rrëmbyer, por asnjëherë për të shtuar një çapë bukë, qoftë edhe thatë". E në fakt ka disa arsye që çojnë në këtë konkluzion. Edhe pse mban ekonominë e vendit me minierat, Hidrocentralin e Fierzës, doganat, etj, për shkak të varfërisë, papunësisë dhe shpenzimeve qeveritare, Kukësi është kontributori më i vogël me vetëm 2 % në GDP- e vendit. Pastaj, edhe qeveria, nisur nga kjo, ndan pak para për pushtetin lokal. Historitë me vjedhjen pa kriter të nëntokës, shkatërrimin e rrugëve rurale dhe kombëtare nga kamionët që e transportojnë, mos pagesa e taksës minerare që me ligj i shkon qeverisë lokale, mos pagesa e sigurimeve dhe kushteve teknike për minatorët, janë disa nga pasojat e zjarrit në Kalimash.

Mbyllja e "Universitetit të Kukësit", me studentë mbi mesataren, më cilësorë se i Vlorës apo Gjirokastrës, ishte gropa tjetër ekonomike që qeveria hapi në familjet kuksiane të cilat në gjitha statistikat kryesojnë numrin e studentëve për frymë. Historikisht Kukësi ka qenë pika kyçe ndërlidhëse ku shqiptarët kanë udhëtuar dhe takuar në momente kyçe të historisë. Nga Kukësi është lidhur Shkodra me Prizrenin, me Tetovën nga "Gryka e Vanave", me Dibrën nga "Qafa e Kolosjanit". T'i vendosësh trarë në rrugë një kombi që ka vuajtur për 50 vjet izolimin, qoftë edhe kur arka e shtetit është bosh, më shumë se shqetësim ekonomik, është padrejtësi ndaj tij. Të ankohesh çdo ditë për arka shteti bosh, të bësh çdo fushatë premtime, dhe të dalësh të propozosh ndërtimin e një aeroporti në Vlorë kur ai i Kukësit po degradon, është karshillëk ndaj një qyteti, jo strategji ekonomike.

Në Kukës po ndërtohen pa kriter HEC-e, duke shkatërruar aspektin turistik, por aq më keq atë bujqësor, pasi pjesa më e madhe e fshatrave nuk do kenë më ujë për vaditje. Liçensat për këto përbindësha janë dhënë pa bërë asnjë studim, po u konsultuar me banorët, pa evidentuar tokat që do mbeten djerrë. Si pasojë e ndërtimit të HEC-it të Fierzës, Kukësi sot ka vetëm 25 mijë hektarë tokë bujqësore, jo vetëm më e ulta në vend, por dhjetëra herë më e ultë se rrethet e tjera. Këto toka janë mbytur për të elektrifikuar vendin pa asnjë dëmshpërblim për pronarët e tyre. Kukësi është kontributori më i madh demografik pasi numri i lindjeve është 15 për 1 mijë, por asnjëherë qeveria nuk i ka mbështetur familjet kuksiane, e tashmë në fund hoqi dhe dy mijë familje nga skema e ndihmës ekonomike. Në Kukës lindin fëmijë, bëhen 14 vjeç dhe çohen gati për punë së Europë. Gënjeshtra qeveritare për kultivimin e bimëve medicinale se sherebeleja dhe boronica kanë zhytur në borxhe qindra fermerë që u futën plugun qindra hektarëve të mbjella si pasojë e bllokimit të tregut, uljes katastrofike të çmimit dhe mashtrimit për subvencion. Ishte dhe kjo pjesë e kupës që nuk mbajti më. Talljet konstante për stimulimin e mbjelljes dhe mundësitë e tregtimit të patates së Kukësit, më cilësores në rajon, janë pjesë e mbushjes së kupës, ashtu sikurse etiketimet e shpeshta si alpinë, shpellarë, malokë, barbarë, popull që nuk i ngrihet. Nga 31 marsi e deri sot kuksianët u kanë sjellë në vëmendje të gjithë shqiptarëve Faik Konicën i cili thotë "Kush e shkon kohën me ëndrra të bukura, ka frikë të zgjohet". Shqiptarët nuk kanë më frikë, sepse kanë zemër. Ata e duan edhe realitetin të bukur, e jo vetëm ëndrrat e bukura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat