Trishtimin e vetmisë e shtonin mjaullimat e maceve të braktisura - Bota Sot
Trishtimin e vetmisë e shtonin mjaullimat e maceve të braktisura

Opinione

Trishtimin e vetmisë e shtonin mjaullimat e maceve të braktisura

Nga: Gani Mehmetaj Më: 17 prill 2018 Në ora: 09:06
Gani Mehmetaj

Ishin larg nga unë, prandaj asnjëherë nuk e dëgjova asnjë dialog, por kjo nuk më pengonte të imagjinoja se si bisedonin me viktimat, si u drejtoheshin, cili ishte intonacioni i zërit të tyre e detaje të tjera. Nga lëvizjet e imagjinoja se si i përqeshnin me cinizëm viktimat: - Shih, shih! - ia priste mujshari i parë, -ende sillesh si hut nëpër qytet, ndërsa duhej të kaloje bjeshkët.  - Reagimin e viktimave nuk e kapja, i mbyllnin në çark, kështu që vetëm me të rrallë u shihej koka.

Mujshari tjetër e pyeste: -Të mori malli për ne? - dhe i binte befas me grusht të fortë në stomak, duke e lënë pa frymë. Sapo këndellej fatkeqi, sepse një kohë i duhej të ngopej ajër, ia nisnin serinë e re të goditjeve. Një i dytë e godiste në fytyrë, i treti i binte në kërcellin e këmbës me shkop bejsbolli, saqë viktima rrëzohej i këputur me britmë të mbytur, ose mua më vinte britma e tillë. Donte të ngrihej, por tjetri e godiste me shqelma fytyrës. Viktima nuk bënte asnjë përpjekje t'u shmangej goditjeve, i nënshtrohej fatit. Dikur nuk lëvizte më.

Me sy të mbyllur largohesha nga vrima ime. Nuk doja ta shihja botën e tmerrshme. Në pafuqi të bëja çfarëdo qoftë, një herë sillesha vërdallë nëpër birucën e ngushtë, kafshoja nyjat e gishtërinjve, shtrëngoja nofullat e turfulloja si kali në lëmë. Nuk e di ku e shpinin viktimën. Kur kthehesha, mujsharët rrinin në hije e pinin birra si të mos kishte ndodhur asgjë. 

Ky grup kriminelësh me shkopinj ma kujtonin grupin e kolonëve serbë që na terrorizuan dy orë para disa vjetësh, në një katund në rrugën magjistrale Pejë-Prishtinë. Policia na zbrit nga autobusi, i zbriti edhe udhëtarët nga veturat, përderisa katundarët serbë me shkopinj druri, të rreshtuar në të dyja anët e rrugës na godisnin mizorisht. S’kishe çka mbroje më parë: kokën, trupin apo organet gjenitale, sepse ata të binin kudo, ndërsa dëgjoja britmat e njerëzve, apo klithmat e mujsharëve, kur i jepnin zemër njëri-tjetri: -Bjeri, bjeri!  - S'kishte pjesë trupi që s'na dhembte, asnjë masazh a lëkurë deleje s'na ndihmonte. Sa shumë energji e forcë negative mbartnin këta katundarë të ndërsyer. Të njëjtën energji e mbartnin edhe mujsharët e udhëkryqit që i sodisja çdo ditë. Po t’i pyesje: nga kjo urrejtje?  Do t'i hutoje, vështirë do të jepnin një përgjigje të artikuluar. Mbase do t'i mbërthente e qeshura histerike.      

Furriku im në katin e fundit të rrokaqiellit, në mansardë, m’u bë televizor me ngjyra, nga i shihja të gjitha. Ndonjëherë i thosha vetes: “Nuk do të shikoj më, janë pamje të padurueshme”, por prapë me t’u grumbulluar njerëzit në udhëkryq pranë shitores, i gapërroja sytë e nuk shqitesha.

Nuk ishte ndjenjë e këndshme të kaloja ditën e natën në furrikun tim, një birucë e vogël, ku mezi shtrihesha në një shezlong vere. Bënte ftohtë si asnjëherë në këtë kohë, frika ma bënte të ftohtit edhe më dëshpërues. Asnjëherë nuk m’u ngroh trupi, as atëherë kur vapa shpërthente nga asfalti e avullonte nga tarraca. Në furrikun tim kurrë nuk binte dielli.

Trishtimin e vetmisë e shtonin mjaullimat e maceve të braktisura. Endeshin korridoreve, dilnin edhe në çati. Qentë ulërinin vajtueshëm natën, nuk mësoheshin pa pronarë. Minjtë nuk i frikësoheshin askujt. Në territorin e tyre, brenda furrikut tim, lëviznin pa drojë ditën e natën. Macet nuk futeshin këtu, megjithëse do të më shpëtonin nga minjtë, nuk i lejoja, sepse do të më zbulonin me mjaullima. Prandaj minjtë po bëheshin gjithnjë e më të guximshëm, ndiqnin njëri-tjetrin jo vetëm natën, por edhe në pikë të ditës. Ishin të vetmet qenie tokësore që nuk frikësoheshin nga bombardimet, as nga paramilitarët. Klithmat e natës nuk u bënin përshtypje. Më dhimbseshin qentë. Ata nuk mësoheshin ta gjenin ushqimin. Ishin qen apartamentesh, qen qyteti. Disa net me radhë  e dëgjoja lehjen në rrugë e përreth plehrave. Ndërkaq plehrat askush nuk kujdeset t’i hiqte.

Në këtë mbrëmje të lehjes së qenve më doli parasysh qenushi i bardhë i familjes fqinje në apartamentin ku banoja. Një çift i ri me dy fëmijë për dore ecnin në turmën e të dëbuarve, kurse qenushi i bardh lehte e u shkonte prapa i zemëruar që e lanë. Njerëzit në hall e shihnin me dashamirësi. Dikush i buzëqeshi, një tjetër ia lëshoi rrugën, të tjerët shmangeshin të mos e shkelnin. Befas njëri nga policët ia dha një shqelm duke e përplasur për trotuari. Qenushi vajtoi dhimbshëm. Dy vogëlushet klithën të llahtarisur. Babai e nëna i tërhiqnin zvarrë fëmijët, duke u përpjekur që ata të mos e shihnin gjendjen e qenushit. Polici tjetër e shkeli egërsisht në bark kafshën e brishtë që përpëlitej për jetë a vdekje. Pamja të tmerronte: një grumbull mishi e të brendshme u shpërndanë në trotuar. Nëna ua mbylli sytë fëmijëve, shumica e banorëve që i nxorën nga banesat, kthyen kryet anash, të mos e shihnin kafshën e vogël, nga e cila nuk mbeti asgjë. Nuk të besohej se pak më parë qenushi i hareshëm e i zemëruar lehte plot gjallëri.

Polici shante e shikonte këpucën e tij ushtarake të zhlyer. Do të doja që dy vogëlushet të mos e kenë parë të përkëdhelurin e tyre në atë gjendje. Skena nuk m’u hoq nga mendja kohë të gjatë. 

Ndërkaq, netëve vetmitare, mjaullimat e maceve e ulërimat e qenve nisën të më faniteshin në gjumë. Një herë më doli edhe qenushi i bardhë. Zgjohesha trembshëm, nën përshtypjen sikur përpiqesha t’i qetësoja, i lusja të heshtnin, të largoheshin, sepse do të më merrnin në qafë. Më trembte për vdekje edhe rrapëllima e hapave korridoreve. Kjo më zinte herë në gjumë të thellë, herë i përhumbur në mendime. Makthi më mundonte. Shpesh zgjohesha i mbuluar në djersë, veshët më ushtonin nga mjaullima e maceve, ulërima e qenve e  rrapëllima e hapave. Mbase bërtisja në gjumë, mbase britmat i imagjinoja. Sa e merrja veten, gëzohesha që ishte vetëm ëndërr. Por, më mbërthente frika: “ Po ta kenë dëgjuar klithmën time?” Ata shpesh thyenin dyert e apartamenteve duke kontrolluar se mos ka mbetur kush. Në tarracë nuk erdhën asnjëherë. Ç’do të bëja po të vinin? Të kërceja nga çatia? T’i prisja të më thernin?

Me orë të tëra prisja me veshët e ngritur si lepuri në gëmushë. Më mbërthente sërish gjumi i rëndë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test