Shqipëria në kufirin e gjendjes që duhet të përfundojë

Opinione

Shqipëria në kufirin e gjendjes që duhet të përfundojë

Nga: Azem Parllaku Më: 23 prill 2018 Në ora: 16:53
Azem Parllaku

Në librin e tij të fundit "Çdo hap duhet të jetë një qëllim", ish-Presidenti i Francës, Zhak Shirak, shkruan se shumë shpesh, ata që flasin për krizën shohin aty një lloj kataklizmi. Është absurde, vazhdon ish-Presidenti. Kriza nuk është një mbytje, por një rirregullim. Nuk është fundi i botës, por origjina e një rregullimi të ri. Pohime si këto, sigurisht, kanë të bëjnë me krizat e mëdha, që mbështjellin herë pas here gjithë botën. Por, logjika e tyre vlen edhe për krizat e vogla, sektoriale apo kombëtare që përjetojnë politikat dhe proceset në vende të caktuara.

Në thelb, krizat lindin në kufirin midis një gjendjeje që duhet të përfundojë dhe një gjendjeje që duhet të nisë. Teksa u bë publik raporti i fundit për Shqipërinë i Departamentit të Shtetit në SHBA, gjendja në të cilën ndodhet Shqipëria, është më e rënda, që mund të ketë përjetuar ndonjëherë në dekadat e fundit. Thënë troç: Shqipëria është në kufirin e gjendjes që duhet të përfundojë. Partia Zgjidhja e priti me shqetësim raportin e fundit të Departamentit të Shtetit në SHBA, ku theksohen një seri problemesh për demokracinë, rendin dhe ligjin në Shqipëri. Kryetari i Zgjidhja-s, Koço Kokëdhima, thotë se: "Raporti i fundit i DASH është një nga më kritikët, që është bërë për Shqipërinë në këto 25 vitet e fundit". Në fakt raporti i DASH, konfirmon shqetësimet dhe kauzat kryesore, që Zgjidhja ka ngritur mbi gjendjen ku ndodhet sot vendi jonë.

Për një vend si Shqipëria, ku zgjedhjet blihen, ku qeverisja është e korruptuar, ku drejtësia dhe mediat janë të kapura dhe nën presion e sulm qeveritar, deomos është koha e një gjendje që duhet të nisë. Qeverisjes së Edi Ramës i është ngritur padi nga miku dhe aleati më të madh të popullit shqiptar, ndërsa për këtë të fundit, si në aspektin politik ashtu dhe atë ekonomik, perspektiva nuk pritet të përmirësohet. Përderisa, vendin e republikës e ka zënë tirania e krimit dhe korrupsionit, e nesërmja parashikohet e zymtë. Zgjidhja ka paralajmëruar dhe u thotë çdo ditë shqiptarëve se; partitë e vjetra PD, PS, LSI, janë njësoj, janë në një konjukturë, vjedhin bashkë në marrëveshje, alternohen me rradhë dhe mbajnë njëra-tjetrën në pushtet e opozitë, e kanë mbyllur tregun, duke uzurpuar zgjedhjet dhe kanë shkatërruar liritë dhe konkurencën në politikë, ekonomi dhe në çdo fushë tjetër.

Zgjidhja ka denoncuar dhunimin e të drejtës së pronës, vendosjen e taksës për biznesin e vogël, e cila rrit çmimin e produkteve, që tregetohen nga kjo kategori biznesi, ndërkohë që, favorizon monopolet dhe ul konkurencën e biznesit në krahasim me bizneset e vendeve të rajonit. Ka denoncuar kontratat koncesionare me vlerë miliarda lekë për projekte, studime, shërbime, porte, rrugë e prona të ndryshme shtetërore. Për kryeministrin Edi Rama, kjo strategji e shumëkritikuar nga vetë ai kur ishte në opozitë, tashmë sipas tij e suksesshme, nuk u ndal. Rama punoi fort me të ashtuquajturën risi e vitit 2015, marrëveshjet e Partneritetit Publik Privat (PPP). Partneriteti Publik Privat në fakt është në thelb e njëjta gjë me koncesionet. Me veprimet e tij Rama nuk mundi të ndryshojë konceptin e krijuar në publik se koncesionet apo PPP, i varfërojnë shqiptarët, mbasi praktikisht ato u'a dha kompanive të caktuara me lidhje të afërta me pushtetin, dhe jo për të përmirësuar një shërbim në një fushë të caktuar. Kur çdo qytetarë i Shqipërisë, ka mësuar çfarë shkruhet në raportin e DASH, qeveria ende nuk ka reaguar.

Kryeministri Edi Rama tha disa ditë më parë në një konferencë të përbashkët shtypi me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini se Komisioni Europian, duke dhënë rekomandimin për hapjen e negociatave me BE-në, kishte njohur përparimin që ka bërë Shqipëria në reformën gjyqësore, në luftën ndaj krimit dhe përparime në fusha të tjera, por Departamenti i Shtetit thekson në raport se problemet janë më të konsiderueshme.

Ky raport është fotografia e vërtetë e përmasave tronditëse. Kryetari i Komitetit Europian në Bundestag, Gunther Krichbaum (CDU), siç duket e ka seriozisht kur e lexon këtë fotografi, në të cilën Shqipëria ende nuk është pjekur për hapjen e negociatave. "Korrupsioni dhe niveli i lartë i krimit të organizuar janë një problem" theksoi Krichbaum sot për gjermanen "Tagesspiegel". Për Zgjidhja-n si parti, me angazhimin e njerëzve të përgatitur profesionalisht, patriotë, të pa përfshirë deri tani në politikën që, mban peng të ardhmen e shqiptarëve, dhe në kohën, kur vendi është mbërthyer nga kthetrat e korrupsionit dhe krimit të organizuar, më shumë se kurdoherë, është koha e gjendjes që duhet të nisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat