Kryqëzimi në shtyllën elektrike - Bota Sot
Kryqëzimi në shtyllën elektrike

Opinione

E shtunë, 20 tetor 2018

Kryqëzimi në shtyllën elektrike

Nga: Gani Mehmetaj Më: 25 prill 2018 Në ora: 09:22
Gani Mehmetaj

Nuk e di ku e kapën, kur e lidhën, nuk e dija as cili ishte shkaku, por me t'u këndellur nga gjumi, pashë një fatkeq të mbërthyer për shtyllën elektrike. Vështirë t'u besoje syve: një burrë i gozhduar? Nisa të dyshoja. Mos më vinte ndonjë shajni, mos e kisha nga filmat që më ngatërroheshin me realitetin: një burrë i kryqëzuar! Jo një herë shkëlqimi i një drite i mbështillej flokëve të zbërdhylura. Mbase mua më dukej ashtu nga gjumi i paqetë dhe nga tronditja. Mos kisha halucinacione? Zëri nuk i vinte deri tek unë. Mbase ai nuk rënkonte fare. Pamja e të panjohurit, të lidhur këmbë e duar më la pa frymë. Çfarë u kishte bërë? Ku e kapën? Nisja të pyesja veten në heshtje. Athua ta kenë rrahur para se të më dilte gjumi? Me rroba të shqyera, fytyra që nga larg i dukej e ënjtur. Fytyrën nuk ia shquaja si duhet, dukej si copë mishi e nxirë. 

Si të donin të ma hiqnin mëdyshjen, policët nisën ta godisnin të mbërthyerin në shtyllën elektrike me të gjitha mjetet rrethanore: qytë pushke, shkop bejsbolli, grushte. Herë e godiste njëri, ndërsa tjetri qeshte, herë e godiste i dyti, ndërsa priste reagimin e shokut të vet, për të vazhduar me intervale e me radhë. Dy policë e godisnin me ndërrime. I treti i vrojtonte me mospërfillje. Më befasoi kur ai që rrinte ulur u ngrit me birrë në dorë, duke iu afruar të kryqëzuarit, shishen ia mati afër buzëve. Fatkeqi nuk reagoi, ndërsa polici e derdhi mbetjen e birrës para tij. Dhe zgërdhihej.   

Hoqa sytë nga ajo pamje e shëmtuar, ktheva kokën nga apartamentet përreth. Sytë më shkuan në njërën nga dritaret e banesës në katin e parë. Më dridhi si korrent me tension të lartë pamja: një grua me dy fëmijë qanin. Qelqet e dritares ua nxirrnin fytyrat e deformuara, sepse e kishin ngjeshur fytyrën e hundën në qelqe. Ma mori mendja se ata po shihnin lemeri në babanë e tyre. Si mbeti kjo familje fatkeqe këtu, në gojën e ujkut, nuk e qartësova as më vonë. 

I shpëtuan valës së parë të dëbimeve, iu shmangën valës së dytë të tërbimit, mbase do të shpëtonin deri në fund të luftës me kujdes të shtuar, sikur të mos i denonconte dikush. Ose një pakujdesi me zërin e ngritur, një përpjekje për t’u furnizuar me ushqime, një bastisje e re në valën e tretë të kërkimeve dhe ata po e paguanin shtrenjtë fshehjen me gjithë urdhëresën që ta braktisnin apartamentin. Sa afër paramilitarëve kishin qenë. Sa frikë e tension deri në çastin kur i kapën.  

Fatkeqin e nxorën nga apartamenti, ku ndenji i ngujuar me javë. Sa do të doja që ndonjë nga këto bombat e natës, që ma zbukuronin mbrëmjen, të plasnin në pikë të ditës në udhëkryqin e urrejtshëm, duke e shuar shitoren e paramilitarëve. Do të ma ndreqnin ditën e zymtë, do ta festoja me javë, në heshtje majë çatisë. Sikur t'i kishte goditur ndonjë bombë fatkeqi i mbërthyer në shtyllën elektrike do të shpëtonte nga torturat dhe nga poshtërimi. Sërish e kapa veten se si shkrepja breshëri plumbash mbi mujsharët. 

Dikur policët pushuan së godituri fatkeqin e kryqëzuar. Hoqa sytë edhe nga dritarja e apartamentit. Vaji i tri figurave të deformuara në qelqet e dritareve më trishtonte. 

Viktima nuk lëvizte. Ta kenë mbytur? M’u mbush mendja se vdiq. Do ta lënë aty apo do t’ia kthejnë familjes? Policët u larguan nga viktima, ai rrinte i mbërthyer në shtyllën elektrike. Ata nisën të pinin birrë mu si argatët që pasi punojnë me zell, e shuajnë etjen me ëndje. 

Më kapi një marramendje. Kjo më përsëritej shpesh ditëve të fundit pas ndonjë tronditjeje apo pafuqie të ndihmoja në këso situatash. Nga tensioni më koti gjumi. 

Pas mesit të natës viktima e kryqëzuar në shtyllën elektrike qëndronte aty. Nuk lëvizte, koka i rrinte e lëvarur. E shikova gjatë. Hëna i binte për së kithi, duke ia ndriçuar pjesën e sipërme të shtatit me këmishë të grisur. Këmbët nuk i dukeshin. Në një fraksion minute ai lëvizi trupin. Mujsharët nuk i shihja, por e dija se aty gëlonin. Çdo natë bënin rojë ata ose ndërrimi tjetër. Zhdukeshin për aq kohë sa zgjasnin bombardimet. 

Hapa derën kur hëna u fsheh prapa reve, por sakaq u tërhoqa prapa kur hëna doli sërish në cepin e një reje. Hëna lojcake, luante me dritëhije, duke e ndriçuar apo errësuar trupin e viktimës, ndriçonte e errësonte copa të qytetit e rrokaqiej të përgjumur. Gati më zbuloi hëna që fshihej prapa cuklave të reve, kur doli befasisht. Një kohë të gjatë e ndoqa pamjen e shtatit që nuk lëvizte, fytyra vetëm sa i bëhej më e zbehtë, më flurore, në profilin që ia ndriçonte hëna. 

Me pamjet e profilit të fatkeqit bëra gjumë të rëndë. Çuditërisht nisi të më ngatërrohej imazhi i burrit të kryqëzuar në shtyllën elektrike me një grua. Vuajtjet e burrit u shndërruan në vuajtje gruaje, e mbërthyer në të njëjtën shtyllë elektrike. Nga balli e nga buzët e çara i rridhte gjak. Nuk e shquaja mirë figurën e gruas së përvuajtur e të mbërthyer në kryq, që më shndërrohej, më përzihej herë me një pamje filmi, herë më dilte një grua e njohur. "Por", nisa ta sqaroja veten, "në kryq e vunë një burrë e jo një grua". Dikush brenda meje më thoshte se burrin e zëvendësuan me grua, burrin dikush e hoqi natën e varrosi dhe e vunë gruan. Prapë më ngatërroheshin pamjet e një filmi, me pamjet e asaj që pashë. 

"Cila grua të jetë kjo?" pyesja veten me zë. M’u kujtua: gruaja e mbërthyer në shtyllën elektrike, e mbuluar me gjak kokë e këmbë ishte mjekja e re. Ajo seç pëshpëriste. Vetëm buzët ia shihja. Nuk e di se si iu afrova, e ndjeva në fëshfërimën e ajrit fjalën "Ndihmë!" U stepa, nuk dija si ta ndihmoja. Doja t'i flisja, por asnjë tingull nuk më dilte nga gurmazi. Përreth i silleshin dy engjëj. Edhe ata më kujtoheshin: ishin kalamajtë që ecnin shkallëve të pallatit me nënën e tyre. Ata përpiqeshin ta zbrisnin nga shtylla. Njëri e tërhiqte për fustani, tjetri arrinte t'ia kapte majat e gishtave. Ajo përpiqej t'i shikonte, por nuk mund ta lëvizte kokën.

Hëna e zbehtë prapë e ndriçonte fytyrën edhe më të zbehtë të gruas së re, të mbërthyer në shtyllën elektrike. Dy kalamaj si dy engjëj vazhdonin t'i silleshin përreth, duke u përpjekur ta shqisnin nga kryqi. Gratë tjera të mbërthyera në shtylla elektrike shtriheshin në qindra kilometra rrugë të asfaltuar e binarë të hekurudhave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test