Serbia historikisht kërkon atë që nuk i takon

Opinione

Serbia historikisht kërkon atë që nuk i takon

Shukri Ymeri Nga Shukri Ymeri Më 4 maj 2018 Në ora: 17:36
Pamje nga Mitrovica

Rregullisht Serbia ka lobuar nëpër botë kundër Republikës së Kosovës duke e prezentuar atë si shtet të "vetëshpallur", mirëpo kohëve të fundit ka ndëmarrë edhe një fushatë tjetër të egër diplomatike. 

Fushatë të cilën shteti serb po e zhvillon në dy drejtime: 1. Ajo në mënyrë intenzive përmes kontakteve dhe vizitave në vendet, që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, lobon kundër njohjeve të reja. Diplomacia serbe po i përdorë të gjitha format dhe mjetet e propagandës së saj, për çka ndër shekuj është e specializuar, duke u munduar të paraqes Kosovën si shtet islamik të paqëndrueshëm dhe si faktor destabilizues të rajonit, gjë që nuk përkon aspak me realitetin. 2. Agresiviteti i kësaj politike konspirative shkon aq larg, sa që diplomacia e tyre po i bënë presion edhe shteteve që kanë njohur Republikën e Kosovës, për t’i tërhequr njohjet e tyre. Mirëpo duke iu falenderuar shteteve mike të Kosovës, e në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, Serbia sikurse ka filluar të zmbrapset. Këto dy shtete haptazi ia kujtojnë Serbisë se në qoftë se vazhdon me këtë politikë, atëherë ajo do të ndeshet me pasoja. Duke parë se nuk gjenë përkrahje për këto sjellje diplomatike nga bashkësia ndërkombëtare, serbia filloi ta ndryshojë kursin e saj. Ditëve të fundit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, doli me një deklaratë se gjoja Serbia do të  mund ta njeh Republikën e Kosovës, por për këtë kërkon kompenzim nga faktori ndërkombëtar. Në të njejtën linjë është edhe kryeministrja e Serbisë, zonja Bernabiq, e cila thotë se do të nënshkruajë çdo dokument për Kosovën, që do të ishte në interes për prosperitetin e Serbisë.

 Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, si organizatë e vetme legjitime dhe më e fuqishme e mërgatës shqiptare, përcjellë me shqetësim këto “lëvizje” anti- shqiptare të Serbisë. Lobi Euro-Atlantik Shqiptar konsideron se prapa këtyre deklaratave fshihen dy prapaskena të errëta që janë plotësisht të papranueshme, të cilat cenojnë të ardhmen e sigurtë të Republikës Kosovës. E para, Serbia si kompenzim për njohjen e Republikës së Kosovës, kërkon ndarjen e saj prej lumit Ibër duke përfshirë Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, e deri në kufi me Serbi. E dyta, ajo me këmbëngulje kërkon themelimin sa më të shpejtë të Asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, që do të ishte një "serbska republikë" brenda  Kosovës. Në dy variantet, këto territore do t’iu bashkangjiteshin Serbisë. Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, dënon politikën hegjemoniste serbe, sepse përmes veprimeve që bien ndesh më të drejtat ndërkombëtare po tenton ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor, dhe jo vetëm, duke shkaktuar kriza të reja me pasoja të paparapara. Ne i bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës, që mos të pranojnë asnjë dialog me Serbinë për ndarjen e Kosovës ose shkëmbimin e teritorreve.  Serbia po ashtu ka variantin e shkëmbimit të teritorreve, bëhet fjalë për teritorret e Kosovës që i përmendëm më lartë, më ato të komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Për organizatën  e Lobit Euro-Atlantik Shqiptar çdo variant që cungon trojet etnike shqiptare është i papranueshëm, sikurse çdo shkëmbim të teritoreve shqiptaro-shqiptare. Gjatë historisë Serbia, shpesh-herë me ndihmën e Evropës, ka aneksuar shumë toka shqiptare, çdo pazar në dëm të trojeve etnike shqiptare do të ishte tradhti. Ne i inkurajojmë institucionet e Republikës së Kosovës të jenë konsistentë  në qëndrimet tyre, me qëllim t’i rrezistojnë presioneve eventuale nga çdo faktor, qoftë ai edhe ndërkombëtar, për ndonjë kompromis të tillë. Ftojmë edhe institucionet e Republikës së Shqipërisë, që në mënyrë aktive dhe konstruktive përmes aktiviteteve diplomatike ta senzibilizojë këtë çështje dhe të insistojë në një zgjidhje të drejtë. Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, përveç se do t’i qëndrojë besnik atdheut  do të jetë në krah institucioneve tona, më gatishmëri të plotë që këtë çështje ta prezantojë në gjitha institucionet relevante ndërkombëtare, sikurse në Parlamentin Europian, Këshillin e Europës, Komisionin Europian si dhe Kombet e Bashkuara.

Autori është Kryetar i Lobit Euro-Atlantik Shqiptar Lörach-Gjermani

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat