Skizofren apo jo, Greqia nuk do ta heqë Ligjin e Luftës - Bota Sot
Skizofren apo jo, Greqia nuk do ta heqë Ligjin e Luftës

Opinione

E shtunë, 20 tetor 2018

Skizofren apo jo, Greqia nuk do ta heqë Ligjin e Luftës

Nga: Arben Llalla Më: 12 maj 2018 Në ora: 23:39
Arben Llalla

Ligji i Luftës i Greqisë, i etiketuar nga ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias si një ligj skizofren, do të vazhdojë të qëndrojë aktivë deri sa ëndërra e Megalo Idesë për aneksimin e Jugut të Shqipërisë të realizohet. Aleksis Tsipras dhe Nikos Kotzias i kanë bërë llogaritë e tyre saktë dhe po ndjekin metodën e Andrea Papandreut dhe Karolos Papulias të vitit 1987. Qeveria e tyre majtiste e hoqi Ligjin, por shumica e deputetëve që i përkisin partisë se tyre në Kuvendin e Greqisë e rrëzoi duke mashtruar Ramiz Alinë dhe Shqipërinë moniste. Historia po ripërsëritet me të njëjtën metodë dhe të njëjtët qeveritarë majtistë grekë.

Pasi Shqipëria i plotësoi të tëra kërkesat e dyshes Tsipras-Kotzias; varrezat e ushtarëve grekë, shtetësinë e Janullatosit, kufirin detar e tokësor, zyrtarizimi i gjuhës greke në dy bashkitë, ku jeton pakica greke në Dropull dhe Finiq. Në fund të vitit 2018, Tsipras do shpallë zgjedhjet e parakohshme dhe në këtë mënyrë do t’i ikë votimit për heqjen e Ligjit të Luftës. Deri atëherë Kotzias me buzëqeshje diplomatike prej mashtruesi do vazhdojë me deklarata pozitive të gënjejë Ramën dhe Bushatin.

Por, deri kur Greqia njëanshëm do mbajë Ligjin e Luftës me Shqipërinë? Duhet thënë një të vërtetë se Greqia mbështeti pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania naziste në shtator 1943, sepse trupat gjermane hynë nga Greqia. Në atë periudhë Greqia kishte qeverinë e saj me kryeministër Joani Rallis.

Pra, Greqia lejoi trupat gjermane që nëpërmjet territorit të saj të pushtojë Shqipërinë. Kryeministri Rallis në vitin 1943 kishte ushtrinë, xhandërmarinë, batalionet e sigurimit, pra ishte një kryeministër fuqi plotë kolaboracionist.

Tsipras dhe Kotzias po i gënjejnë shqiptarët me njohjen e patentave dhe vulën apostolike, të cilat shumë vendet të tjera i kanë njohur, midis tyre Maqedonia, e cila prej disa vitesh njeh patentat e Shqipërisë dhe vulën apostolike.

Megjithatë, për të ecur përpara dy vendet për fqinjësinë e mirë, për të ardhmen e dy popujve, Greqia duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për Ligjin “skizofren” të Luftës dhe gjenocidin e kryer nga ushtria greke e Zervës, EDES ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Pra, pa kërkuar falje nuk mund të ecim përpara, nuk mund të ketë fqinjësi të sinqertë dhe Greqia nuk mund të ketë Marrëveshje Strategjike me Shqipërinë. Loja me fjalë mashtrimesh diplomatike të Nikos Kotzias duhet të marrë fund. Nëse vërtetë ekziston dëshira e mirë e Presidentit të Greqisë, Kuvendi dhe qeverisë greke Ligji i Luftës mund të anullohet brenda 24 orëve, por këtë Ligj Greqia do e mbajë njëanshëm si një hanxhar mbi marrëdhëniet greko-shqiptare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test