Trekëndëshi tragjik

Opinione

Trekëndëshi tragjik

Nga: Gani Mehmetaj Më: 13 maj 2018 Në ora: 09:08
Gani Mehmetaj

Mbrëmë pashë një ëndërr që më djersiu. Nëna më drejtohej me ankim: “Na le vetëm, djali im, s’na e dhe as dorën!” Ngjitej kodrës së rrëpinjtë e mbushur frymë. Ajo ecte para, kurse babai i shkonte prapa me frymëmarrjen e rëndë astmatike. Kolona gjarpëronte prapa tyre.

“Por nënë,”, nisa t’i arsyetohesha, “ku ta dija që do t’u dëbonin". Përpiqesha ta gjeja në mjegull. Dikur se si u veçuan nga turma.

“Ku shkoni?”, i pyeta i habitur.

“Do të kthehemi në shtëpi, s’kemi ç’kërkojmë nëpër male”, ma tha po aq i mllefosur babai, duke m’u hakërryer. 

“Në shtëpi s’keni ku ktheheni. Do t’ju vrasin”, ua ktheva i zemëruar me kokëfortësinë e tyre. Doja t’u flisja ende, por një perde binte në mes meje e tyre. Dikur më humbën sysh.

Më doli gjumë me gjendjen e pikëllimit të thellë. Athua ku i degdisën? T’i kenë nisur me trenat e Fushë- Kosovës në Maqedoni?  Apo i dëbuan drejtë Qafës së Morinës? Rrugëtimin e dytë nuk do ta përballonin, s’kishin moshë për atë rrugë. Për herë të parë më shkoi mendja se ata mund të mos ia dilnin. Zemra sa s’më plasi. Qava.

Sikur nuk më mjaftonte kjo zbrazësi që ma shkaktoi ëndrra e ankthshme, m’u kujtua për të satën herë e dashura, në një imazh më të zymtë, sepse gjithnjë i jepja vetes zemër se ajo ishte në vend të sigurt. Një javë para luftës ajrore ajo u kthye në vendlindje. Lajmet e ditëve të para nuk e përmendën fare këtë qytet për dëbime e vrasje. Ajo studionte në vitin e fundit të Fakultetit Ekonomik. Druaja për fatin e saj. Rrëqethesha kur më shkonte nëpër mend çka mund t’i bënin paramilitarët. Klithmat që i dëgjoja, kur i bartte era, në mesnatë, më dukej sikur më vinin nga e dashura ime. Lëkurën e kafkës ma përshkonte një drithërimë sikur të kalonin një ushtri buburrecash. Rrija i mpirë në furrik me sytë në errësirë pa qenë në gjendje të mendoja asgjë.

Isha magjepsur me trekëndëshin: Furriku-Udhëkryqi- Kodra e Diellit. Trekëndëshi tragjik, ku zhvilloheshin ngjarje, të cilat para tre-katër muajsh nuk do t'i kisha imagjinuar as në frymën e fantazisë më të shthurur të filmave të tmerrit. Nuk do të arrija të stisja ngjarje të tilla me pamjet e policëve që e mbërthenin në shtyllë elektrike fatkeqin, baba të dy fëmijëve, ndërsa e shikonte gruaja me kalamajtë që qanin prapa dritares së mbyllur, me figura të shformuara në xhamin e dritares nga ngjeshja e fytyrës e hundës; nuk më vinte nëpër mend të stisja situatën kur një qytetar nxjerr revolen dhe pa një pa dy e godet me plumb djaloshin në të njëzetat vetëm pse u shty në radhë për gjëra ushqimore apo pse mbase u përpoq të dilte para qytetarit me revole në brez, ndërsa nuk duhej ta bënte një gjë të këtillë, sepse turma vlerësonte se ai ishte i tepërt në këtë tollovi, i jashtëligjshëm, i paqenë, barrë për qytetin, pre e lehtë e gjahut ditor, prandaj mund ta vriste kush të donte pa dhënë përgjegjësi. Të tjerët e panë me indiferencë, kur ai ra pa shpirt në trotuar, nuk u bëhej vonë, asnjëri nuk u përpoq ta ndihmonte, të shihte si e kishte hallin, sepse nuk ishte i kopesë së tyre, me dekret kombi i djaloshit ishte shpallur armik. Për bisha do të jepnin përgjegjësi, nëse i vrisnin jashtë sezonit, kurse për llojin e djaloshit sezoni i gjuetisë ishte i përhershëm, pa britma euforike gjuetarësh "prite, prite!", i kapnin e i vrisnin aty për aty, nëse nuk i torturonin më parë për kënaqësi të shpirtit, sepse soji i tyre torturën e ka kënaqësi, vrasjen nuk e bënë vetëm pse e urdhërojnë, por pse i duket si punë gjuetie.

Rrethi magjik më paralizonte, më magjepste si gjarpri bretkosën, më bënte të mos arrija të shkëputesha nga magjia si në kohërat e lashta, kur njerëzit besonin në të bërat (magjitë), sepse ashtu u thoshin, ndërkaq mua s'kishte kush m’i hiqte të bërat, askush s’më ndihmonte. Në atë magjepsje gjërat shpesh më ngatërroheshin, ditët më përziheshin, më lëviznin datat, e humbisja ndjenjën e hapësirës, të vendit, ditët i ngjanin njëra-tjetrës si veza-vezës, të njëjta, të njëtrajtshme, të mërzitshme, të pangjyrat, dëshpërueset, me qiellin e përhitur, të  zymtë, me ajrin e lagësht, me lëvizjet e pakësuara në rrugë, një botë e braktisur nga zoti e skllavi, ndonjë i humbur që llapaçitej me shkujdesje nëpër gropa uji, të mbledhura nga shiu, ndonjë i dehur që sa këndellej pak nga pikat e freskëta  të shiut, niste të lëshonte një breshëri sharjesh të pista, sepse të gjitha rrugët i dukeshin të njëjta, me horizontin e mbyllur, nuk dinte nga t'ia mbante, kështu që i zhgënjyer kthehej prapa, pse e humbte orientimin, ose pse nuk donte të kthehej në shtëpi nëpër këtë shi të mërzitshëm që do t'ia squllte çdo pjesë të trupit. I dehuri e gjente zgjidhjen, shkëputej nga rrethi magjik, por unë s'kisha se si, vazhdoja të sillesha në këtë trekëndësh tragjik, pikat e shiut herë ma freskonin ballin e trupin  e prushitur nga zjarrmia, herë më ngjallnin dridhmat e trupit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat