Kryenegociatori

Opinione

Kryenegociatori

Nga: Fadil Lepaja Më: 6 qershor 2018 Në ora: 15:18
Fadil Lepaja

Në Serbi, tashmë dihet krye-negociatori. Ai do të jetë presidenti aktual, figura më e fuqishme politike në këtë vend. Kohëve të fundit, presidenti serb, kishte mjaft takime intensive me presidentin turk Erdogan dhe me presidentin rus, Putin. Pozicionimi i tij pro proceseve integruese evropiane, duket i fuqishëm, por edhe  forcimi i jashtëzakonshëm i marrëdhënieve, sidomos me Turqinë, duke pasur parasysh edhe prezencën reale të Rusisë në Serbi, tregon se presidenti serb, do të negociojë seriozisht për të ruajtur atë çka mundet nga prezenca serbe në Kosovë. Kështu, ai nuk duket se ka konkurrencë kur bëhet fjalë për karrigen serbe të kryenegociatorit, në bisedimet finale për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

Në të njëjtën kohë, kryenacionalisti serb, Sheshel, ja kujton atij, se shumica e udhëheqësve serb, mbretër, kryeministra, kryetar, në momente dramatike kur është vendosur për fatin e Serbisë, kanë përfunduar tragjikisht, duke plasuar edhe spekulime se po përgatitet edhe vrasja e presidentit serb për shkak të frikës se do të tradhtojë interesat serbe. Para pak ditësh ,Sheshel e vizitoi në burgun “Zabela” në Pozharevc, të dënuarin kryesor për vrasjen e ish kryeministrit demokrat, serb,Gjingjiq, nga i cili mori autorizime për të rishqyrtuar edhe njëherë krejt këtë çështje, përmes një procesi të ri gjyqësor, me pretendimin se krejt kjo ishte e kurdisur nga shërbimet sekrete perëndimore dhe se vrasësi i vërtetë i ish kryeministrit, kishte udhëtuar i papenguar jashtë me pasaportë diplomatike. Pas daljes nga burgu, ish komandanti i njësive për operacione speciale, bashkë me të dënuarin për krime kundër njerëzimit, krye radikalin Sheshel, ata si thuhet, do të nisen të çlirojnë Kosovën nga NATO-ja dhe shqiptarët.

Sidoqoftë përkundër presionit të fuqishëm  të nacionalistëve serbë, dhe rus, të cilët kohëve të fundit kanë insistuar që 1000 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe të rikthehen, në veri të Kosovës, presidenti serb, me manovrimet e tij politike, kryesisht ndërkombëtare, ka arritur të frenojë ato dhe të mbetet figura e pakontestueshme e krye negociatorit, duke refuzuar çfarëdo aventure në veri, dhe duke se hyrja në veri do të thoshte luftë me NATO-n dhe largim nga Evropa.

Sido që të jetë, bartësit e dy sloganeve të njohura, si “Kosova është Serbi” dhe “Kosova është Turqi” duket se do të jenë në anën e njëjtë të tavolinës, përballë Kosovës dhe perëndimit. Vendi i cili e njohu ndër të parët Kosovën, po angazhohet shumë për fuqizimin e Serbisë dhe  marrëdhënieve me Serbinë, me gjasë në favor të kompromiseve në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe Sanxhak. Rreshtimi i Turqisë në një front me Rusinë dhe Iranin, ka krijua besim në mes tyre.

 Kush do të jetë në anën kosovare të tavolinës, mbetet ende e paqartë, pas tërheqjes së përkohshme, nga parlamenti të platformës kosovare për bisedime me Serbinë. Kjo platformë duhet të “rinegociohet” edhe me opozitën, pasi që pa vullnetin e opozitës është e pamundur që të aprovohet  ndonjë marrëveshje e këtij karakteri, në parlament.

Vërejtjet kryesore nga partitë opozitare kanë të bëjnë kryesisht me personin e kryenegociatorit. Opozita, e besa edhe  një pjesë e pozitës mendojnë se nuk mund të i besohet presidentit aktual, roli i krye negociatorit sepse ai ka dhënë prova se nuk mundet ose nuk do të mbrojë interesat e Kosovës. Me gjithë atë,  duket se sërish roli i Serbisë do të jetë i madh në përcaktimin e krye negociatorit në Kosovë, duke pasur parasysh se përballë presidentit serb duhet ulur dikush të cilin ai e preferon. Këtu luajnë rol të madh edhe marrëdhëniet e shkëlqyera serbo-turke dhe ato Thaçi-Erdogan.  Pas koalicionit  të fuqishëm anti perëndimor Moskë-Ankara-Teheran marrëdhëniet e mira të Erdogan me presidentin Thaçi dhe atë Vuçiç, duket se do të luajnë shumë rol. Kjo mund të jetë letra e fshehur nën mëngën, e z. Thaçi.

Pra, përballë presidentit, në bisedime, mund të ulet veç një president, ose një mbret. Kosova qysh e dimë nuk ka mbret, përpos nëse presidenti aktual nuk ka plane, të shpallë veten sovran, duke kopjuar kështu mbretin Zog, i cili me përkrahjen ushtarake serbe, dhe ruse  asokohe u pat rikthyer në Tiranë dhe për të u bërë i pakontestueshëm  nga politika e madje edhe nga populli, e patë shpallur veten mbret të gjithë shqiptarëve, pjesa më e madhe e tyre, asokohe ishte nën pushtimin serb.

Për të u shpallur mbret, fillimisht duhet zbritur nga froni qytetarët. Kjo ndoshta edhe nuk do të hetohej shumë, pasi që edhe ashtu qytetarët, në Kosovë nuk po i pyet askush, se vendimet strategjike merren kryesisht jashtë Kosovës, ose edhe më saktë jashtë politikës dhe institucioneve. Në planin e brendshëm oligarkët e rinj marrin vendimet e fuqishme jashtë institucioneve dhe nuk shqetësohen për popullin, të cilin e kanë ndarë në grupe të tifozëve politike. Përkrahja e oligarkëve është vendimtare se cila parti do të fitojë, cila do të fuqizohet, apo cila do të përçahet.  Ndërkombëtarët, të cilët në Ballkanin perëndimorë kanë interesat e veta, do të përkrahin ato personalitete dhe grupe politike që pajtojnë me fqinjët dhe bashkëpunojnë suksesshëm me ta.

Në këtë rrafsh si duket figura e presidentit aktual, të Kosovës, përkundër argumenteve të fuqishme të opozitës dhe përkundër kundërshtimeve të tyre,  do të mbetet  më e preferuara, në të gjitha qendrat, pikërisht për faktin se ai, me çdo kusht do të nënshkruaj kompromisin që do të sjellë paqen në rajon,  me të cilin ai shpreson të marrë hiç më pak se “Nobelin” për paqe. Por, për këtë do të lexojmë më vonë, në librin e dytë (auto) biografik, të presidentit...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat