Adem Mikullovci, pendohu - Bota Sot
Adem Mikullovci, pendohu

Opinione

E premte, 19 tetor 2018

Adem Mikullovci, pendohu

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 9 qershor 2018 Në ora: 23:01
Adem Mikullovci

Jean Jacques Rousseau në vitin 1762 shkroi “Emili ose mbi edukatën” dhe ishte i pari, që kundërshtoi edukatën autoritare dhe dhunën ndaj fëmijëve. Në vitin 2018, 256 vjet pas filozofit të madh dhe përgatitësit të Revolucionit Francez,  Adem Mikullovci, jo vetëm se e konsideron të drejtë dhunën në shtëpi, por edhe të domosdoshme për “tërbije!”

Sot me qindra studime dëshmojnë se rrahja dëmton. Studimet e fundit në Kanada konstatuan se masa gri (përgjegjëse për inteligjencën) në tru, zvogëlohet te fëmijët e rrahur, domethënë, ndikon në shumimin e budallenjve! Dhe, ai degradim, nuk shkaktohet nga i huaji, nga pushtuesi, por nga prindi!

„Mandej, le të flasin ata çka të donë, por pa e rreh fëmijën, fëmija nuk bëhet ‘terbije’, kot me tregoni ju mua dhuna në familje. Mendoj që tepër po mundohemi të bëhemi anglez” Adem Mikullovci

Gjersa Rousseau udhëzonte që fëmija të edukohet pa dhunë dhe të përgatitet si qytetar i ndershëm i shoqërisë, Mikullovci apelon që fëmija të zbutet si kafsha, pra t’i zhduket individualiteti dhe personaliteti: Të nënshtrohet me seanca traumatizuese, me rrahje! Zoti Mikullovci, në ato vende, ku fëmijët dhe gratë rrihen, nuk prodhojnë asgjë prej gjejë, që sot mund të blihet!

Po cilat janë pasojat e rrahjes sipas psikologut gjerman Roland Kopp-Wichmann?

Humbja e besimit te të tjerët!

Zvogëlimi i alternativave për zgjidhjen e konflikteve!

Probleme në zhvillimin e identitetit!

Probleme me sedrën, pra me respektin ndaj vetvetes!

Probleme izolimi!

Probleme me fëmijët e vet nesër!

Shpërthime të befasishme agresive!

Revista gjermane Focus, gjersa i referohet një studimi, për rrahjen e fëmijëve shkruan se “keqtrajtimi len vragë në tru! Këtë kanë arritur të skanojnë profesorët e Universitetit të Mynsterit. Te fëmija i rrahur, qendra e frikës është shumë aktive, por ka edhe areale të zvogëluara në tru. Keqtrajtimi i fëmijëve ndryshon trurin e viktimës, edhe atë, me dekada!  Të rrahurit bëjnë një jetë në gjendje alarmi! Abuzimi len gjurmë në amigdala, në qendrën e frikës,“ njofton revista.

Zakonisht fëmijëve u ndalohet shikimi i filmave me dhunë, sepse mund të dëmtohen, por Mikullovci, e përligj rrahjen e tyre! Rezultati i një  meta-analize, që ka zgjatur 50 vjet në Universitetin e Teksasit, dëshmon, se rrahja, nuk sjell asgjë pozitive, pos se qetëson përkohësisht psikopatin dhunues!

Nga 160.000 fëmijë, me të cilët u bë testi, u provua se ata që janë rrahur herë pas here me një shpullë në të pasmet, kundërshtojnë shumë më shpesh prindërit dhe janë agresiv dhe asocial. Arsyeja është se prindërit rrahin, kur janë të nervozuar dhe aty fëmijët mësojnë, se për të fituar diçka, duhet të rrahin dikë! Kjo nuk është e tëra. Fëmijët që herë pas herë janë qëlluar me një shpullë janë të ngathët, dudukë, pra ndikon edhe në rënien e mesatares së inteligjencës, çfarë është dëshmuar edhe në Kanada.

Shikoni ju lutem Kuvendin e Kosovës! Dëgjoni ju lutem fjalët e tyre! Gjuhën e tyre, shpërthimet e tyre agresive! Ai Kuvend dëshmon të gjitha gjetjet e psikologëve dhe neurologëve sot! Njerëz të shkatërruar në shtëpi, që shajnë siç janë sharë vet në shtëpi, që sulmojnë, siç janë mësuar të sulmohen dhe që kërcënohen, siç janë kërcënuar nga etërit e tyre në shtëpi!

Një studim tjetër nga Universitetit i Hampshire, i cili ka zgjatur katër vjet, udhëhequr nga një ekip i profesorit Murray Straus me 1600 fëmijë, ka ardhur në përfundim, se aq sa më shpesh ishin goditur fëmijët me një shpullë në të pasmet, aq më i ngadalshëm ishte zhvillimi psikik i tyre.

Adem Mikullovci jo vetëm se arsyeton rrahjen e fëmijëve për t’i bërë “tërbije”, por edhe të grave. Ai në vitin 2018 parapëlqen Kanuni, jo Kodin Penal! Ai dëshiron traditë të pleqnarëve, të analfabetëve, të njerëzve primitiv, që nuk pranonin ekzistencën e shtetit, që nuk pranonin gjykata dhe që nuk pranonin asnjë institucion shtetëror! Pa numëruar asnjë shembull, ku analfabetët e urtë paskan pasur më shumë sukses, se sa juristët me fakultet të mbaruar, ai deklaron:

“Pleqnia jonë ka zgjidhur konflikte që nuk ka ditur asnjë jurist t’i zgjedh.”

Ajo pleqni ka bërë të mundur të fitojë gjithmonë i fuqishmi, i pasuri, jo ai që kishte të dejtë! Ai nuk ka ndëshkuar, por njerëzit kanë paguar. Ai nuk ka burgosur, por ka leçitur apo dëbuar! Çfarë domethënë me atë mendim Adem Mikullovci? Ai  kërkon të  refuzohet shteti, jeta institucionale dhe t’ i kthehemi një jete tribale. Ai mëson brezin e ri të shpërfillë administratën, ta rrënojnë rendin publik, të mos marr seriozisht ligjet, por pleqninë dhe babaxhanët e djeshëm, duke përjashtuar gjitha të arriturat shkencore!

Çfarë thotë Kanuni për shitjen dhe konsumimin e lëndëve narkotike?

Çfarë thotë Kanuni për korrupsionin e politikanëve?

Si mund të zgjidh Kanuni një aksident komunikacioni?

A ndalon Kanuni posedimin e armëve?

Çfarë thotë kanuni për plagjiaturat, për doktoratat e blera apo diplomat e fakultetit?

Çfarë thotë Kanuni për vjedhjen e shtetit?  

Çfarë thotë Kanuni për tradhtinë nacionale?

Apo Kanunin duhet ta zbatojmë vetëm në shtëpi, kundër gruas dhe fëmijëve, sepse ai në një farë mënyre “shëron” burrat me komplekse, burrat që respektojnë vetëm burrat, por jo gratë?

Adem Mikullovci kundërshton ligjin për ndalimin e dhunës në familje, duke qenë i bindur se me rrahje, arrihen rezultate të mira, prandaj shton: “... të kuptohemi dhuna familjare, ky ligj nuk mund të aplikohet si në Angli, Amerikë e tjera vende. Ne jemi tjetër dhe duhet t’iu tregojmë që jemi tjetër!”

Ne jemi tjetër dhe duhet t’iu tregojmë që jemi tjetër!” Pra, ne duhet t’i tregojmë botës se jemi primitiv dhe duam të mbetemi primitiv! Ne nuk i duam makinat, por duam të udhëtojmë me gomarë, me kalë, sepse ne jemi tjetër, ne refuzojmë epokën tonë, e duan atë të stërgjyshërve, sepse ata ishin ekspert të mëdhenj të drejtësisë, që kanë zgjidhur çështje shumo të komplikuara, si gjakmarrja dhe ekzekutimet për megje!!!

Natyrisht se duhet zbatuar ligji si kudo në Perëndim, sepse te ne, dhuna brenda familjes, është shndërruar në sport nacional, ku babai nuk përjetohet as si baba, as si burrë i gruas, por si policë i djeshëm serb, sepse zbaton po ato metoda, shkakton po atë poshtërim, po atë rrënim të dinjitetit, po ato dhembje. Njeriu që dashuron, nuk mund të dëmtojë të dashurit  e vet! Për fëmijën është më traumatizues, kur rrihet nga babai, se sa nga një i huaj apo një polic, si ata të djeshmit serb.

Në fund aktori jonë i madh, shtron një pyetje, nga kuptohet se gruan konsideron vetëm pronë, ose vegël vetëm të burrit dhe në shërbim të tij.

“Ta marr një shembull sipas këtij ligji nëse gruaja e padit burrin e burri shkon dy vjet në burg, e kur të kthehet prej burgu a e pret ajo gru në shtëpi, tregomëni?”

Ta sqarojmë qysh në fillim: Nëse një burrë dënohet me dy vjet burg, domethënë vepra është tepër mizore, shtazarake! Atë burrë, kur të  kthehet nga burgu, nuk duhet ta presë askush! As fëmijët, as gruaja! Ka burra tjerë, që mund t’i falin dashuri asaj fatkeqe, çfarë rrahësi dhe poshtëruesi, nuk din ta dhurojë, sepse mjerani, flliqani, është produkt i rrahjes në familje! Atë e ka prishur babai! Fundi i fundit, më mirë pa burrë, se sa me një psikopat në shtëpi!

Zoti Mikullovci, nëse e lexon këtë vërejte publike, atëherë kërko ndjesë dhe distancohu nga ai mendim antidashuri, antifamilje, sepse më lart, u numëruan pasojat negative, që i shkaktohen njeriut të rrahur. Nuk do të ndalem më shumë, sepse në librin “Letër burrave” kam trajtuar këto perversione, ato trishtime, ato dhunime dhe nuk dua të përsëriten, por të rekomandoj ta lexosh. Libri mund të porositet te amazon!

Nëse ke rrahur, kërko ndjesë para se të perëndosh. Pendohu! As mos lër pas vete një mendim kaq antinjerëzor! Familja e rrahur, prodhon komb të shkapërderdhur, pa orientim të qartë!

Në moshën gati 80 vjeçare, njeriu ka kohë kryesisht për të kërkuar ndjesë, për t’u penduar, por jo gjithmonë për të dhënë mësime! Me dashuri ndërtohet çdo gjë, me rrahje rrënohet gjithçka! Sot nuk është koha e pleqnive dhe folkloreve, por e dijes, e shkencës dhe gratë tona meritojnë burra, që i duan, jo që i përbuzin! Gratë dhe fëmijët duan dashuri, jo rrahje! Gratë duan burra, që respektojnë dinjitetin e tyre, jo që i trajtojnë si skllave! Nuk mund të ketë fëmijëri të lumtur askush, gjersa i rrihet nëna. Fëmijët  e rrahur në shtëpi, krijojnë shtet fisnor, tallava-shtet nesër!

Nëse nuk ishte humor, pendohuni publikisht! Nëse ishte, tregojeni. Shumë veta e kanë kuptuar si rekomandim i abuzimit. Njerëzit me moral të dyfishtë, ish-të rrahurit, do të thonë: është i plakë, mos ia zini për të madhe, mirëpo meqenëse mendoj se akoma je i kthjellët në mendje, kërko falje! Jep së paku një shembull, se një burrë i mirë, ndryshon mendimin e gabueshëm!

Për të gabuar, kemi të gjithë shumë kohë, për të kërkuar ndjesë, ose për t’u penduar, jo!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test