Lamtumirë njeriut Fadil Vokrri

Opinione

Lamtumirë njeriut Fadil Vokrri

Nga: Gëzim Muçolli Më: 10 qershor 2018 Në ora: 09:20
Fadil Vokrri

Dita e djeshme paska qenë e shkruar si ditë e dhimbjes, kujtimeve dhe respektit.

Dje me 9 qershor u ndal zemra e shqiptarit që për shumë vite me artin e tij sportiv bënte të rrahnin fuqishëm zemrat e shqiptarëve në gjithë botën si dhe adhuruesve të vërtetë të futbollit.

Ishte goditje e papritur, lajmi përvdekjen e parakohshme të Fadil Vokrrit, e cila u përhap shpejt duke mbuluar gjithkah me rrjetën e hirtë që krijon pikëllimi.Dita e diel në Kosovën e Fadilit do të jetë ditë zie shtetërore dhe popullore për njeriun që ia kushtoi jetën futbollit dhe e ngriti sportin në piedestalin e veprimtarive patriotike.

Dje, siq është bërë veprim i zakonshëm, të gjithë po shkruajnë se e kanë njohur Fadilin, legjendën e futbollit kombëtar. Janë plot që vejnë edhe fotografi bashkë me Fadilin.

Unë nuk di të kem ndonjë fotografi me Fadilin. Atëhere nuk kishte smartfona e as rrjete sociale.

Por, dje unë u binda se kam plot kujtime nga ato që ruhen me xhelozi. Kam pasur rastin dhe fatin ta njoh Fadilin jo si legjendë por si njeri. E kam njohur ndoshta sapo kisha filluar të shkoja në klasë të parë të shkollës fillore në Podjevë e edhe më vonë gjatë fëmijërisë sime në qytetin buzë lumit Llap.

Ishin ato kohët kur mësuam se çka do të thotë loja e futbollit dhe si bëhet tifo për lojën e skuadrës së dashur.

Atëhere luhej lagje me lagje apo shkollë me shkollë dhe ylli i gjithë turnirit djaloshar ishte djaloshi me flokët e djersitura mbi ballë e nganjëhere edhe me gjunj të gjakosur nga loja e fortë e pa arbitër.

Fadili bëri emër, i cili kaloi nëpërmjet skuadrës së “Llapit”, ” Prishtinës” e deri te elita e futbollit ish jugosllav dhe europian.

Fadili ishte “fëmijë i futbollit” poashtu siq i quajnë “fëmijë të artit” fëmijët e artistave. Edhe babaii Fadilit, profesori i ndjerë Abdullah Vokrri kishte luajtur futboll, siq kishin qenë lotarë të dalluar të klubit fuutbollistik “Llapi” edhe xhaxhallarët e tij Selatini dhe Muhameti, e poashtu edhe daja i tij Emin Simnica.

Fadili, më kujtohet mirë, me golat e tij gjatë kualifikimeve p?r Olimpiadën verore, ne vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar ia mundësoi shkuarjen në Olimpiadë skuadrës së fiutbollit të ish-Jugosllavisë. Befasia më e pakëndëshme ndodhi kur para nisjes për Olimpiadë traineri i Jugosllavisë e hoqi emrin e Fadilit, bile rrodhën informata se ai ishte arsyetuar se çka dëshironte Fadili në skuadrën sllave kur nuk ishte jugosllav por shqiptar.

Fadili ishte njeri i sjellshëm dhe shumë dashamirës, sidomos me simpatizuesit dhe tifozët e flaktë të klubit të “Prishtinës”.
Edhe pse e konsideronin mit ai gjithmonë ruante tiparet njerëzore dhe ishte mjaft komunikues me publikun.

Sa herë që e takoja gjithmonë ishte i disponuar për bisedë. Nuk i harronte asnjëherë miqtë dhe shokët e dikurshëm.

Fadil Vokrri i takoi një brezi që diti ta ndante veten nga të qenurit qytetar jugosllav duke  i dhënë përparësi prezentimit të vlerave  autoktone të sportit kosovar, duke shfrytëzuar edhe lojën e topit për të ngritur ndjenjat nacionale të një kombi që po rrezikohej nga shtypja deri në zhdukje.

Fadili e luajti lojën deri në fund. Angazhimin politik në vija patriotike e kishte trashëgim familjar nga babai i tij, profesor Abdullah Vokrri, koleg dhe mik i nderuar i babait tim. 

Fadili arriti me emrin dhe punën e tij ti thyejë të gjitha pengesat politike në sportin ndërkombëtar duke e antarësuar shtetin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Fadil , faleminderit për të gjitha. 

Topi do të sillet në fushat e blerta të futbollit dhe gjithmonë sa herë do të del ndonjë talent i ri do të thonë” edhe një që po luan si Fadil Vokrri”.

Prej dje fillon legjanda. Lamtumirë mik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat