Austria filloi mbylljen e xhamive të politizuara

Opinione

Austria filloi mbylljen e xhamive të politizuara

Nga: Sherif Ramabaja Më: 12 qershor 2018 Në ora: 20:48
Sherif Ramabaja

EU-ja që nga themelimi i saj, të drejtat e njeriut dhe të drejtën ushtrimit të lirë të fesë i kishte gjëra të shenjta dhe të paprekshme. Me këto gjëra ajo dëshironte të ishte shembull i botës së qytetëruar dhe insistonte që këto parime të instaloheshin në tërë globin tokësor. Dihet që Evropa është djep i krishtërimit, po toleranca fetare kishte arritur atë nivel sa u lejuan të ndërtoheshin xhami pothuaj në të gjitha shtetet e EU-së. Kjo bëhej për të ua mundësuar të ardhurve nga lindja, që ta ushtronin pa pengesë fenë myslimane.

 Në fillim ishte ky një gjest i afirmimit dhe afrisë mes popujve. Por që nga fillimi krerët e fesë myslimane kishtin prapavijë ideologjike dhe politike për ta ndërruar strukturën e përqindjes, në favor të muslimanëve. Nuk ishte vetem çështja e ushtrimit të shërbimeve fetare në dobi të myslimanëve, po ata kishin synim ekspansionin. Ndanin para pa u ditur burimi, vetëm e vetëm që të ndërtonin xhami në çdo qytet , sa më të mëdha që ishte e mundur, për të rënë në sy. Qëllimi nuk ishte që t`i shërbejnë vetëm fesë dhe besimtarëve, po pushtimi i botës me ideologjinë e tyre. Motoja e tyre është “ Kush  sështë musliman, është i pafe”. “Ne jemi feja më e mirë”, “zoti do t`i denoj të gjithë ata që nuk e pranojnë myslimanizmin, si fe të tyre” ,” Ne muslimanët jemi të gjithë vëllezër, kurse ata të pafetë i pret ferri” ose ata janë armiku i ynë. Këto janë synimet, propaganda dhe ideologjia që përhapet nga imamët dhe ideologët fetarë, të ardhur nga Turqia dhe vendet arabe. Kjo ideologji fetare është përhapur dhe po pörhapet në tërë Evropën dhe më larg.

 Austria i prezentoi faktet, duke i paraqitur edhe  pamjet filmike, se si fëmijët keqpërdoreshin, ne uniforma ushtarake nëpër xhamia. Veprimtarinë e imamëve e kishte përcjellur duke i prezentuar si vegla të Erdoganit. Në përfundim thanë se ky është vetëm fillimi.

 Fundit nuk i dihet kurr, po për asnjërën palë nuk është gjë e hijshme. Austria dhe tërë shtetet e EU -së, po e vërejnë se punët nuk po ecin si duhet. Kjo s ka të bëj me besimin islam, po me propagandë fetare dhe ideologji të rrezikshme fetare që mbjell urrejtje mes popujve dhe nxitë konflikte.

 Shoqërinë po e ndanë dhe të rinjtë po i radikalizon, e pasojat po vërehen edhe sot. Kryetari turk Erdogani në vend që të jetë transparent dhe të punoi në eleminimin e problemeve të krijuara, ai iu kërcënua Austrisë. Në Austri ishte ndoshta vetëm fillimi sepse e tërë EU -ja ballafaqohet me këtë problem. Do të jetë vështirë që kjo sfidë të zgjidhet në kuadër të EU -së, kur dihet që feja islame ndodhet në krizë të thellë në tërë botën arabe. Shtetet arabe kanë vetë diferenca të mëdha dhe vështirë se pajtohen për reformimin e fesë. Ato po luftojnë mes vete duke u shfarosur, kurse në Evropë po derdhin para pa masë për të përhapur ideologjinë radikale myslimane.

 Me masa represive edhe EU -ja do ta ketë vështirë dhe kjo nuk është në stilin e saj. A do të arrij që t`i ndërpres misionarët politikë nga Turqia dhe Arabia dhe pastaj me programe preventive dhe edukuese t`i zbus pasojat? Do të jetë punë sizifi.

 A kanë qenë trojet shqiptare imune ndaj mjë fenomeni të tillë?

 Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe me ardhjen e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë u hapën shumë çështje dhe fenomene. Kosova u hap ndaj botës dhe shumë institucione dhe shoqata të ftuara dhe të paftuara mësynë Kosovën. Bashkësitë fetare nga përendimi, po edhe nga Turqia e shtetet arabe gjetën teren të përshtatshëm për veprimtarinë e tyre. Me shpejtësi të madhe, ndërtimi i xhamive u shndërrua në biznes. Qytete dhe fshatra u mbushën me xhami të llojeve të ndryshme. Ne kishim nevojë për kopshte për fëmijë, shkolla, salla,  fusha sporti dhe vende pune për rininë. Fatkeqësisht për këto gjëra pak kush interesohej. Misionarët fetarë kishin mësyrë dhe secili predikonte “ Të vërtetën e tij fetare”. Të rinjtë radikalizoheshin dhe niseshin në luftë për në Siri, thua se atje mbrohej atdheu.

Kombi filloi të zhvleftësohej duke u zëvendësuar me ideologjinë islame. Predikuesit fetare morën rolin e institucioneve shtetërore dhe vepronin haptas kundër interesit nacional. Kjo po ndodh si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, dikund më pak e dikund më shumë. Tash erdhi koha e ndërtimit të xhamive milionshe me përmasa gjigante. Një e tillë u ndërtua në Tiranë e tjetra pritet të filloi në Prishtinë. Shumat milionëshe s kanë rëndësi se nga vijnë po me para të tilla mund të kërkojnë lokacion ku të duan. Me deputetët që i kemi mund të votojnë që të rrënohet ndërtesa e qeverisë, Teatri i Kosovës, apo Grand hoteli dhe në vend të tyre të ngritet xhamia. Kryesore ne po i dërgojmë sinjal EU -së, të tillë na keni, ose na pranoni kështu si jemi ose alternativë e kemi Turqinë dhe Arabinë. Këtë po kërkon në emër të fesë Turqia,  shtetet arabe, Rusia dhe Serbia. A do tö veprojnë institucionet shtetërore në Kosovë dhe Shqipëri, apo do të zhyten edhe më shumë në kaos, që trojet shqiptare të tregëtohen si më parë?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat