Zonjat mund të kalojnë edhe nëpër të kuqen...

Opinione

Zonjat mund të kalojnë edhe nëpër të kuqen...

Nga: Fadil Lepaja Më: 13 qershor 2018 Në ora: 15:09
Fadil Lepaja

Shoqatat kërkojnë dorëheqje. Semaforët duhet të japin dorëheqje. Është antidemokratike, duhet çdo kund me vu rreth rrotullime. Rrotullohu, rrotullohu derisa të merren mentë dhe pastaj provo me ecë drejt nëse mundesh.

Po e marrim një situatë hipotetike, e cila me gjasë ka ndodhur por ne nuk e dimë kurë. Një zonjë desh u shkel në zebër, sepse e kishte kuptuar gabimisht se zonjat gjithnjë kanë përparësi. Ishte e ndezur e kuqja, dhe të gjithë po prisnin, ndërsa ajo eci nëpër zebër. Polici e kapi nga krahu, dhe e ndaloi mbase në të njëjtën kohë kur pranë saj kaloi një veturë e cila mund të e shtypte atë.

Rrjedhimisht, polici i cili intervenoi, duhet të pushohet nga detyra, sepse nuk e kuptoi që një zonjë nuk bënë të kapet për krahu, për të zbatuar ligjin. Tash, në vend të policit ka mundur të jetë edhe ministri i brendshëm,  pasi po flasim vetëm në mënyrë hipotetike, sepse te ne kjo nuk mund të ndodhë. Te ne ministrat nuk ecin këmbë dhe nuk presin në semafor.

Do të thoni “mos ja fut kot”, se nuk krahasohet semafori dhe rregullat e komunikacionit me protokollin e shtetit. Pra, s’ka tjetër, po kthehemi nga situatat hipotetike në realitet.   “Kryeministri,të japë dorëheqje”, po kërkojnë aktivistet për mbrojtjen e grave, dhe shumë shoqatave tjera të veçanta, të cilat , ekzistojnë që të harxhojnë buxhet, edhe pse zakonisht nuk kanë elektorat, por mendohet se duhet të jenë diku. Mjafton një deklaratë e paqartë, sjellje e pamatur dhe ja ku është skandali. Problemi ekziston, edhe ata ekzistojnë. Skandali sjell fonde.

 Kësaj radhe zëri u ngrit për të mbrojtur një zonjë, me pedigre, e cila “nuk e pa” ose nuk deshi ta shoh protokollin, por dioptria ishte veç shkasi i këtij skandali, se te ne skandalit nuk i shihen dhëmbët. Skandali është skandal dhe portalistët e trajnuar e bëjnë atë mega ngjarje.

Pastaj, këto grupe, civile,  direkt ose indirekt të varura nga buxhetet publike, kanë një spektër të gjerë angazhimesh, se nuk i mbrojnë vetëm zonjat kur kalojnë nëpër të kuqen. Sidoqoftë, ato kanë një logjikë të njëjtë veprimi. U duhet një gaf, një skandal i vogël, një deklaratë e fortë apo e pamenduar mjaftë e ndonjë zyrtari dhe çështja krijohet. Nuk është e thënë të jetë deklaratë zyrtare, mjafton të jetë edhe ndonjë postim në rrjetet sociale, edhe një cicërrimë, mjafton. Buxheti gjindet shpejt...  

Njejtë edhe me shtazët. Kur i mbrojmë shtazët, për shembull, sidomos qenët që shëtisin rrugëve dhe e hanë herë pas here ndonjë fëmijë apo pensionist, ringjallet ideja për shfarosjen e tyre. Por qentë endacak gjithnjë vazhdojnë të shëtisin të papenguar në lagje, të bashkëjetojnë me ne, të mbrojtur nga zhurma që krijohet po “ e hangre një qen”. Kur e han një qen, ke krijuar lajm, kështu na mësojnë doracakët tashmë të vjetruar për lajmin. Po të hangër qeni, kurgjo kërkujtë! Ku di qeni, askush nuk mban përgjegjësi. Pastaj, edhe grupet e margjinalizuara shpesh krijohen vetëm sa për të arsyetuar fondet. Këto i vetëdisojnë qytetarët, se të kesh prirje të caktuara mund të jetë profitabile.

Për shembull në paradat e krenarisë, krejt sharmin ngjarjes ja japin, pikërisht heteroseksualët, të cilët në krye me presidentin e të tjerë nga hierarkia e shtetit, vizatojnë ngjyrat e ylberit në flamurin politik të shoqërisë, duke e mbuluar kështu me panik të gjelbrën që ka  pushtuar gjithkah. Nuk po flasim për të gjelbrën  natyrore, por atë ideologjike. Kot ankohesh. Nuk ka ku të ankohet qytetari, i cili do një shtet për të qenë, që të jetë në shërbim të njerëzve të zakonshëm. Të jesh qytetar i zakonshëm, kjo nuk sjell fonde.

Kështu, kësaj radhe krejt filloi kot,  pasi dështoi shërbimi protokollar i qeverisë, apo ndoshta thjesht, ata kanë menduar se një zonjë do të sillej patjetër si zonjë dhe nuk kanë reaguar. Kështu kryeministri vet, doli dhe e hoqi nga foltorja atë, pastaj ajo filloi të mos sillet aspak si zonjë. Duke u nisur nga e drejta trashëgimore, si mbesë nga linja e djemve, të një ish ministri të qeverisë së Ismail Qemailit, ajo theu protokollin , jo vetëm në Prizren, por edhe në Tiranë e gjetiu, kudo që mbahet ndonjë ceremoni që shënjon çlirimin nga perandoria e dikurshme osmane. Kjo duket të jetë sikur një mision i zonjës, anti protokoll.

Sido që të jetë, kur jemi te e drejta e trashëguar, pak a shumë, pajtohemi se të gjithë ne, e kemi origjinën nga Ilirët, dhe kjo vetvetiu paraqet meritë dhe na jep  të drejtë të përzihemi në të gjitha punët dhe protokollet e Ballkanit, sepse ilirët e kishin sunduar dikur atë, para krejt perandorive që u dyndën këndej pari, sidomos para asaj osmane, pasi kësaj radhe po flasim për ceremoninë shtetërore lidhur me 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kudo të shohim një foltore, do të ngjitemi dhe do fillojmë... derisa të na largojnë.

 Pajtohemi edhe kur disa thonë se e kemi origjinën nga majmuni, apo disa të tjerë nga Ademi, sido që të jetë, nuk jemi asnjëri pa origjinë të drejtpërdrejtë dhe secili mund të kemi një arsye për të folur gjerë e gjatë në një ceremoni solemne, pa e bërë hesap protokollin

 Në fakt, nëse shohim për protokoll e bonton, ne si popull, paskemi qenë  krejt gabim. Kompleksohesh, kur e sheh sa prapa kemi mbetur. Ne për shembull kemi pirë çaj, thjesht pas buke, ndërkohë që anglezët me shekuj, por edhe sot e kësaj dite shohin orën, për të pirë çaj. Krejt është e rregulluar me bonton.  Logjikë krejt e gabuar, kjo e jona. Ora, pra e bënë bazën e kulturës moderne. Edhe protokolli, ose së paku bontoni. Ky popull në fakt nuk është thirrur kurrë në ceremoni shtetërore, mjafton ta largojmë nga ceremonitë e mbyllura, dhe të mos e shajmë...!

Bontoni dhe ne, si dy skaje të një litari, si do të thoshte poeti ynë , i sëmurë rëndë nga sjelljet tona, më shumë se sa nga tuberkulozi. Ne e sëmurëm, ndërsa tuberkulozi vetëm e mbyti.

 “Rendi i nderimeve caktohet nga shërbimi protokollar. Ju duhet të u përmbaheni të gjitha pikave që ju janë dhënë: orari, vendet e rezervuara...”,- thotë libri. Po çfarë protokolli ! S’ka protokoll! Shteti të japë dorëheqje, nuk mjafton veç kryeministri...! Zonjat mund të kalojnë edhe nëpër të kuqen! Kot semaforët! Duhet të japin dorëheqje edhe semaforët...edhe presidenti!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat