Presidenti Thaçi, në takim me Vuçiqin nuk e përfaqëson Kosovën - Bota Sot
Presidenti Thaçi, në takim me Vuçiqin nuk e përfaqëson Kosovën

Opinione

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Presidenti Thaçi, në takim me Vuçiqin nuk e përfaqëson Kosovën

Nga: Ragip Guraziu Më: 22 qershor 2018 Në ora: 15:49
Ragip Guraziu

Bisedimet e Hashim Thaçit, që nga fillimet e deri më tani, sa u përket bisedimeve KosovëSerbi, janë shterpe. Takimi i thirrur nga BE-ja, mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, i së dielës, do të jetë vetëm një takim i radhës i presidentëve dhe se nuk do të flitet për finalen mes dy vendeve, mendojnë shumica e politikanëve dhe qytetarëve të Kosovës. Kuvendi i Kosovës nuk ka ndërtuar një konsensus më të gjerë për finalen. Duhet të jemi seriozë dhe të jemi të përgjegjshëm para situatës në të cilën gjendemi dhe kur kemi parasysh se këto bisedime me Serbinë datojnë me vite dhe nuk kanë filluar dje. Nuk jemi të bashkuar rreth asaj që na pret. Kjo si pasojë e presidentit Thaçi që të gjitha bisedimet, kontakteve që janë organizuar, bisedimet Kosovë-Serbi, nuk ka mbetur vend kund''pa e futur hundën'' Hashim Thaçi, thotë një fjalë popullore shqiptare, prandaj jemi ku jemi.

Në këto bisedimet e fundit, të dielën, Thaçi e ka futur Kosovën ngushtë. Tani është një qëndrim që e kemi bërë të qartë se ne duam një proces kredibil që reflekton besueshmëri dhe transparencë. Grupet e Parlamentit duhej të ishin të angazhuara në procesin final, e posaçërisht Parlamenti. Duhet të marrim obligim që pika që mandatohet nga Parlamenti t'i referohet Parlamentit dhe të implemetohet në tërësi. Ka disa ditë që Qeveria ka tërhequr nga Kuvendi i Kosovës platformën për bisedimet me Serbinë. Partitë opozitare e kanë vlerësuar si të mangët këtë platformë dhe nuk kanë pranuar që udhëheqës i fazës finale të bisedimeve të jetë Presidenti Hashim Thaçi. Tryezat politike të mbajtura kohëve të fundit kanë pasur për qëllim edhe gjetjen e një marrëveshje. Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, thotë me vendimin e Qeverisë për të proceduar ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, në Kuvendin e Kosovës, merr fund saga e siç thotë ai 'debateve shterpe akademike, e cila duke mos sjellë asnjë argument të ri, për tri vite me radhë ka prolonguar izolimin e qytetarëve të vendit, duke shkaktuar konfuzion dhe frikë se kinse Kosova rrezikon të humbet territor'. Në 'Facebook' presidenti ka theksuar se mirëpret vendimin e Qeverisë për procedimin në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin, ku ka kërkuar nga deputetët edhe ratifikimin e sa më të shpejtë të saj, në mënyrë që vendit t'i hiqet regjimi i vizave. 

'Trepça' dhe Ujmani nuk duhet të diskutohen, se ato janë asetet e Kosovës

Asetet shtetërore ekonomike me rëndësi strategjike, siç janë 'Trepça' dhe Hidrocentrali i Ujmanit, nuk do të jenë objekt diskutimi në tavolinën e bisedimeve që po zhvillohen me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel. Kështu patën deklaruar përfaqësuesit e Kosovës në fillim të bisedimeve me Serbinë. Ndoshta nuk janë pishman... Ndërmarrja "Trepça" tani për tani është e ndarë në dy pjesë dhe menaxhohet nga dy grupe, nga pjesa veriore dhe ajo jugore. Çështjet që janë nën sovranitetin e Kosovës nuk mund të jenë pjesë e bisedimeve. Në momentin që do të kemi njohje reciproke si dy shtete, çështjet mund të trajtohen me ligjet ndërkombëtare. Ndryshe, Qeveria e Kosovës, kishte miratuar para do ditësh dhe e ka dërguar në Kuvend platformën për vazhdimin e dialogut, për fazën finale me Serbinë, me propozimin që këtij procesi të vazhdon t'i prijë deri në fund presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Ky proces i deritanishëm është kritikuar edhe nga opozita, edhe nga shoqëria civile, për mungesë transparence dhe nënshkrimin e shumë marrëveshjeve të dëmshme, nga të cilat ka përfituar Serbia dhe kryesisht ka humbur shteti i Kosovës. Kosova humbi në bisedime. Mendohet se Kuvendi nuk do të duhej lejuar më tutje që presidenti të jetë në krye të këtyre bisedimeve, por që të gjejë zgjidhje tjetër, ngase deri më tash nga procesi i dialogut, të cilit i ka prirë presidenti, fillimisht nga pozita e kryeministrit, Kosova ka humbur dhe Serbia ka fituar.

Personalisht unë jam plotësisht kundër që Hashim Thaçi të udhëheqë bisedimet me Serbinë fashiste, sepse ka një mori arsyesh, por po i përkujtojmë se ka qenë disa herë shumë i papërgatitur, ka bërë shumë lëshime dhe gafa në dëm të Kosovës, është vërtetuar se është njëri i dyshimtë dhe i shitur. Publikisht dihet se shumë herë ka shtruar dreka e darka me Aleksandar Vuçiqin, nejse ato zyrtare, por e kam fjalën shumë sosh tinëzisht dhe prapa krahëve të popullit, që ka rezultuar shumë të dyshimta dhe kemi humbur shumë. Pastaj, vetëm e vetëm sa për të shpëtuar lëkurën e tij të zëmë me Gjykatën Speciale, që me fajin pikërisht të tij dhe të askujt tjetër u bëmë gazi i botës, pastaj sa dëm të madh na solli dhe na armiq- soji me Bashkimin Evropian dhe Amerikën'. 

Të gjitha argumentet kundër Presidentit

Opozita është kundër takimit të thirrur nga BE-ja mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, të dielën. Dhe këtu nuk ka finale, nuk do ketë qëndrimin zyrtar, platforma aktuale është me mjaft mangësi dhe bie ndesh me parimet kushtetuese. Dhe thuhet se përmbajtjen e platformës, interesin nacional, arritjen e konsensusit askund fare. BE-ja ndodhet në mision për të shpëtuar dialogun Kosovë-Serbi. Prandaj presidenti për t'i shpëtuar Speciales po merr mbi vete barrën që do ta bartë shumë gjatë si njollë historike. Fillimi i ri i bisedimeve me Serbinë është një kamxhik mbi kokën e presidentit, Kuvendin, duke vazhduar me planet e tij djallëzore në dialogun me Serbinë. Tani me të drejtë duhet të shtrohet pyetja pse po e injoron Thaçi Kuvendin dhe cilat janë planet e tij që synojnë ta amnistojnë atë nga Gjykata Speciale, e që kjo gjykatë po rri si kamxhik mbi kokën e presidentit. Mendoj se atij po i ngutet që të ndërmarrë edhe një aventurë të re e tepër të dëmshme "historike", në procesin e Brukselit, ndërkaq që opozita po hesht. Përgjegjësia do të bijë mbi të gjithë nëse bëhen pazare të dëmshme mbi shtetin dhe sovranitetin e tij në këto bisedime. Një Kuvend normal do ta pezullonte çdo takim tjetër Kosovë-Serbi, derisa të qartësohet strategjia e dialogut, e cila është kthyer mbrapsht në Qeveri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test