Lopët e përdhosura - Bota Sot
Lopët e përdhosura

Opinione

E martë, 20 nëntor 2018

Lopët e përdhosura

Nga: Merxhan Jakupi Më: 24 qershor 2018 Në ora: 11:55
Merxhan Jakupi

Sipas një anektode ose proverbe arabe, të gjithë lopët ishin sëmurur e infektuar dhe në fund ishin përdhosur. Mbreti kishte urdhëruar, të gjithë lopët e përdhosura të futen thellë në një gropë masive, që mos ti nxjerrin qentë, pasi në fund qentë do të hanin mishin e përdhosur dhe do t’i kafshonin njerëzit. Kurse kafshët e shëndosha dha urdhër mbreti të theren dhe të sjellin mishin më të mirë për darka pompoze në sarajet mbretërore. Kishte ndodhur një gabim tragjik. Lopët e shëndosha ishin groposur, kurse lopët e përdhosura ishin therur. Kur dëgjoi mbreti, i çmendur pyeti një këshilltar nëse kanë mbetur akoma lopë të përdhosura. Ata thanë që siç duket të gjitha janë përdhosur. Mbreti urdhëroi gjithë lopët e përdhosura të theren dhe t’i ndahet gjithë popullit nga pak mish. Pasi ne jemi çmendur dhe përdhosur duhet të gjithë të përdhosen dhe të çmenden si ne, tha mbreti. Presidenti i Maqedonisë i ngjan mbretit të përdhosur e të çmendur. Pasi ai dhe klani i tij ishin përdhosur, ata donin gjithë popullin ta përdhosnin. Ata donin që gjithë populli të dalë në protesta, fëmijë, gra, pleq, të rinj e të reja  të bëjnë  bllokada dhe barrikada të shkatërrojnë, të djegin çdo gjë. Të djegin parlamentin dhe në fund të hyjnë në parlament, dhe pjesës së mbetur që ishin tradhtarë dhe armiqtë  e tyre, duhet t’u jepnin të hanë mishin e fundit të lopëve të përdhosura. Presidenti, qartazi, në mënyrë egoiste dhe arrogante injoron dhe sfidon, mundin dhe angazhimin e SHBA-së dhe Unionit Europian, që në fund, me shumë presion duken se ia kanë treguar shkopin  palës greke, për të mbyllur kapitullin dhe ngërçin e zgjidhjes së kontekstit të emrit të Republikës së Maqedonisë. Presidenti është betuar se nuk do ta firmosë, kurrë, kontratën dhe marrëveshjen historike të kontekstit të emrit që me shumë mundime dhe peripeci u nënshkrua mes dy kryeministrave të dy shteteve në Prespë, në pjesën greke. Presidenti duket si një karikaturë. Ai është duke lozur dhe imituar imazhin e burrave shteti të fuqishëm siç është Putin dhe Erdogan, që me shumë mospajtime me SHBA-në dhe Unionin Europian, kanë sfiduar këto fuqi të mëdha. Presidenti në mënyrë metaforike është duke vepruar sikur breshka kur kishte patë atin duke e mbathur, dhe ajo kishte ngritur këmbën!. Ai dhe klani i tij nuk është i vetëdijshëm, se është si një gjethe fiku ose kashte që noton në një lum dhe në fund derdhet në digë ose det. Para televizionit, zonja Kocevska, tha që presidenti ynë është psiqikisht i sëmurë, por sipas disa gazetarëve dhe opinionistëve, presidenti është shumë i llastuar dhe arrogant. Psikologu i famshëm Alfred Adler, shkruan që janë tre lloj fëmijë, që pas adoleshencës shfaqin pasoja dhe kanë çrregullime:

Fëmijë të përkëdhelur; 2. Fëmijë të braktisur; 3. Fëmijë handikap.

 Nga tre llojet, më të  rrezikshëm janë fëmijët e shumë përkëdhelur në foshnjëri. Shumica e tyre kanë sindrom sadist, pervers dhe ngelin tërë jetën të mitur dhe adoleshentë. Presidenti disa miqve dhe këshilltarëve u kishte treguar shkakun se pse ishte përbetuar se nuk do ta vulos ligjin  për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Ai kishte rrëfyer se që në fëmijëri kishte patur urrejtje në mënyrë dualiste dhe transadetale ndaj gjuhës shqipe. Që në fëmijëri kam urryer shqiptarët si duken, si vishen, si ecin, si falin. Kam urryer qytetet, fshatrat, lagjet, ku banojnë ata. Por më shumë ma shurdhonte veshin gjuha e tyre. Presidenti çdo herë tentonte t’ua vërë zjarrin insekteve, që nuk e kafshonin, pickonin, pra shqiptarëve. Por siç u pa ai në fund tenton dhe kosheren e bletëve që japin mjaltë bashkëkombasve të vet, t’ua vërë zjarrin dhe flakën.

“Dilema, nëse ky shtet do të ekzistojë ose do të shpërbëhej”

Para tre viteve, pas luftimeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë, pata shkruar artikullin, “A do të ndodhë shpërbërja e Maqedonisë”. Këtë skenar të kobshëm, nuk e dëshironin shqiptarët e Maqedonisë dhe shumica e maqedonasve. Nuk e dëshiron as Tirana, Prishtina, por as liderët shqiptarë të Maqedonisë, duke menduar për përsëritjen dhe ndezjen e fuçisë së barotit në Ballkan. Këtë skenar të kobshëm e dëshironin më së shumti VMRO - DPMNE me klanin e Gruevskit dhe pinjollin e tij, Ivanov. Po mos të votonin për Zaevin një pjesë  e shqiptarëve në zgjedhjet e kaluara, që në fund mposhtën dhe eleminuan nga pushteti Gruevskin duke votuar për SDSM dhe liderin Zoran Zaev që së bashku duan të jetojnë të barabartë në këtë shtet, Gruevski dhe më tej do të mbetej në pushtet duke vazhduar të diskriminojë, burgosë, shantazhojë shqiptarët si dhe  duke vazhduar të provokojë Greqinë, duke uzurpuar dhe ngritur statuja dhe kryqe. Duke fabrikuar mite dhe heronj të rremë, nacionalo romantizëm dhe folklorizëm politik, Maqedonia do të ngelej shumë larg Europës. Do të humbiste shansin për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Europian, për të mbajtur status quo-në vetëm e vetëm për të mbetur në pushtet klani dhe kupola e Gruevskit. Deri sa Maqedonia nuk do të zgjidhte ngërçin pra kontekstin e emrit përfundimisht , në të ardhmen do vijojnë dilemat nëse ky shtet do të ekzistojë, ose do të shpërbëhet. Në të ardhmen do të hyjnë gjithë shtetet në Union dhe familjen europiane kurse Maqedonia do ngelej e getoizuar sandwic dhe sindrom i Ballkanit. Shqiptarët e Maqedonisë nuk do të presin me dekada të tëra si dhe të jetonin të izoluar dhe diskriminuar. Ata do ti bashkangjiteshin në fund familjes europiane.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test