Syzet

Opinione

Syzet

Nga: Fatmir Lohja Më: 3 korrik 2018 Në ora: 12:35
Fatmir Lohja

Me dy miqtë e mi ,në atë fillim gushti,po pinim kafetë dhe po soditnim natyrën nga taverna e hotelit luksoz.Valët e qeta të   detit  e ledhatonin bregun,si fëmijët akulloren e shijshme. Dielli sapo  filloi të rrokej me ujin e kaltër.Sa më shumë zhytej në ujë, aq më shumë lodronte me përmasat dhe me  nuancat e të  kuqes me të verdhën.Nga ambjenti dehës natyror dhe nga shplodhja në  pushimin e drekës po e bjerrnim kohën me nge. Artani filloi të tregojë  biobarcoleta  të freskëta,që i  dëgjoi paradite duke u rrezitur  me rininë. Pa u shuar njëra e qeshur,ndizej tjetra,sepse edhe ne po na kujtoheshin situata të ngjashme, sa të vjetra e aq të reja.Fol njëri e prit tjetri erdhëm në qejf. Iliri, miku  im i vjetër,po çapitej i vetëm në bregun e detit.

-E shoh  të vetmuar mikun tënd, - m’u drejtua Astriti.

-Në fakt atij i ka ndodhur  diçka,prandaj nuk është më  Iliri që i qeshnin sytë,- iu përgjigja.

-Jemi në humor. Ju lutem mos na  tregoni  gjëra tragjike dhe na e prishni këtë gazhare!    - futet menjëherë Artani.

-Tragjiken me komiken Iliri i bën lëmsh.Ka për  të treguar historitë e tija aq bukur sa  do t’u dhimbë  barku për  dy ditë nga të qeshurat. Eshtë  inxhinjer dhe studion me pasion si në profesion edhe në gjuhët e huaja.Kjo ka bërë që edhe sytë t’i dobësohen.  Pse rri vetëm  do t’ua tregojë vetë. Shpenzimet për të i përballoj unë,- dhe u çova për të marrë  , sepse me të thirrura nga larg isha më se i bindur se ai nuk do të më vinte.

Pas pak kohë, sëbashku me Ilirin, zumë vend në tavolinën e miqve të mi.U bënë prezantimet e rastit dhe për pak çaste ra një heshtje e besdiseshme në mesin tonë.

Mos iu prisha biseden?- na pyeti Iliri me ndrojtje.
Jo,- i kthehem menjëherë.- Si gjithë pushuesit edhe ne jemi bjerrakohës që thekemi në diell diten e tregojmë përralla natën. Artani po na tregonte disa barcoleta  dhe na i rizgjoi kujtimet
Vazhdoni se edhe unë  shkrihem si akullorja në diell për pak humor.Nuk ka gjë më të bukur se t’i kalosh pushimet  duke u rrezitur e të jesh në qejf.Trupi merr energji dhe mendja shkëputet nga streset e ditës.

Me  sinqeritetin e  Ilirit miqtë  e mi u shpenguan.Humori rierdhi  midis nesh  sa na i ngriti  tingujt në oktavët  lart.Kur u binda se  debatuesit qenë  ngjizur mirë,e ngacmova Ilirin, se pse qendronte i vetmuar.

-Kam  arsye shumë të forta ekonomiko-financiare që nuk më lejojnë të shpenzoj para as në këtë verë as në  tjetren që vjen pas. Shkaku është i thjeshtë,  nuk më lejojnë sytë,- ia filloi Iliri ndejshem e ndejshm.

- Si mund t’u pengojnë sytë në këtë tavernë ?- e pyeti Astriti i habitur.-Edhe unë vuaj nga miopia,por këtu shoh mirë ,sepse hija është e thellë dhe rrezet e diellit nuk më bezdisin aspak

- Ke shkuar të vizitohesh  tek mjekët?- e pyeti Iliri  tërë pasion Astritin.

-Ende jo.Vëllai më ka dhënë një palë syze plus 0.5 dhe lexoj mirë .Nuk e kam parë ende të arsyeshme të shkoj .

-Eshtë puna më e mirë që ke bërë dhe të rekomandoj  të mos shkosh asnjeherë tek mjekët, që mos të të ndodhë si mua.Nëse keni kohë po ua tregoj historinë time ju të  dyve,se e di që miku im i njeh mirë vuajtjet dhe budallallëqet  e mia.

-Si mund të bëhen budallallëqe me sytë?- e ndërpreu Artani.- Nuk betohen njerëzit rastësisht:” Pasha dy sytë e ballit.”

- Edhe unë, kam qenë,jam e do të jem, me mendtë e juaja,por fatkeqësisht nuk janë mjekët me këte arsyetim,- e mbështeti Iliri.-Ashtu si i ka ndodhur Astritit filloi të më rëndohej  edhe mua shikimi. Një shok i fëmijërisë, që ka dyqan kinkalerie, shet edhe syze optike. Provova disa.  Një palë,  me numër plus dy,ma lehtësuan bukurmirë shikimin. Arrita të lexoj edhe gërmat e vogla tek paketa e cigareve,duke marrë informacionin mikroskopik pas shumë kohesh. Kur e pyeta mikun sa kushtojnë ai  nuk pranoi të më marrë para.Kur  më përcolli më dha edhe një porosi.Unë  marroku nuk e thadrova aspak në tru atë  aksiomë të vertetuar katërcipërisht nga tregu.Edhe sot po e vuaj  kokëfortësinë time.

-Çfarë të këshilloi miku?- u fut  Artani me padurim.

- Sa herë të kem nevojë për syze, të shkoj tek ai ,  t’i zgjedh   për merak vetë ato që me vlejnë .M’u lut, për dy sytë e  ballit, të mos shkoj të vizitohem tek mjekët ,se nga eksperienca e dyqanit, e parashikonte se unë ose kam për t’u bërë qorr dy sysh,ose kam për të mbetur pa asnjë lek në xhep.

-Kaq i paditur qenka  shoku yt ?- nuk iu durua Astritit.

-Miku im nuk e mban veten për të  ditur, por në fakt është shumë më praktik se unë,-shpjegoi  Iliri.- Për t’u mbushur mendjen se ai pati më se të drejtë,po u tregoj gjithçka. Duke pasur besim vetëm tek mjekët dhe shkenca e aspak tek tregtarët, me librezen e kontributeve të sigurimeve shendetesore në dorë,me ca para të vogla në xhep, shkova tek mjeku okulist që mbulon lagjen tonë. E kam deklaruar dhe  e deklaroj  haptas,nuk kam pasur  asnjë lloj presioni nga jashtë.Përballë me del një zhabok me maskë babaxhani dhe një infermiere e sertë.Mjeku më priti me  duarhapur dhe me buzëqeshje elegante. Me  thënë të verteten u ndjeva mirë. Më shkoi në mendje menjëherë t’i bëja një urim me shpirt qeverisë demokratike, që sëpaku shendetësinë e ka vënë në binarë.Ai,me delikatesë ,më vizitoi e më diagnostikoi me plus dy,ekzakt si e rehatova shikimin tim tek kinkaleria. “Sëmundja  është si shkak i moshës dhe mos u merzit shumë.Përgjithësisht pesëdhjetëvjeçarët kanë  të njëjtin problem si ju.”- më tha qetë-qetë.Para pak ditësh pata festuar  pesëdhjetëekatër vjetorin. U qetësova  nga thëniet e tij. I dhashë librezën shendetsore infermieres.I gëzuar u bëra gati të largohesha për të shkuar në punë.-“Ku po shkon?”- me thotë doktori sapo i jepja përshendetjet e ndarjes.- Pse, ju detyrohem gjë?- i them  duke i treguar librezen e kontributeve, që saktësonte se  jam një nëpunës i shtetit dhe  taksat,tatimet  detyrimisht i kam paguar një më një .-“Jo.Ne jemi nëpunës shteti .Këtu nuk marrim para për vizita,por ju jeni i sëmurë. Keni shumë probleme me shikimin, dhe filloi të numëroi këtë e atë,e ….prandaj u vonova kaq shumë në punë. Hapi i parë, që semundja të mos zhvillohet, është paisja urgjente  me një palë syze optike , se ndryshe shikimi yt  do të shkojë nga mjegulla në errësim të plotë.Këto  janë prodhim i muajve të fundit.Janë ideuar qellimisht për sëmundjen tënde. Ju jeni me fat të madh, që ato sapo kanë ardhur nga Europa plak tek unë.”- nga një qese plastmasi e verdhë,  se si u xhonglua në duart tij nga xhepi i përparses së bardhë të infermieres   edhe sot nuk e  kuptoj, shpalosi  një palë syze me skelet të trashë  kauçuku duke i tundur  e  shkundur para hundës  sime të vogël.T’i thoja ,se  i kam syzet më elegante se ato në shtëpi,nuk m’u duk e arsyeshme për atë moment .Ai  thumbi  me probleme serioze më quku bukurmirë. -Sa kushtojnë ?- e pyeta duke llogaritur se nuk do të shpenzoja shumë,meqë miku më tha se nuk ia vlente të thuhej vlera. “Pesëmbëdhjetëmijë lek, se janë të një cilësie të lartë.”- më përgjigjet mjeku me dhëmbët jashtë.I tund kokën me ndroje për ta bindur se nuk  mundem t’i blej. “Çfarë kombi jemi ne?- filloi të recitojë me patetizëm,kur pa reagimin tim të butë. “Shpenzojmë 10 mije lekë sepse qorrohet një pasqyrë makine e cila,fundi- fundit, na sherben për të parë vetëm prapa dhe nuk paguajmë 15mijë lekë për të ruajtur driten e syve të ballit   për të parë të katër anët e horizontit.”

Me aq  seriozitet e pasion sa foli ai , më kapi edhe ndërdyzash, ku fiton si zakonisht mungesa ime e kurajos, e vendosa: -Po shkoj deri në bankë dhe po vij menjëherë ,-i them .Me emocionet e mjegullimit dola me nxitm,por shpejt u kujtova që  lashë librezen shendetësore dhe karten e identitetit brënda. Kur e hap derën e gjej doktorin duke fërkuar  e mikluar infermieren pa asgjë të përbashkët  me etiken e nëpunësit civil,të cilen  na e kërkojnë detyrimisht në punë.-“Kur të vini të merrni syzet do të merrni edhe dokumentat.Mos keni frikë se nuk  i humbasim.”- me tha i përskuqur nga emocionet tregtare të kapërthyera keqas me ato erotike.

 - Si tha!? 10mijë lekë kushton një pasqyrë makine për të parë vetëm pas.Fantastike,famoze,mjeshtërore, -qeshte Astriti me zë të lartë,sa  terhoqi vemendjen e tavolinave përrreth.

-Ju  them me sinqeritet , nuk më pyeti aspak nëse  kam apo nuk kam autoveturë private,- sqaroi me tej Iliri ,ndërsa ne mbanin dorën tek goja për të mos bezdisur të tjerët.

- Bën shaka! Besoj se nuk i  ke blerë syzet e privatit në zyrat e shtetit, se kështu ke shkelur me të dyja këmbët ligjet e evazionit fiskal ? - e ngacmoi Artani me ca fjalë që me zor u morën vesh nga që e qeshura e pengonte të fliste.

- Si dyshon që nuk i bleva?Të them të drejtën, nuk i pata parasysh aspak ligjet sapo cituat ju,por shkova me sprint e preka overdraftin në bankomat,për të ruajtur sytë e mi. Verbëria nuk është shaka.Ajo i errëson  të gjitha bukuritë që ka dhënë  Perëndia mbi dhe.Dihet se nga Adami kemi trashëguar frikën ,ndërsa nga Eva kemi dhuratë mëkatin e unë nuk  mund ta ndryshoj historinë e njerëzimit.

- Me thuaj të vertetën, a mbeti e kënaqur infermierja?- e stërholloi Astriti.

- Nga karrigja rrotulluese u çua me shumë salltanet për të më dhënë dokumentat.Kur i dorëzova paratë,sepse më sylloi  mjeku,ajo  nga e sertë u laravit, sa mua m’u duk se u bë një masë gjelatinoze.E afroi kokën e parfumosur për merak pranë hundës  sime.Rrëze veshit,  me zë të ulët, me ëmbëlsi më shumë tregtare se mjeksore,më premtoi .se do të gjendem si në shtëpinë time sa herë  të shkoj për  të bërë kontrollet periodike .E theksoi,me këmbëngulje ,që ato të mos ishin më larg  se gjashtë muaj ndermjet tyre.Nga entuziazmi, e shkeli pak, kur u mundua të më bindte se sytë e mi janë shumë të shtrejtë për mua,-e  stërholloi Iliri.

Mënyra se si tregonte ai humori i përzihej me pigment djegës e hidhërues.Në sipërfaqe na gazmente, ndërsa në brëndesi të shpirtit na jepte një trishtim.Errësira i vuri velin e zi detit.Hëna e re shkëlqente sa një drapër.Fresku e përzuri vapen e besdishme të ditës.Taverna u mbingarkua nga bujtësit verorë. Kamarieri me veshtirësi na dëgjonte dhe i sillte porositë.Rinia,në qendren e betonuar të lulishtes,kërcente me shumë energji hip-hop.

- Ke shkuar përseri?-u rrek të hapë i biseden Artani,pasi u qetësuam .

-Tek ata jo,megjithëse infermierja,kur e kam takuar në   lagje, më ka  ftuar disa herë me bujarinë më të  madhe.Kam parë burra që e mbajnë veten për diva dhe për një grip kanë thirrur urgjencen për  t’i bërë  derman doktorët.Nga mendja  nuk më hiqet as këshilla e okulistit  dhe as dashamirësia e infermieres për të bërë  vizita periodike . Jam i trandur në vazhdimësi, si brënda edhe jashtë atdheut,- dhe Iliri u mbush me frymë.-Ma solli fati, për t’u  trajnuar në Europë, në një shtet ku levrohen vizat “Shengen”.Paten kaluar rreth një vit e gjysëm  nga vizita e parë e unë neglizhenti ende nuk  kisha  shkuar për së dyti  tek doktori . Një   komshi,në moshen e djalit tim ,se si m’u gjend pranë në atë vend.Nuk e mbaja mend nëse i kam folur ndonjëherë në atdhe,ndërsa atje m’u ngjit si pullë poste.Më vinte sa mbaroja trajnimin dhe ndaheshim natën vonë pranë hotelit. Herë pas herë më pyeste nëse deshiroja të bëja ndonjë vizitë mjeksore.Ai krenohej që ishte integruar në atë shtet tamam si në mëmëdhe . Punonte infermier në një klinike serioze dhe më premtoi disa herë rradhazi, se me nderhyrjen e tij, nuk do të kisha shumë shpenzime.                                                                                                   

Me kureshtjen dhe ndrojen e një të huaji ,që jeton jashtë eurozonës, shkova me këmbet e mia si cjapi tek kasapi.Të them të vërteten, klinika atje ndryshonte si nata me diten ,nga ajo e lagjes sonë.Aparaturat vezullonin nga pastërtia. Mikpritja e mjekut ,para se të fillonte viziten,m’i zhduku si me magji emocionet frenetike.Një burrë simpatik, që   flet me respekt për atdheun tënd ,të bën për vete.Kur u sigurua se  do të hyja në rrezen e tij profesionale u bë menjëherë autoritar.Më vizitoi me kujdesin më të madh.Më vuri para syve shumë lente e aparatura.Nga goja nuk i dilte më asnjë  tingull. Ajo heshtje tinzare ma futi friken në palcë.Mendoja për tmerrin  e errësimit.  Me akullsi polare ,pasi mbaroi viziten, u drejtuam  tek tavolina e zyres. U ul në karrike aq rënde sa të dukej se mbante hallet e kombit mbi shpinë,ndersa unë i mpakur qendroja mbi këmbët që më dridheshin.Nga sirtari nxorri një stilolaps dhe letër të bardhë.Fliste e shkruante ngadalë, duke më treguar shkencërisht  për sëmundjen e syve të mi.Unë e njoh gjuhën e tij jo keq,por ai më fliste  shkencërisht  për dritëhijet dhe këndet e të parit.Dendësimi i informacionit okulistik, nga leksioni i frikshëm mjeksor, po i trysnonte hapësirat e  zbrazura në kokën time,duke i dhënë në vazhdimësi  tkurrje rrënqethëse dhe marramëndese trurit të gjorë, të kapur në befasi.Pa  mbaruar me shkencen nxorri nga sirtari i tavolinës  një palë syze optike,të paketuara në një kuti tepër elegante.Kur i çambalazhoi,me shumë hijeshi, më urdhëroi:”Vëri në sy!Këto janë syzet që do të bëjnë të shohësh më mirë dhe  do të mbrojnë njëherë e përgjithmonë nga zhvillimi i sëmundjes më tej.”-Sa kushtojnë?- e pyes,pa ia prekur aspak me dorë.”Gjashtëqind euro,- më përgjigjet, dhe mua mu duk se në buzët tij vura re të njëjten buzëqeshje si të  okulistit patriot.- Janë shtrenjtë,nuk mund t’i blej,megjithëse po më pëlqejne shumë,-iu përgjigja i vetëpërmbajtur,kokëulur,me konsensus, duke zbatuar pikë për pikë,sipas mendjes sime, të gjitha porositë dhe rekomandimet e Komuniteti Europian ,për të na futur në gjirin e tyre  si dhe të drejtorit para nisjes. Ju them të vërteten , nuk e disponoja atë shumë  parash, as atje e, as në atdhe.

-Kaq të vogël e keni pagën?- nderpreu Astriti.

-Pagen shtetërore e kam pak a shumë si të tjerët dhe jam mësuar ta planifikoj për të mbyllur muajin.Shpenzimet e trajnimit u përballuan nga shteti mikprites,ndersa ato për vizen “Shengen”, noterizime,përkthime dokumentash,me the e të thashë,që i kërkonte ambasada, sepse sipas saj nuk kalohej ndryshe kufiri, do t’i përballonim me forcat tona.Kjo punë jo vetëm ma gllabëroi kohën,por  ma rrëmbeu  pagen mujore me shumë bujari e fisnikëri.I nevoitej babait edhe ndonjë para xhepi,se drejtori na e bëri më se të qartë,përpara se të vendosnim të merrnim pjesë në trajnim:”Djetën prej 13 euro në ditë,do ta merrni kur të vini në atdhe dhe  të dorëzoni urdhër-sherbimet,ku do  të përputhen ekzaktësisht  datat e nisjes dhe ardhjes  me  biletat e avionëve.”Ju mund të më pyesni pse pranova të nisesha kur ishin kaq shumë shpenzime?Ne si popull e kemi të trasheguar shprehjen:” Më i fituar i shetituri se i dituri.”Kam humbur shumë kohë mbi libra dhe nuk kam fituar gjë. Po shkoja në Europë dhe do të prekje me dorë ëndërrën që shohim në vazhdimësi prej njëzet viteve,kjo qe arsyeja që  familja ime  pranoi të sakrifikojë. Ma humbët fillin.Ku e lamë?- na drejtohet Iliri

-Mjeku i eurozones është duke të tundur një palë  syze përpara hundëve?- ia kujtoj unë.

”Janë prodhim bashkëkohor,”- u mundua të më bindte europiani.-“ Kanë skelet fin.Janë të prodhuara nga brinjë kafshësh afrikane ndersa  lentet janë nga Azia e largët.Unë habitem se sa të pakujdesshëm janë njerëzit jashtë eurozones Paguajnë 400 euro në vit për të parë kanalet e Super Sportit,dhe nuk duan të shpenzojnë para për dritën e shikimit, pa të cilën nuk mund të shijojnë sportet aspak.”- Me që të pelqejnë, të ndihmoj unë”-ndërhyri komshiu i mirë. Djalë trim.I Pagoi paratë pa iu dridhur dora aspak.Dola nga klinika shatra-parta.Kur erdha në vete,nga ajo zallamahi mendore e shpirtërore, që më kaploi atje brënda,i shpreha mirënjohjen mikut.

- “Pse me thua faleminderit.Nuk bëra ndonjë gjë të madhe.Kisha ndermend  të jepja ca para  që t’ia çoje prindërve të mi.Kur të arrini në atdhe ia jepni.Unë e di që ju i njihni mirë të mitë.”-më sqaroi ai krejt i qetë.

-Mjeku eurozonës a kishte infermiere përbri?- e ngacmoi Artani.

-Jo.Më pas,komshiu,  më shpjegoi  se po të ishte infermieria  në punë, vetëm vizita do të më kushtonte  300 euro.Ky ishte favori që u bë nga ndërmjetesia e tij dhe ma kërkoi disa herë t’i shprehja mirënjohjen.

- Po pagesen si e zgjidhe?-e pyeti Astriti.

-Sot kemi bankat.Mora një kredi konsumatore me 20 % kamat dhe shkova tek prindërit e komshiut  menjëhere dhe  pagova euro më euro,me shumë dhimbje.

-Ka kohë kjo ngjarie?-kërkoi shpjegime  Artani.

- Kanë kaluar mbi dy vjet.

-E paske larë kredinë.Nuk ka qenë ndonjë shumë e madhe.- u mundua ta qetësonte Astriti.

-Atë po,por tani  kam një tjeter më të rëndë mbi  shpinë  dhe sapo kam filluar ta shlyej,-na trubolloi përsëri  Iliri.

- Me gjithë këto që tregove,përseri të ka shkuar ndermend  të vizitohesh!?- e pyeti me habi Artani.

-Për driten e syve unë e kam merakun  vazhdimisht.Nuk u bishtnoj këshillave të  mjekëve .Një shok i imi,që vuante nga zemra,pse nuk i dëgjoi ata, sot ka ndërruar jetë.

-Po ku je vizituar përseri?- i doli nga shpirti Astritit.

-Para tre muajsh qeshë  në SHBA.Për të mos i rënë gjatë, me miqësi,bëra një vizitë mjeksore për sytë.Borxhin e Komunitetit Europian e kisha larë .Shkova i gëzuar tek mjeku Amerikan, sepse m’u premtua shumë dhe vetë kalamenda shumë variante dhe hesapet nuk më dilnin keq.Ai, pasi më vizitoi, nxorri nga kasaforta,e cila komandohej me telekomandë, këto syzet që kam në sy .-“Kushtojnë 2mijë dollarë.”- ma tha me shumë qetësi.-Përnjemend e ke?- më doli nga gjoksi si klithëm apo si gjëme, ende edhe sot nuk mund ta shpjegoj,sepse më  rreshqiti nga thellesia e shpirtit.Arsyetimi im,nga mos shetitja  në botë,nuk mund ta konceptonte aspak se në atë vlerë mund të kushtonte një mall, që lehtësisht kacavaret mbi hundë dhe nuk quhet apak bizhuteri grash.- “Asnjë cent më pak.”- e vulosi përfundimisht.Kur më iku trandja psikologjike,dhe  kujtova se  e mora veten, për t’i treguar doktorit se  nuk më  nevojiteshin syze të tjera,me trimëri nxjerr  kutinë estetike të blerë në Europë.Ai ma bëri  me shenjë që t’ia jepja në dorë.Mua , a pse  Perëndia m’i mori mend,apo pse ende nuk isha kthyer në normalitet,  ia dhashë me duart e mia të djersira.E  hapi dhe pas tridhjetë sekondave,me një shikim neveritës,sikur po shihte ndonjë mi kanalesh,e theu në shtatëqind copa mallin e Komunitetit Europian.”Europianët nuk dinë të bëjnë syze,”-më tha dhe i hodhi syzet me gjithë kuti në koshin e plehrave Amerikan,pa iu dridhur musteqja e gjatë aspak.- Xhamat janë Aziatikë,- i them i trullosur.-“Aziatikët ende nuk e dinë sa miliard janë e do bëkan lente!?”-ma kthen.-Skeleti është i punuar artizanalisht nga brinjë kafshesh ekzotike afrikane,- vazhdova i trubulluar.-“Mos i qaj më ato që shkuan,se nuk ka mjeshtër në glob që iu bën derman,”- dhe  nuk më foli më. Edhe unë,prej inatit tij,me një ndjenjë krejtësisht të papërcaktuar, e kyça gojen me shtatë dryna.

- E çfarë berë më pas?- e pyeti i habitur Artani.

-Kur e mora veten, veprova identik si në Europë.Pagoi miku im atje i qetë  pagova unë këtu i trazuar,përsëri me kredinë konsumatore.                                        

-Po dëmi ekonomik që të shkaktoi ai me atë veprim brutal?- kërkoi sqarime Astriti.

-Ku  ke parë e ku   dëgjuar që superfuqitë të paguajnë dëm ekonomik vendeve në zhvillim,-u përgjigj Iliri pa i levizur syri aspak.- U zgjata pak, por do ju tregoj diçka ne afrimitet.Në punë e në shtëpi lexoj e shkruaj me syzet që më ka dhuruar shoku i fëmijërisë,se  shoh  mirë.Syzet e okulistit të lagjes,që kur bleva ato të  Komunitetin Europian, nuk e di asnjë në familje  se  çfarë rrënze kanë zenë në shtëpi.Amerikanët i mbaj gjithmonë me vete.

-E pse?- ndërpreu Astrit.-Ju thatë që iu kanë ekzaminuar me plus dy,pra keni probleme me shikimin afër.

 -I mbaj  për t’u dukur e për t’u thënë shefave  se  i bie prapa syve  dhe ju lutem mos më largoni nga puna.

-Seriozisht ,nuk iu pengojnë?- e pyeta unë.

-Nuk kanë bërë fare kot 2000 dollarë,- ma ktheu.-Mos harroni se janë Amerikane! Poshtë më sherbejnë për të lexuar,sipër për të parë tepër larg, shkelqimin e diellit e hijezojnë,ndersa errësiren e natës e dritësojnë.

-Do të vizitohesh prapë?- e ngacmoi Artani.

-Po.Më sëmbon në vazhdimësi në tru,por tani mendoj se jam më i sigurtë?- ia ktheu Iliri.

-E pse?- më doli mua.

-Jam i bindur, që me mallin MADE IN USA,i cili është i stamposur qartë në bishtat e syzeve ,që janë kërleshur me veshët e mi,nuk mund të bëjë kush shaka. Dikush mund të thotë se janë Kuba e dy-tre shtete të tjera,por mua nuk ma do mendja se e kam kësmet të shkoj atje.Edhe po e solli rasti  të udhëtoj në këto vende,nuk do t’i marr  syzet  me vete.U dogja një herë dhe familja ,me të drejtë, nuk ma fal më.Për të qenë i sigurtë fare,kam bërë para fëmijëve një betim solemn:” Babi,megjithëse dridhërohet për driten e syve, pa larë borxhin amerikan, nuk do të takojë as kalimithi  ndonjë okulist, pavarësisht nëse është vendas apo i huaj.”

Koha vrapoi me  ritmin e sprintierëve.U dëgjua kënga e  parë e gjelave  kur  u ngritëm të ngarkuar me gaz e birra të shumta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat