Kalorësit e Dardanisë (2)

Opinione

Kalorësit e Dardanisë (2)

Gani Mehemetaj Nga Gani Mehemetaj Më 11 korrik 2018 Në ora: 16:01
Ilustrim

Kalorësi lajmëtar tregoi edhe për fundin e Monumit. Ai nuk e vrau veten që të mos binte në dorë të armikut. Ai ra në fushë të betejës.

- Kur u vërsul, godiste si i ndërkryer, e merrte veten sa herë e godisnin. Mori disa plagë, ishte i kthjellët deri në çastin e fundit.  

Daorsin nuk e pashë kur ra, e di që deri në çastin kur mua m’u errësua mendja ai u printe kalorësve, - fliste lajmëtari Kestrin, ndërsa nisi ta ulte zërin si të pëshpëriste.  

-Aty e pashë për herë të parë kalorësen e re Ledita, që luftonte përkrah të tjerëve, flokët i dilnin nga helmeta, i shtriheshin mbi supe, trupi i zgjatur drejt dorës me shpatë të zhveshur se si e bënte të pazakonshme e të frikshme si amazonat e legjendave. Pas betejës nuk ia kërkova kurmin, doja ta mbaja kujtimin e saj ashtu si më doli në betejë. Ende e dëgjoj britmën luftarake, - rrëfente kalorësi lajmëtar.

Me një grup ushtarësh i varrosëm të treqind kalorësit e korpusit të dytë të Dardanisë, në vendin ku ranë me nga një shenjë sipër kokës dhe me një përmendore në krye të varreve.  Ishte e rëndë pamja e Grykës, nuk u afruam as Konstandini as unë, nuk donim t'i shihnin ashtu si qenë katandisur.   

Ushtarët varrmihës punuan tërë ditën, gurgdhendësit bënë punën e tyre. Ne rrinim të mpirë duke lëvizur nga një njësit te tjetri.   

"Kam qenë çka je, do të jesh çka jam", e gdhendëm një fjali të ushtarëve antikë në gur, ndërsa përfundi urimin:  "Hyu i kalorësve kjoftë me ju!" 

Nuk ua bëmë gjëmën, nderimet ushtarake ua bëmë sipas traditës në Grykën e Mrizit të Zanave, në buzëmbrëmje. Boria i binte një muzike të përzishme, të gjithë rrinim të shtangur para varreve të sapohapura. Era e dheut të njomë t'i guduliste hundët, armatimi i rëndë na rëndonte edhe më shumë në këtë pamje të zymtë të vdekjes. Poshtë nesh në katund, nga kisha vinte muzika e një instrumenti "Te Deum laudamus" të Niketë Dardanit.

E pashë me bisht të syrit komandant Konstandinin se si rrinte i  mpirë para ushtarëve të armatosur që  rrapëllonin armatimin sipas komandës së centurionit.  

Nga Korpusi i Dytë mbetëm vetëm unë e Konstandini. Athua e dinin këta ushtarë të rinj që rrinin të shtangur para varreve këtë gjë? Nuk ma merrte mendja.

Majën e shigjetës që e kishte goditur në qafë Daorsin ma dorëzuan ushtarët. Shpatën e mburojën me përkrenaren e gjoksoren i futën në varrin e tij, ashtu sikurse ua lamë pranë të gjithë kalorësve armatimin aty ku i varrosën. E rrotullova disa herë këtë majë të mprehtë shigjete që ia mori jetën mikut tim. Gjaku i mpiksur ende i rrinte në cepin e majës. Kur u ktheva në kështjellë e futa në mesin e pergamenave që m’i dha t'i ruaja.

-Nuk më duhen më, - më tha, një natë para nisjes, - ruaji, është e tërë jeta jonë.

Më kujtohen kur dolën nga dyert e mëdha të kështjellës me zhurmë. Troku i kuajve u dëgjua edhe një kohë pasi u larguan. Ushtarët e rinj i shihnim me admirim nga muret e kështjellës, i ndoqëm me sy një kohë të gjatë, gjithnjë duke bërë me gisht kur dilnin në majë të ndonjë kreshte. Një pikëllim më mbërtheu si asnjëherë më parë. Kalorësit qenë nisur edhe herë të tjera në luftë a në ekspedita, përshëndeteshim gëzueshëm me shpresën  se prapë do të shiheshim, por kësaj radhe se si ishte. E ndoqa gjatë kolonën e tyre kur kaptonte qafat e malit.

Ndërkaq, në mbrëmje, kur u ulëm në pijetore të pinim nga një gotë verë për shpirtin e kalorësve, Konstandini më tregoi bisedën e fundit me Daorsin për betejën e Panonisë:

- Të treqind kalorësve të Dardanisë u prija me ankth, druaja se nuk do ta shpëtoja asnjërin, ndërsa përpiqesha të shpëtoja secilin. Kur i ndieja britmat e  ushtarëve të kohortës sime, ndërsa e dija që e goditi shpata e armikut, më therte në zemër, gjithnjë shpresoja se goditja ishte plagë e lehtë.   

Pastaj m’u drejtua me pikëllim:

-Mendon se kam të drejtë t' i shpie në vdekje kalorësit?

- Jam hyu që vendos për jetën e vdekjen e tyre?

-Ata janë kalorës dhe atë detyrë kanë, -ia ktheva që t'ia hiqja ngarkesën e përgjegjësisë.

-Ata e dinë ku do të shkojnë, janë të vetëdijshëm për rreziqet.

Heshti. Nuk fola as unë. Për herë të parë e shihja në këtë gjendje shpirtërore shokun e armëve, për herë të parë fliste me rrëke monologësh.

Pjesën tjetër të mbrëmjes e kaluam duke e bërë koordinimin e strategjisë brenda e jashtë kështjellës. Atij i ra të luftonte jashtë. E sigurova se kështjellën do ta mbronim.

Vdekjen e Daorsit e të kalorësve e përjetoi rëndë, megjithëse askush nuk priste se ata do të ktheheshin. Por shpresa e vakët na mbante.   

Që nga fillimi i betejës nga bedenat e kështjellës e patëm vështirë të shquanim luftën e treqind kalorësve në Grykën e Mrizit të Zanave. Herë-herë kur pamja na vinte pak më e qartë, shihnim pjesë të kalorësve se si sulmonin e tërhiqeshin, pikëlloheshim kur ia mësynin mizëria e ushtarëve të këmbësorisë armike. Kohën tjetër ishim të zënë me mbrojtjen e kështjellës, të rrethuar ishin edhe dy kështjellat malore, kurse ajo përballë nesh, Suka, tutje në horizont, nuk shihej nga mjegulla. Vetëm ndonjëherë na vinte sinjali se ata ishin aty.  

Fragment romani

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat