Zemra e sëmurë e lopës

Opinione

Zemra e sëmurë e lopës

Nga: Fadil Lepaja Më: 18 korrik 2018 Në ora: 09:43
Fadil Lepaja

“E keni ushqyer lopën, e keni ushqyer veten”, kjo është fjalia, tashmë virale, për të cilën profesori i Universitetit të Prishtinës, thotë se ua ka përsëritur vazhdimisht studentëve të tij të bujqësisë. Thuhet se studentët janë gajasur së qeshuri në amfiteatrin e madh,  të fakultetit më me pak renome në vend. Sepse bujqësia është zemra e zhvillimit të një shteti thotë profesori. E zemra, gjithnjë neglizhohet, prandaj, kardiologët janë milioner!

Studentët e këtij fakulteti, ka gjasë se ndihen të turpëruar që kanë zgjedhur pikërisht atë fakultet, përpara emrave të  kumbueshëm të fakulteteve të tjera. Ata duket qartë se nuk e kanë kuptuar metaforën, e profesorit të tyre, ashtu si edhe shumë gazetarë të cilët në vend të lopës e “ushqejnë” shtetin. Ushqeje shtetin, dhe ke ushqyer vetveten, do të mund të parafrazohej kështu maksima e këtyre studentëve nga fakultetet shumta të gazetarisë në vendin i cili prodhon fare pak qumësht, djathë, gjalpë, mish, e tjera produkte nga lopa, por prodhon shumë e shumë parazit që jetojnë nga (pu)shteti.

Nuk po flas këtu për zëvendës ministrat e shumtë, as për këshilltarët, as për ministrat, deputetët dhe e  elitën politike të vendit, por po flas për gjithë ata që indirekt jetojnë nga shteti. E ke ushqyer shtetin, ke ushqyer veten, pra, kjo është maxima e aktivitetit politik të dhjetëra partive, OJQ-ve, dhe intelektualve të (pa)varur. Por, Bujqësia është zemra e zhvillimit, thotë profesori, tashmë i famshëm.

Kur je afër pushtetit, je afër zjarrit. Ju e dini që njerëzimi evoluoi pikërisht kur ua vodhi zjarrin perëndive. Ndërkaq, për pushtet dihet! Fillimisht sundonin perënditë, pastaj ai erdhi në tokë. Pa asnjë dileme, pushteti u grabit! E mori qytetari!

Por qytetari nuk mundi të sundonte drejtpërdrejtë, prandaj zgjodhi përfaqësues. Kështu, pikërisht këtu fillon rruga e kthimit të pushtetit te perënditë. Është e qartë, se në kohën e informimit të drejtpërdrejtë,  përmes rrjeteve sociale, pushteti po bëhet gjithnjë e më tepër qiellor. Demokracia po rikthehet në Olimp.

Kështu, kur pushtetin e mori qytetari, pra kur mbizotëroi demokracia, me revolucion, pushteti u vodh nga zoti, dhe u soll në tokë. Për dallim prej zjarrit që i ngrohë të gjithë dhe e bëri jetën më të shijshme, duke pjekur qofte në skarë, apo pula në hell, pushteti ka ditur edhe të djeg botën më shumë se zjarri. Madje ka ditur të djeg edhe njerëz në turrë të druve.

(Pu)shteti ka ditur të vras, të djeg, madje edhe të ndërroi natyrën e njeriut deri në nivel shtazësh. Por jo të lopës. Se lopa nuk është shtazë e zakonshme. Ajo është fabrikë. Ajo ka zemër, e ai është fermeri, thotë profesori. Lopa vet, përndryshe është zemra e blegtorisë, e blegtoria është zemra e bujqësisë, për të nxjerrë kështu përfundimin e njohur botërisht se  bujqësia është zemra e zhvillimit të një shteti.

Sipas kësaj që u tha më lartë rrjedh se, nëse e ke ushqyer pushtetin, e ke ushqyer veten, por këtë nuk thonë kështu profesorët e këtyre studentëve që përgatiten të kacavirren në degët e larta apo të ulëta të pushtetit. Nëpër fakultetet me famë,  e vërteta mjegullohet dhe nuk është aspak metaforike si në bujqësi. Sepse në bujqësi, për dallim nga degët e pushtetit, fermerët çmenden për metaforat. Kur thua “bardhësia e mbuloi fushën, apo pyllin”, fermeri e di se ka ardhur koha të paguaj ratat e kredive, ose të thyej qafën në kafenetë e fshatit, që të dehet, e të prek qiellin me dorë. Qiellin ku është (pu)shteti.

Por, të kthehemi te studentët ambicioz, të cilët nuk qeshin me (pu)shtetin, sikur kolegët e tyre që qeshin me lopën, e cila sipas profesorit “është një fabrikë në vete, e cila prodhon shumë produkte” me të cilat mbushen vitrinat plot drita nëpër supermerkatot tona, të cilat e dimë se janë pronë e disa politikanëve po ashtu të famshëm.

Pra, me lopën mund të bëhet hajgare, sepse ajo e mban shtetin, familjen, dhe prej saj varen shumë industri, si thotë profesori ynë komik, ndërkohë që me shtetin nuk bënë të  bëhet gallatë. Shtetin e gjakuam nëpër shekuj, thonë poetët, dhe aprovojnë politikanët. Nga shteti ata marrin qumësht, gjalpë, djathë, mish, lesh...sepse ato shteti i merr nga “zemra e lopës”, pra nga fermeri. Lopë kishim gjithnjë, por shtet jo. Lopën e mjel fermeri, e fermerin e mjel shteti. Kë duhet ushqyer: lopën apo politikën, profesor? Cilën degë të studimeve duhet zgjedhur, pra?

Ata, pra studentët, nëse duan të ngjiten në degët e larta ku duken qershitë e kuqe, ata duhet t[ë zgjedhin financat, sepse nga aty  mund të duken të plotfuqishëm, sepse paraja sjell dynjanë thoshte, poeti dikur. Por, edhe paraja vjen nga dika, nuk pikë prej qielli  do të thonë profesorët e ekonomisë. Duhet punuar, duhet zhvilluar ekonomia, do të thonë ata.

Por, do ti, dalin  zyrtarët e anti-korrupsionit të cilët thonë se paraja pikë edhe prej qielli. Nëse e shikon rrugën e pasurimit të disa njerëzve të afërt me pushtetin nuk ke çka thua ndryshe përpos se u kanë pikur prej qielli. Nëpër tokë nuk ka gjurmë. Studentët e financave, informatikës i kanë fshirë gjurmët ...!

E kur ti fillon me hetue në qiell, bënë blasfemi. Anti-korrupsioni nuk ka kompetenca në qiell, sepse atje kanë monopol bashkësitë fetare, të cilat e mbrojnë zotin nga hetuesit vendorë dhe ndërkombëtarë.  Pasuria e tyre mund të hetohet, edhe në  Olimp, vetëm nëse është krijuar me vepër penale, thotë ligji. E si të vihet në këtë përfundim, pa hetime? 

Financat janë zemra e shtetit, e prokurori është zemra e financierit. Prandaj, në komunizëm juristët dhe ekonomistët studionin nën një kulm.

E ngatërruar kjo puna e zemrës profesor! Por, punët e zemrës kanë qenë gjithnjë të ngatërruara, prandaj kemi aq poezi për dashurinë! Jo më kot, këndon folk këngëtari: “Alo, alo, ambulanca, zemra ime është e sëmurë”

Zemra e kujt, është e sëmurë? E Lopës? Kush është zemra e kujt, profesor?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat