Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 3 - Bota Sot
Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 3

Opinione

E premte, 19 tetor 2018

Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 3

Nga: Gani Mehmetaj Më: 23 korrik 2018 Në ora: 07:11
Gani Mehmetaj

Pelegrinët u shpërndanë ashtu si erdhën. Festa e Shna Ndout kaloi, por plakun shtatgjatë, që u fut në zyrën e tij, një javë më parë, nuk e takoi. Nuk u duk as të nesërmen. Arkeologu vazhdonte të rrinte në qelën e kishës. Prifti rishtar nuk e pyeti pse erdhi, as kur do të shkonte. Flisnin për të shkuarën e për të ardhmen, debatonin tema nga arkeologjia e historia, ndonjëherë i ktheheshin politikës, për të cilën asnjëri nuk gjeti fjalë miradije.

Që nga paraqitja e beftë e plakut në zyrë iu ngulit në mendje se dorëshkrimet mund t’i jepnin përgjigje në pyetjet që ia parashtronte vetes për një varr, apo së paku shenjë të varrit më të famshëm në historinë e Gadishullit. Sesi iu kthyen ethet e dikurshme, ëndrrat, planet, mundësitë të bënte zbulime të papritura. Por pastaj i flakte këto fantazi, sepse tashmë po i kalonte të pesëdhjetat, prandaj sikur nuk i shkonte të rrëmbehej nga ëndrrat me sy hapur. “Kjo aventurë kërkon shumë energji e durim”, i thoshte vetes. “Athua e kam atë energji?”   

Deri vonë nuk e kuptoi pse e la të priste disa ditë Zefi.  Pse e vinte në sprovë durimin e tij? I lindi dyshimi që ai nuk i besonte, mbase dyshonte se dikush mund ta ndiqte prapa. Mbase druante nga e papritura e policisë së fshehtë. Sigurimit i druanin të gjithë, megjithëse donin ta flinin mendjen se nuk qe ai i vjetri.

- Nuk i dihet! -  i tha plaku, kur ia bëri me dije se nuk donte zyrtarë me uniformë.

Leka e kujtonte sesi jetuan nën diktaturë me dyshime, përgjime e mosbesime. Krijuan psikologjinë e kurdisjeve e të përbetimeve. Gjithnjë u thoshin se armiqtë gëlonin gjithandej, kështu që vështirë t’u shmangeshin hijeve të vjetra, pavarësisht frymës së re, e cila vinte me shumë vështirësi. Mbase Leka bluante gjëra të paqena, sepse plakut Zef i doli një punë, e dinte se arkeologu mund të rrinte në qelën e kishës, të bashkëbisedonte me priftin, duke u interesuar për gjëra të ndryshme. “Por sikur plakun ta  tradhtonte shëndeti”, i polli dyshimi. Atë ditë kur e takoi, nuk jepte shenja të ndonjë sëmundjeje, përkundrazi dukej i fortë. Nga mosdurimi që e kaplonte gjithnjë e më shumë filloi të bluante teza e teori të ndryshme. Një herë e kapi veten në një teori të konspiracionit, ndërsa plakun majën e ajsbergut. Por, po aq shpejt e flaku poshtë këtë marrëzi. 

Nikoqiri kryente shërbesat, bënte punët e përditshme, priste e përcillte miq e besimtarë. Disa nisnin të rrëfeheshin, të tjerët i kërkonin këshilla. Leka merrej me njohjen e terrenit, madje gjatë dy-tri ditëve zbuloi kalimin deri te humnera, prej nga mund të ecje nëpër dhiare përtej. Iu duk sikur pa një kalim që më shumë sesa tunel nëntokësor ngjante në katakomb.

Ditën e tretë ia behu plaku, atëherë kur nuk e priste. Ishte duke lexuar pjesë të ungjillit, nga libri që e huazoi në kishë. Nuk e shfletoi me vjet Biblën. Në fillim të rënies së komunizmit e lexoi me një frymë si të ishte roman. Atë fillim euforie libri i shenjtë shpërndahej në mijëra copë si bonbone fëmijëve. Njerëzit e merrnin në dorë, një herë me dyshim, pastaj nisnin ta shfletonin, jo rrallë duke shikuar anash. Biblën shteti dikur e shpalli libër armiqësor, kurse fenë, opium për popullin! Më vonë Lekën e rrëmbyen punë të tjera, librin e shenjtë, që ia dhanë në rrugë, e la në sirtarin e komodinës pa ia gjetur asnjëherë kohën e duhur. 

Plaku në të njëjtat orë qetësie e përshëndeti me një “tungjatjeta” më të përzemërt, por ftohtësia qe paraqitja e tij karakteristike. Mbante të njëjtat rroba, këmishën e kishte ndërruar. E pyeti si kaloi në festen e madhe, ndërsa i fërkonte shuplakat e duarve. Paraqitja e tij e habiti jo pse nuk e priste, por e habitën duart e tij të zbrazëta. Gjithë kohën mendonte se plaku duhej të vinte duar plot, si Plaku i Vitit të Ri, madje mund të sillte ngarkesën në ndonjë gomar, ashtu e përfytyronte ngarkesën e peshtafit. Megjithatë pa e folur asnjë fjalë kuptoheshin në heshtje. Ai u nis para, arkeologu i shkonte prapa. Bënë rrugë malore një copë herë.

Zefi u ndal para një shkëmbi në formë shtrojere, ktheu kokën anash dhe u fut brenda. Hyrja i ngjante hyrjes së shpellës, por sa më shumë rrëshqisnin brenda, me elektrik dore, aq më shumë bindej se hyrjen e hapi dora e njeriut. Sigurisht ishte pjesë e katakombit që e pikasi një ditë më parë, nga krahu tjetër. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test